Me dashuri ua kushtoj këtë libër

 

“AI ËSHTË BURRË”

(Cilësim i Sherif Dushës per Mehmet Dushen)

Kujtoj këtë thënie të Sherifit dhe përsëris me vete: “Po, ai ashtu ishte. Ishte burrë”. Kështu më del para syve duke e kujtuar që ditën kur e pashë për herë të parë në “perivol” të xha Neimit në Fterrë. Ishte ditë vere, ndoshta viti 1938, në periudhën kur në Fterrë vinin me pushime në fshat pothuaj gjithë nëpunësit, intelektualët e studentët e Fterrës për të kaluar lejen e zakonshme pranë familjeve të tyre.

Mehmeti i veshur bukur, elegant, i hijshëm, hijerëndë, me një kostum shik me jelek, ku ishte vendosur ora e florinjtë me qostek në të, ishte ulur në një tavolinë me arsimtarë e nëpunës nga fshati. Luanin me letra, poker ose xhol. Gjatë lojës fytyrat e tyre ishin serioze. Nganjëherë edhe nxeheshin me njeri tjetrin, por pa ofenduar e sharë. Shikoja mbi tavolinë koburet e tyre, gjë që tregonte më tepër një lloj xhentillëku, që përfaqësonte drejtësinë në lojë, domethënë që secili të luante pa bërë hile dhe me ndershmëri.

Ne të vegjëlit rrinim më këmbë rreth e qark tavolinës dhe shikonim me kureshtje të madhe. Po të mos bëje zhurmë ose të qeshje fort, nuk të qortonin e të linin të bëje sehir, ndryshe të urdhëronin të largoheshe. Mehmeti që, siç thashë, e shihja për herë të parë, më bëri përshtypje të veçantë dhe gjatë gjithë kohës ndiqja lojën e tij. Ky ishte njëkohësisht edhe prezantimi im i parë me të. 

Me shtat mesatar e të rregullt, sy ngjyrë kafe, plot shkëlqim e inteligjentë, fytyrë tërheqëse e mjaft ekspresive, serioz kur trajtonte probleme serioze e i qeshur e simpatik në shoqëri e në ambiente intime, i prerë në mendime e me një logjikë të fortë, trim, i besës dhe njeri i fjalës, organizator e drejtues i zoti në luftë, burrë i zgjuar në jetë, me një humor të jashtëzakonshëm e të papërsëritshëm, me një pafundësi anekdotash, mënçuri popullore e sentenca, të thëna në kohën dhe ambientin duhur e me finesë, lojtar i klasit të parë në shoqëri intime, autoritar në detyrë e në jetë, të impononte respekt, jo vetëm neve që kishim diferencë në moshë, familjes e të afërmeve të tij, te shokët e tij të një moshe dhe të një rangu, por edhe te kushdo që e njihte, i thjeshtë e i dashur me të gjithë dhe me zemër të madhe, me një paraqitje fisnike të një xhentëlmeni. Kështu e njoha unë Mehmet Dushën.

Bashkë kemi pasur diferencë moshe, ai i datëlindjes 1911, ndërsa unë i 1928, por kjo nuk na pengoi të kishim miqësi të madhe e shoqëri të sinqertë, sidomos pas çlirimit të vendit e në veçanti mbas studimeve të larta.

Në vitet 1941-1943 unë isha student në Normale të Elbasanit. Në Fterrë kjo më jepte të drejtën të rrija me intelektualët fterriotë. Më afronte shumë Hiqmet Dusha, Lame Xhama, Ismet Elezi, Safet Memi etj.

Në janar të vitit 1943 Mehmeti braktisi detyrën, si sekretar komune në Terpan të Beratit, sepse për veprimtari antifashiste në këtë qark, kishte dalë urdhëri për arrestimin e tij, dhe erdhi përfundimisht në Fterrë. Në këtë kohë ai ishte një intelektual antifashist, duke e krahasuar me ata që kishin pasur të njëjtën detyrë si Mustafa  Matohiti, Memo Meto, Qazim Kondi etj., të cilët njihnin dhe vlerësonin njeri tjetrin.

Në Fterrë ai gjeti një terren shumë të përshtatshëm antifashist tek fshatarët, të cilët ishin të vendosur për luftë me armë kundër okupatorit. Këtë terren e kishte përgatitur i vëllai i tij, Hiqmeti, i cili ishte mësues në Fterrë. Nën drejtimin e Hiqmetit, që ishte  lidhur me ilegalët Mustafa Matohiti, Memo Meto, Bedri Spahiu, etj, pra, me Këshillin Krahinor të Kurveleshit dhe atë Qarkut, në qershor 1942, në Fterrë ishte zhvilluar Kuvendi i Parë i fterjotëve tek “Kroi i Bedrinit”. Si rezultat i bisedimeve të gjata nga i deleguari i Qarkorit, Bedri Spahiu, Hiqmetit dhe fterjotëve të tjerë, ishte krijuar Këshilli NCL i fshatit  e Çeta Vullnetare e Fterrës.

Mehmeti erdhi në Fterrë me një përvojë të pasur si antifashist e kuadër i përgatitur politikisht e ideologjikisht. Lidhjet e tij të para me komunistë e Lëvizjen Antifashiste i kishte filluar që në Shkodër, më 1940, kur ishte me punë si sekretar komune në Bushat, në shoqërinë me komunistë të Grupit të Shkodrës si Muhamet Gjollesha (ish shok klase me të në Delvinë) e Perlat Rexhepi. Më 1941-1942 kur u transferua në Komunën e Tërpanit në Berat u lidh me Komitetin Qarkor të Beratit, me shokët Kahreman Ylli, Iljaz Sevrani etj, si dhe me Çetën e Skraparit, me Komisarin e saj Ramiz Aranitasi dhe Komandantin Zylyftar Veleshnja, duke u hedhur në veprimtari konkrete antifashiste. Për këtë arsye doli urdhëri i fashistëve për ta arrestuar, për këtë arsye ai braktisi detyrën e erdhi në Fterrë, për të vazhduar aktivitetin e tij antifashist e revolucionar.

Sapo erdhi në Fterrë ai mori kontakt, përveçse me Hiqmetin, që i paraqiti situatën dhe e njohu me gjithçka ishte arritur në fshat, edhe me fshatarët, me të cilët filloi biseda veç e veç dhe në grup, ku u fliste për luftën NCL, për situatën në vend dhe ç’duhej bërë për të luftuar armikun. Mori pjesë në mbledhje të ndryshme që organizonte Hiqmeti me fshatarët dhe merrte pjesë gjallërisht në diskutime. U njoh dhe u aktivizua me çetën vullnetare e Këshillin NCL. Filloi kontaktet me ilegalët dhe komunistët që vinin vazhdimisht në Fterrë si Mustafa Matohiti, Bedri Spahiu, Memo Meto, Qazim Kondi, Jaho Gjoliku, Birçe Sinamati, Avdul Hakiu, Bame Mersini e të tjerë. Mehmeti ishte i njohur që herët me shumicën prej tyre dhe ai shpesh herë shkonte në Kuç e në fshatrat për rreth, ku takohej me ta.

Atëhere në Fterrë, Kuç e Kurvelesh lëvizej lirisht. Pushtetin e kishte marrë në dorë populli. Xhandarët, milicët, prefekti ishin përzënë përfundimisht nga Kurveleshi. Shtëpia e Dushe në atë kohë ishte bërë qendra e fshatit. Atje merreshin dhe jepeshin udhëzime, atje vinin komunikatat dhe që atje shpërndaheshin fshatrave ose dërgoheshin në Borsh e në Çorraj. Atje grumbulloheshin lajmet nga radioja e Eleze, përpunoheshin, shtypeshin dhe dërgoheshin në Kuç ose u jepeshin çetave partizane që vinin në Fterrë. Kështu vazhdoi kjo shtëpi deri sa dolën partizanë dhe Bilali e Lutfiu.

Në Normale të Elbasanit unë kisha marrë pjesë në grupe edukative dhe kur erdha në Fterrë, në maj 1943, këtë ia thashë Hiqmetit. Ai, që të pasnesërmen më mori shoqërues në Kuç, ku më prezantoi me Memo Meton e Birçe Sinamatin, me këtë të fundit unë njihesha që në Tiranë. Hiqmeti më donte shumë, më aktivizonte në shumë detyra, më dërgonte si korrier të besuar në Kuç dhe me detyra të tjera.  Njera nga detyrat e mia, së bashku me Bilalin e Lutfiun, ishte të shtypja dhe lajmet e radios. Këtë punë e bënin vetë edhe Hiqmeti e Mehmeti kur kishin lajme urgjente e të veçanta. Në shtëpi të Dushe ishte një makinë shkrimi, me të cilën shtypeshin të gjitha materialet e që pastaj shpërndaheshin në fshat e në krahinë.

Duke u afruar shumë me Hiqmetin u njoha edhe me Mehmetin. Megjithëse në pamje dukej autoritar, ai ishte ndryshe kur e njihje nga afër. U tregua shumë miqësor me mua që në fillim dhe më fliste me ngrohtësi. Shpesh na fliste për luftën që duhej bërë kundër pushtuesve, për afrimin sa më shumë të të rinjve të fshatit në Lëvizjen e Luftën NCL. Bilalin e Lutfiun unë i kisha shokë, kështu që isha si i shtëpisë në Dushaj. Edhe Nënë Zenepja, Sevdeja e Limja na prisnin me bujari e na gostisnin përherë. Me Dushajt, gjithashtu, ne ishim edhe kushërinj. Nëna ime u thoshte “Dajko” Lazes e Agos.

Në qershor 1943 Hiqmeti vajti partizan me Çetën “Toto Bolena” si komisar i saj. Si tani e kujtoj atë ditë kur ai u largua, sa keqardhje ndjemë ne të rinjtë që kishim dëshirë të shkonim edhe ne partizanë.

Në vend të Hiqmetit, përgjegjës politik në Fterrë u caktua Mehmeti. Në fillim të korrikut 1943 ai, së bashku me Shaban Mitën, Bilal Dushën dhe Eqerem Kofinën, u pranuan në radhët e Partisë Komuniste në celulën e Kurveleshit të Poshtëm me sekretar Memo Meton, me qendër në Kuç. Ndërsa në fund të korrikut u krijua celula e partisë për Fterrën me këta anëtarë. Sekretar i saj u zgjodh Mehmeti e njëkohësisht ai u caktua edhe komisar i çetës vullnetare e kryetar i Këshillit NCL.

Periudha që Mehmeti udhëhoqi celulën e Partisë, Këshillin NCL dhe Çetën Vullnetare të Fterrës ishte një periudhë e ngjeshur plot veprimtari të dendur, ideologjike, organizative e luftarake. Ai vazhdoi rrugën e Hiqmetit duke e zgjeruar aktivitetin jo vetëm në fshat, Kuç e gjithë Krahinën e Kurveleshit, por edhe në Bregdet, Sarandë deri në Rrëzomë, Gjirokastër, Vlorë, Përmet e Tepelenë.

Gjatë kësaj kohe në Fterrë u krijuan aktivi i Rinisë Komuniste, Organizata e Rinisë Antifashiste (BRASH), si dhe organizata e Gruas (BGASH), të cilat në fillim kishin një numër të kufizuar anëtarësh, por shpejt me punën e madhe propagandistike dhe të organizuar të Partisë, nën drejtimin e Mehmetit, ato u shtuan në numër dhe aktiviteti i tyre u rrit. Këto organizata dhanë një ndihmesë të madhe për kryerjen detyrave që u ngarkoheshin. Organizata e Partisë forcoi më tepër punën me grupet edukative, me aktivistet dhe aktivistët më të mirë në fshat, të cilët kryenin një punë të madhe me banorët e fshatit.

Ishte koha kur lufta kundër okupatorit mori përmasa më të gjera. U krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NCL, filluan të organizoheshin formacionet e mëdha partizane për t’u paraprirë betejave të mëdha që priteshin, sidomos me ardhjen e pushtuesit të ri nazist gjerman, i cili ishte më i fortë e më i egër se ai i pari.

Gjatë muajit gusht 1943 në Fterrë filluan të vinin njeri pas tjetrit krerë të Ballit. Ata ndërmorën një fushatë të ethshme propagandistike duke dërguar njeri pas tjetrit disa nga krerët e tyre si Kudret Kokoshi, Skënder Muço, Azis Çami, Hysni Lepenica, Abdulla Rami, Zenel Gjoleka, Idriz Jazo e të tjerë, të cilët bënin presion ideologjik për të tërhequr fshatarët e Fterrës pas vetes, për t’i shkëputur nga Kuçi e për t’i lidhur me Borshin. Në këtë kohë forca të mëdha të ushtrisë italiane kishin ardhur dhe ishin përqëndruar në Kalanë e Borshit. Për ta Fterra kishte rëndësi të kthehej me Ballin për nga vetë pozicioni strategjik si fshat, si “portë e Kurveleshit”, e në të njëjtën kohë si fshat antifashist e intelektual që ishte.

Diskutimet me përfaqësuesit e Ballit në mbledhjet e organizuara me popullin u bënë të hapura. Në këto mbledhje u përballua me sukses presioni i krerëve të Ballit që donin ta shkëpusnin Fterrën nga Fronti NCL e ta kthenin në anën e tyre. Ka mbetur në mend të të gjithë fterjotëve takimi në Kondale me krerët e Ballit, të cilin për palën fterjote e kryesonte Mehmeti. Në saje të punës së madhe të organizatës së Partisë i gjithë fshati mbajti qëndrim të drejtë dhe nuk pranuan thirrjet e përfaqësuesve të Ballit, por u demaskuan manovrat e tyre. Në fund krerët e Ballit ikën me bisht në shalë. Disa shfaqje në persona të veçantë për t’u kthyer me Ballin u evituan me sukses. Përshtypje të veçante bëri fjala e vendosur e Mehmetit në këtë takim kur tha : “Doni të luftoni? Hajdeni të shkojmë bashkë. Italianët kanë ardhur në Borsh e po përgatiten të na sulmojnë. Pa luftuar e pa derdhur gjak liria nuk fitohet”. Ata nuk u përgjigjen.

Në fillim të muajit gusht 1943 Mehmeti mori pjesë në krah të Memo Metos në takimin e madh në Vaun e Dafinës, në Kalasë të Delvinës, të organizuar nga Balli, me në krye kuestorin e Gjirokastrës, Koço Mukën. Në këtë mbledhje përveç shumë krerëve të Ballit, merrnin pjesë përfaqësues të Çetave partizane e të parive të fshatrave të Bregdetit, të Kurveleshit të Poshtëm, Rrëzomës, Delvinës, Sarandës etj. U bë një debat i madh, ku pati diskutime të forta nga të dyja palët. Fjala e fundit e Memo Metos me logjikën, faktet dhe analizën e gjendjes, si dhe gjithë diskutimet e mbajtura, bënë që mbledhja e organizuar nga Balli të dështojë plotësisht. Eksponentët e Ballit me në krye Koço Mukën, ish kuestori i qarkut të Gjirokastrës, nënprefekti i Delvinës e të tjerë në fund u larguan me turp për në Gjirokastër e Delvinë.

Më 30 gusht 1943 në betejën për marrjen e Kalasë së Libohovës u vra Hiqmeti, vëllai i Mehmetit, mësuesi ynë i dashur, organizatori i Lëvizjes NCL në Fterrë, komisari i parë i Çetës së Fterrës, njeriu që e donin të gjithë. Kjo ishte një humbje jashtëzakonisht e madhe për familjen, të afërmit, shokët e luftës, fshatin e krahinën, që i helmoi të gjithë, por për Mehmetin ishte një humbje e pazëvendësueshme, se për të Hiqmeti ishte vëlla, shok, mik dhe bashkëluftëtar. Ai u betua se do të luftonte armikun pa asnjë kompromis, deri në çlirimin e plotë të vendit.

Në shtator 1943 kapitulloi Italia fashiste. Ky ishte një problem madhor, që doli gjatë kësaj periudhe. Me kapitullimin e saj Partia organizoi punën për marrjen e masave për dorëzimin armatimeve, pajisjeve, ushqimeve dhe tërheqjen e tyre në zonat e lira, organizoi gjithashtu punën për imbarkimin e ushtarëve italianë për në Itali e sistemimin i ushtarëve italianë robër që mbetën në Shqipëri, si dhe shpërndarjen e tyre nëpër familjet e fshatarëve etj. Ky ishte një aksion i madh, të cilin e udhëhoqën Bedri Spahiu e Memo Meto. Në këtë aksion të madh mori pjesë edhe Çeta e Fterrës nën drejtimin e Mehmetit. Në Sarandë për të menaxhuar këtë situatë u krijua një shtab, në të cilin bënë pjesë edhe Jaho Gjoliku e Mehmet Dusha. Ato ditë në Sarandë u bë dhe përpjekja e parë me nazistët gjermanë që zbarkuan për herë të parë në tokën shqiptare. Kjo përpjekje kundër gjermanëve u drejtua nga Jaho Gjoliku e Mehmeti. Gjermanët që zbarkuan në tokën tonë, u ndeshën me forcat tona partizane, së fundi ata u rrethuan e u detyruan të dorëzohen. U kapën 16 robërit e parë gjermanë, midis tyre dhe një toger, ndërsa forcat e tjera gjermane u kthyen mbrapsht për në Korfuz

Mbas disa ditësh, gjermanët, pasi u dështoi zbarkimi i tyre nga deti, me forca të shumta, ajrore, të motorizuara dhe të armatosur deri më dhëmbë hynë nga Greqia në Shqipërinë e Jugut nga disa drejtime. Populli ynë ngado i priti me luftë. Edhe një pjesë e Çetës së Fterrës, ku morën pjesë Mustehak Çallo, Kamber Brinja, Razip Gjoni, Muho Zhupa etj., e udhëhequr nga Mehmeti, luftoi në betejën në Qafën e Muzinës. Në atë përpjekje u vra Qazim Pali nga Borshi. Me gjithë rezistencën e fortë forcat tona u detyruan të tërhiqen dhe, së bashku me çeta e reparte të tjera partizane, i bënë një qëndresë tjetër të fortë armikut në Bërdë të Fterrës. Armiku përdori sulmet ajrore e artilerinë e rëndë. Gjithashtu ushtria gjermane përsëriti sulmet, deri sa arritën të çanin në Qafën e Rrëmullës dhe Malin e Gostilit.  Në këtë operacion nga Fterra u vra Hava Dhuli dhe u plagos djali i saj Kajtazi. Po atë ditë në Mal të Fterrës, kufi me me Golëmin u vra komisari i Çetës “Koto Hoxhi” Themo Vasi, ndërsa në Bërdë një djalë nga Golëmi.

Më 7 tetor Mehmeti mori pjesë në mbledhjen e zgjeruar, organizuar në Teqenë e Krahësit, te Baba Fejzua, ku u vendos krijimi i Grupit të Parë, të Dytë, të Tretë, të Katërt e të Pestë të Zonës së Parë Operative.

Me 20 tetor 1943 merr pjesë në mbledhjen e zgjeruar të celulës së Partisë në Kuç, së bashku me Safet Memin. Safeti, i cili që ditën e parë që kishte mbërritur në Fterrë kishte filluar aktivitetin antifashist, duke mbështetur organizatën e Partisë në të gjitha aksionet, duke marrë pjesë aktive në veprime luftarake, mbledhje, debate, diskutime e duke i qëndruar në krah sekretarit të celulës, Mehmetit.

Çetës së Fterrës në këtë situatë i ra barrë e rëndë, për të qëndruar në pozicione në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të Borshit, që gjermanët të mos e zinin në befasi fshatin.

Në dhjetor 1943 Mehmeti e Safeti u thirrën në Aktivin e PK të Qarkut të Gjirokastrës në Sheper të Zagorisë, ku merrnin pjesë drejtuesit e Kurveleshit e të gjithë zonës. Në fund të mbledhjes së Aktivit, Mehmeti u caktua komisar i Batalionit “Dëshnica” të Përmetit, për të riorganizuar këtë batalion, që në këtë kohë ishte shpërndarë. Me ikjen e tij Safeti u caktua përgjegjës politik në Fterrë, duke marrë dhe të gjitha atributet e tjera.

 

Takimi me Mehmetin në Çajup

Duke qenë partizan në Kuç, në Komandën e Vendit dhe të Qarkut, zakonisht bëja edhe punën e korrierit partizan Kuç-Sheper ose Nivan të Zagorisë, ku ishte vendosur Shtabi i Zonës së I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër. Aty nga prilli 1944, duke zbritur Malin e Çajupit, takoj Mehmetin hipur në një kalë të bardhë të bukur. Nuk më besonin sytë. Të dy u gëzuam shumë që u takuam. Sa më pa, zbriti nga kali e u përqafuam. Më pyeti me hollësi për familjen, Fterrën e për fterjotët, se ç’qëndrim mbajnë, si është situata atje, për bashkimin e Fterrës në Frontin NCL, më pyeti për Safetin si është me shëndet e si i shkojnë punët etj. etj.

U ndamë duke u përqafuar. Fjalët e fundit ishin: “Së shpejti në Shqipërinë e lirë”. Ne aktivistët, veçanërisht unë e Safeti e kujtonim shpesh Mehmetin. Pyesnim për shëndetin e aktivitetin e tij. Na thoshin që kishte ecur përpara në përgjegjësi, nga komisar batalioni në komisar e komandant grupi. Më vonë morëm vesh se ishte caktuar zv/komandant i Brigadës 19-të S., se ishte drejtues trim e organizator i zoti. Kishte marrë pjesë si delegat në Kongresin Antifashist të Përmetit, më 24 maj 1944, dhe ky ishte një nder për Fterrën. Në Kongresin e Përmetit ishte i vetmi fterjot delegat e kjo ishte kënaqësi dhe krenari për fshatin tonë.

Gjatë Luftës, Mehmeti pati përgjegjësitë më të larta se çdo fterjot partizan. Mbas çlirimit ai mori gradën më të lartë e detyrën më të lartë se çdo partizan fterjot që ishte bërë oficer. Gradën më të lartë, atë të kolonelit, ai e mbajti deri sa doli në pension në vitin 1966. Të gjitha këto përgjegjesi e vlerësime ishin rezultat i luftës, i punës, i përpjekjeve maksimale, përkushtimit e aftësive të tij drejtuese politiko-ushtarake dhe më vonë si drejtues e specialist në fushën e kriminalistikes, gjendjes civile dhe atë të administratës shtetërore.

 

Pas Çlirimit, viti 1945

Në tremujorin e parë të vitit 1945, unë, duke qënë anëtar i Komitetit të Rinisë për rrethet Kurvelesh e Tepelenë, vajta në një kurs njëmujor në Tiranë. Banoja në një pallat pranë Universitetit dhe Institutit të Arkeologjisë. Pas leksioneve dhe detyrave të tjera dilnim me Safetin e Zenelin. Takoheshim shpesh herë me Mehmetin. Ai në atë kohë punonte në Shtabin e Zonës së Parë Operative me gradën Kapiten. Këmbenim mendime për fitoren e luftës, por edhe për detyrat e mëdha që na shtroheshin për ta rindërtuar Shqipërinë. Në biseda tashmë merrja pjesë edhe unë, se isha rritur në moshë e fizikisht dhe kisha pjekuri më të madhe, vija nga një përvojë e çmueshme e luftës partizane. Pinim dhe ndonjë kafe së bashku, që zakonisht e paguanin Mehmeti ose Safeti.

 

Takimi në Tiranë në vitin 1946

Në vitin 1946 unë u ktheva në Tiranë nga Komiteti Qarkor i Rinisë së Gjirokastrës, ku punoja në axhitprop, për të vazhduar studimet. Vazhdova klasën e tetë në Gjimnazin “Qemal Stafa” dhe maturën e mora në Politeknikumin “17 Nëntori”.

Gjatë atyre viteve me Mehmetin shiheshim shpesh. Pinim ndonjë kafe ose na qiraste me pije ose ëmbëlsira të ndryshme. Ai ishte shumë bujar dhe zakonisht nuk linte njeri të paguante, sidomos ne të rinjve.

Në vitin 1946 Mehmeti u martua me Xhane Maton, që ishte dhe kushërira e Shanës. Tani unë kisha dy baza ku veja, një te Safeti e tjetra në Dushaj. Shkoja shpesh për vizitë, jo vetëm se Xhania na priste me buzë në gaz e na gostiste, por ajo ishte dhe motra e dy shokëve të mi, e njëkohësisht Mehmeti tregohej shumë i afërt e i dashur. Gjithmonë interesohej nëse kisha ndonjë nevojë a problem. Ai kishte autoritet të madh e njihte shumë nga shefat e atëhershëm që kishin zënë poste me përgjegjësi. Nuk i rëndej kurrë të ndihmonte këdo që kërkonte ndihmë, sidomos për fterjotët ishte i pakursyer për t’ju zgjidhur halle e probleme që ata kishin. Ishin kohëra shumë të vështira dhe të kishe një njeri në Tiranë ku të mbështeteshe, të të hapte derën, të të ndihmonte, të të drejtonte ishte gjë jashtëzakonisht e madhe, aq më tepër një njeri si ai që kishte influencë të madhe kudo. Shumë fterjotë i rregulloi nëpër shkolla e kurse, disa prej tyre i veshi në polici, të tjerë i ndihmoi për t’u gjetur punë e sistemuar në Tiranë etj. Shtëpia e Dushe në Tiranë u bë përsëri qendër e fterjotëve. Sa herë që të veje atje, zakonisht unë shkoja të dielave, e gjeje plot me fterjotë e miq nga shumë krahina të vendit. Unë shoqërohesha dhe me Lutfiun si moshatarë që ishim dhe prandaj veja edhe më shpesh.

Takimi në Moskë

Në vitin 1950 shkova për studime në Moskë. Ishte një gëzim jashtëzakonisht i madh për mua. Isha i dyti fterjot, pas Ismetit, që shkoja për studime në shkollë të lartë në Bashkimin Sovjetik.

Kishim të drejtë që gjatë pesë vjetëve të studimit të vinim një herë me leje në Shqipëri. Në atë kohë udhëtohej vetëm me vaporë nga BS për në Shqipëri, por edhe vaporët ishin të rrallë. Në vitin 1952, kur shokët e mi u nisën për në atdhe me pushime, unë nuk i arrita sepse u ndodha me praktikë në vendburimet e naftës në Detin Kaspik. U mërzita shumë, se do të mbetesha vetëm gjatë pushimeve verore.

Por çdo njeri e ka një fat, thonë. Kështu dhe unë. Në Moskë erdhi për studime në Akademinë “Xherxhinski” Mehmeti. Ai kishte adresën time dhe një ditë të diel vjen bashkë me një shokun e tij, Riza Lubonja, në konviktin ku unë banoja. Ndjeva një gëzim të papërshkrueshëm kur e pashë, m’u duk sikur më erdhën gjithë njerëzit e familjes sime, sikur pashë gjithë Shqipërinë. U përqafuam fort. Ishte i pari fterjot që erdhi e më takoi gjatë pesë vjetëve. Fillova pyetjet pa mbarim, për Nënën time, për vëllezërit, për fterjotët, për Bilalin, Lutfiun, biseduam për Xhanen, duke kujtuar të dy vëllezërit e saj, shokët e mi të shtrenjtë që nuk jetonin më. E pyeta edhe për Nënë Fatimenë e Nënë Zenepen. Atë ditë i mbajta të dy për drekë. Zakonisht unë gatuaja vetë në konvikt, mbasi bursa e studentit nuk mjaftonte për të ngrënë jashtë, në restorante a mencë. Mbaja përherë kuti mishi, që vërtet ishin shumë të shijshme, vezë, gjëra të tjera të thata etj. Rraha nja dy vezë, i trazova bashkë me mishin në tigan, pak sallatë me lakër, bleva dhe një shishe të vogël vodke, buka ishte e bardhë, e mirë dhe kështu hëngrëm të tre e u kënaqëm. Dreka na vajti për mrekulli, duke e shoqëruar me lloj-lloj muhabetesh, shakarash, ngjarje të ndryshme etj. Ata të dy tregonin shumë historira e anekdota, por Mehmeti ia kalonte se i kishte më të bukura, më pikante e me to qeshnim më shumë. Ai kishte dhe një aftësi të veçantë kur i tregonte, shumë lezetshëm, duke e shoqëruar anekdotën me të qeshurën e tij shumë të ëmbël.

Sa qëndroi në Moskë erdhi shumë herë tek unë, por shokun nuk e merrte më me vete. “Jemi më pa teklif bashkë” - thoshte. Drekën kryesisht e bëja me mish kutie të konservuar e me vezë, sallatë e nganjëherë hanim dhe “pelmena”, mish me erëza të futur brenda, që ishin dhe ato mjaft të shijshme, gjysëm të gatshme. Sa i fusje në ujë të ngrohtë, për pak minuta ishin gati t’i haje. Mehmeti i pëlqente edhe këto.

Dilnim vazhdimisht në kohën e lirë për shëtitje në parqet e bukura moskovite, në Sheshin e Kuq, vajtëm në “Bolshoi Teater”, Muzeun e Leninit, muzeume e galeri të ndryshme artesh, që në Moskë janë të panumërta, Magazinën e Madhe e plot e plot vende turistike të Moskës, për të cilat ajo është e famshme. Kënaqeshim e nuk lodheshin së biseduari. Siç thashë, ai dinte tregime, histori, anekdota pa mbarim dhe të treguara në një mënyrë, që vetëm ai dinte t’i tregonte, nuk kuptohej sa shpejt fluturonte koha në shoqërinë e tij. Shumë historira e numra të tjerë kam me Mehmetin, po ato janë personale e unë i mbaj në zemër e nuk i tregoj, ato janë intimiteti ynë.

Kur u largua për në atdhe u takuam dhe unë i numërova me emër kujt t’i bënte të fala. Ndërmjet të tjerave e porosita t’i bënte të fala edhe Sherif Dushës. Ai qeshi, më shkeli syrin dhe me aq u mbyll ai muhabet. E kuptoi, dukej se i kishte rënë erë diçka.

Kthimi  në atdhe

Vitin e tretë të Universitetit fillova letërkëmbimin me Dudushin. Në korrik 1955 mbrojta diplomën, mora titullin “Inxhinier për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës e gazit” dhe u ktheva në Shqipëri. U nisa për në Fterrë. Në Kuç takova Nënën e Xhanes, Fatimenë. Ishte në shtëpinë e Sherifit. U përqafova me të. Pata frikë se mos i lëndoja plagët për Turhanin e Fuatin. Ajo e dinte se ç’shoqëri e miqësi kisha pasur me ta. Por jo. Nënë Fatimeja ishte grua e mënçur. Më pyeti me përzemërsi për shëndetin, për familjen, për shkollën që mbarova, ku do të qëndroja me punë etj. Gjithmonë bënte lehtë buzën më gaz. Më pa që unë takova me përzemërsi Dudushin dhe mua më erdhi rëndë, se m’u duk sikur do të prekej. Por jo. Ajo ishte grua e fortë, nuk e dha veten fare.

Gjatë ditëve që qëndrova në Fterrë ndodhej dhe Mehmeti me leje me familjen e tij. Bashkë me Xhanen erdhën për urim tek Nëna ime e Avniu.

Gjatë atyre ditëve fterjotët organizuan një piknik të madh në Ngurrëz. U mblodh pothuaj gjithë fshati. Burrat më vete u kënaqën me raki, birra, duke ngritur dollira, duke kënduar e hedhur valle labçe, me të qeshura, shakara, luajtje me letra etj. Kam një fotografi të bukur të këtij takimi ku morën pjesë, përveç fterjotëve që banonin në fshat edhe të tjerë të ardhur me leje gjatë pushimeve të verës. Midis tyre edhe Mehmeti. Si gjithmonë humorin e udhëhiqte ai. Kështu ishte Mehmet Dusha, i dashur, i thjeshtë, i këndshëm, pa qibër me bashkëfshatarët e tij e këdo, qofshin këta edhe njerëz fare të thjeshtë, bujq a çobanë.

Më 31 korrik 1955 u martova sipas zakoneve të fshatit me dasëm e xhumushe. Menjeherë mbas martesës vajta në Patos, ku fillova punën. Mora shpejt atje Dudushin dhe ajo filloi punë si mësuese. Në një kohë shumë të shkurtër, gjërat kryesore i vura në vijë.

Në Tiranë veja më rrallë, se kisha shumë punë në naftë. Nga inxhinier, më emëruan kryeinxhinier e më pastaj drejtor të Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës në Patos. Isha zgjedhur edhe anëtar i Byrosë së Partisë të rrethit për Naftën.

Kur shkoja në Tiranë patjetër do të takoja Mehmetin. I veja në zyrë ose vizitë në shtëpi. Shtëpinë, një shtëpi e madhe, në atë kohë e kishte te Rruga e Barrikadave, atje ku janë sot 9-të katshet. Kënaqeshim muhabet. Moska na kishte miqësuar shumë. Por tani miqësia jonë u forcua më tepër se unë u bëra edhe dhëndër në Dushaj. Sherifi gjithashtu e donte shumë Mehmetin, por dhe Mehmeti e donte shumë atë. Ata të dy ishin rritur bashkë dhe ishin si vëllezër, kështu e konsideronin veten vëllezër e të pandarë.

Mehmeti vazhdonte të punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me hapjen e Universitetit të Tiranës filloi studimet në Fakultetin Juridik. Ishte në grupin e studentëve të parë që mbaruan këtë fakultet, ku mori Titullin e Juristit. Gjithë jetën, punoi e studioi pa u lodhur për ngritjen e tij kulturore e profesionale. Dëshironte të ecte përherë me kohën, të ishte gjithmonë në nivelet që kërkonin zhvillimet e vendit.

Në të njëjtën kohë ai vazhdonte të ndihmonte fterjotët e këdo tjetër që kishte nevojë. Mehmeti kishte punuar e luftuar pothuaj në të gjithë të vendin dhe kishte miq e shokë të panumërt. Shtëpia e tyre mbeti qendër për të afërmit, fterjotë, miq e për këdo që kishte nevojë, nga Jugu në Veri. Xhania si gjithmonë e gjendur, e qetë, me buzë në gaz e mikpritëse i pristë të gjithë me bujari. Ata nuk linin asnjëherë, cilindo që vinte në shtëpinë e tyre, të largohej pa u ndjerë më mirë e më të qetë. Ata shprehnin mirësi në fytyrën e tyre, mirësi në buzëqeshjen e tyre, mirësi në mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe prandaj njerëzit shkonin atje si në shtëpi të tyre.

Atëhere familja e Mehmetit ishte e madhe, ishte Lutfiu, Bilali, Limja me Dushon, Xhare Zenepja e fëmijët që filluan të lindnin njeri pas tjetrit. Nënë Fatimeja vinte vetëm gjatë periudhës së dimrit, atë e mbaj mend të vendosur përfundimisht pranë tyre në vilën e Tiranës së Re, ku qëndroi deri në fund te jetës së saj.

 

Ardhja ne Tiranë

Në vitin 1960 u sëmura keq. Kisha dhimbje të fortë koke. Puna e madhe dhe e rëndë në Patos, sidomos kur u zbulua vendburimi i Marinzës, më goditi në kokë.

U shtrova urgjent në pavionin Nr. 12 të kuadrove, se me kishte rënë të fikët në mbledhjen e Byrosë së Partisë të Industrisë së Naftës në Qytetin Stalin. Mehmeti erdhi menjëherë në spital. Takoi disa herë edhe mjekët që më kuronin, të cilët i njihte, si Dr. Gjatën, Dr. Hoxhën etj. për të biseduar si do të veprohej. Në spital erdhi edhe Adil Çarçani, i cili ishte ministër i Industrisë e Minierave në atë kohë. Ai u tha mjekëve ose shërojeni ose dërgojeni jashtë shtetit të kurohet. U bënë menjëherë dokumentet për jashtë, për një klinikë neurologjike në BS, por nuk u realizua se ishte viti 1960-1961 kur u prishën marrëdhëniet me BS. Atëhere u vendos të veprohej nga mjekët tanë. Dudushi, Mehmeti dhe gjithë familja ime u shqetësuan shumë dhe prisnin me ankth çdo ditë çfarë do të vendosej. Doktor i pavionit ishte Hamza Memi dhe përkujdesi për mua ishte maksimal. Së fundi më bënë operacion në kokë, që qenë të rrallë në atë kohë, por që fatmirësisht doli me sukses.

Mbas daljes nga spitali Adil Çarçani më mori me punë në ministri si kryetar të degës së naftës. Mehmetin e kishte mik. Ishin njohur në Kongresin e Përmetit e më pas në Durrës kur Mehmeti ishte shef i Policisë së Qarkut.

Me ardhjen në Tiranë më doli problemi i shtëpise. Ishte shumë e vështirë për strehim. Adili më dha një letër për kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Sabri Pilkati, të cilin e njihte edhe Mehmeti. 

Vajtëm të dy me Mehmetin tek kryetari dhe i kërkuam të na ndihmonte. Dakord, tha, por jo para muajit gusht, se nuk kam gjendje. Atëhere ishte janar. Më duhej të prisja deri në gusht. Ishte shumë vonë. U konsultuam me Mehmetin që të takoja përsëri Adilin e t’i raportoja për gjendjen. Ashtu u bë. Adili, si njeri i mirë që ishte, thirri në moment kryetarin e degës të trajtimit të të huajve. E urdhëroi të më jepte një apartament 2+1 në pallatet që ishin ndërtuar për të huajt dhe që ishin në dispozicion të ministrisë. Është ai apartament që kam edhe sot. E falenderova shokun Adil. Shkova menjëherë tek Mehmeti e i dhashë lajmin e mirë. U gëzua shumë. Lajmëruam edhe Safetin e pasdite u takuam përsëri dhe bëmë planin e shpërnguljes nga Fieri në Tiranë. Ashtu u bë.

Fillova jetën e re në Tiranë. Sigurisht ishte shumë më mirë e shumë më lehtë se në Patos. Me Mehmetin takoheshim pothuaj çdo mëngjez dhe pinim kafenë në Klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Atë e respektonin shumë jo vetëm shokët e tij e vartësit, eprorët, por edhe kushdo që e njihte e kishte punë me të. Bënte muhabet shtruar me të gjithë, ishte shok me ta. E donin se ai ishte korrekt, i respektueshëm e mjaft i këndshëm në çdo muhabet që bënte.

Shoqëria jonë filloi të forcohej edhe më shumë. Sa herë që kishim kohë të dy, mblidhnim dhe tifozë të tjerë, e luanim me letra. Më tifozët ishin Safet Gjoni, Bektash Gëdo, nganjëherë vinte dhe Kasëmi nga Shijaku, Misto Bllaci, Memisha Stepa e shokë të tjerë të tij. Kërciste xholi 3-4 orë rresht e nganjëherë edhe më shumë, kjo sidomos të shtunave. Kryesisht mblidheshim në vilën e Mehmetit. Nganjëherë edhe ndër ne të tjerët. Xhania na priste si jo më mirë sa herë që venim. Nuk e pamë një herë të vetme të shprehte ndonjë pakënaqësi. Po kripa e gjellës ishte Mehmeti. Shakatë më të shumta i bënim me Safet Gjonin. Ai dinte t’i pranonte shakatë e nuk i merrte për keq. Ishte i mrekullueshëm, nuk mërzitej asnjëherë sidomos nga Mehmeti dhe unë. Nga të tjerët edhe nuk pranonte shaká. Më serioz në lojë ishte Bektash Gëdo. Më shumë, kuptohet, fitonte “Usta Mehmeti”. Sa herë që merrte lekët, i numëronte e i kalonte disa herë nëpër duar. “Çfarë bën?” – e pyesja. “Më duket sikur shtohen, kur i numëroj” – përgjigjej me të qeshur. Në fakt lekët që vinim në lojë ishin simbolike, rreth 10 lekë, të asaj kohe, një dorë.

Kishte bërë vakì që takoheshim edhe në Turizmin e Sarandës. Organizonim shërbim Mehmeti dhe unë e ftonim edhe Safetin. Ai asnjëherë nuk përtonte. Ishte drejtor në një ndërmarrje nacionale dhe e kishte të lehtë të organizonte shërbim në çdo kohë. Atje kalonim mbrëmjet plot shaka, muhabet e lojë. Nganjëherë e tepronim duke luajtur deri afër mëngjezit, aq sa të nesërmen mezi na hapeshin sytë. Kjo vërtet ishte një kënaqësi e veçantë.

Në Tiranë shkonim shpesh darkave në bare e restorante të ndryshme. Mehmeti propozonte të venim edhe tek Restorant “Donika”. Porosisnim nga një bërxollë me krikëll birre, veç kur shikonim pjatën që na vinte me dy bërxolla mbuluar me sallatë. Këtë e bënte Hano Mitja që punonte atëherë në atë lokal. Nuk kishin të mbaruar kënaqësitë që të jepte shoqëria me të, jo vetëm për mua, por për cilindo që kishte fatin të rrinte e shoqërohej me të.

Punë kishim shumë edhe ai, edhe unë, dhe që të dy ishim të përkushtuar ndaj detyrave tona. Ai përherë kishte drejtuar sektorë të rëndësishën dhe me shumë probleme për kohën në Ministrinë e P. të Brendshme, por ai dinte si t’i dilte mbanë çdo pune e të zgjidhte me lehtësinë më të madhe çdo problem. Gjithmonë më ka habitur nga i buronin ato energji, ajo gatishmëri për të ndihmuar këdo. Ai ishte i palodhur dhe përherë në humor. Ishte gjithmonë i respektuar, bile dhe trajtimin ekonomik në ministri e kishte të veçantë. Kishte kategorinë e zëvendësministrave, gjë që nuk e kishin shumë nga kolegët e tij me gradë të njëjtë.

Përshtypje të madhe më bënte sjellja e tij me dy nënat në shtëpi, Nënën e tij, Zenepen e Nënën e Xhanes, Fatimenë, të dyja nëna të veçanta e të nderuara për fshatin tonë. Kur hynte në shtëpi, para se të uleshim në dhomën ku priste miqtë, ai shkonte së pari në dhomën e tyre, i përshëndeste e i pyeste hollësisht se si e kishin kaluar ditën, si kishin qenë me shëndet ose për ndonjë kërkesë të tyren. Nënë Zenepja, sidomos, i tregonte gjithçka me hollësi dhe pastaj ndonjë bejte a ngjarje të vjetër interesante të fshatit të viteve të kaluara a histori të ndryshme të vjetra. Mehmeti kishte një kujtesë të mrekullueshme dhe i përvetësonte menjëherë. Nënë Fatimeja, nëna e Xhanes, ishte e urtë e mënçur, fliste më pak, por kur fliste e dëgjonin të gjithë me vëmendje.

Të bënte përshtypje familja e tyre, sa të respektueshëm ishin të gjithë me njeri tjetrin. Fëmijët e tij simpatikë, të urtë e të edukuar i mblidheshin menjëherë rrotull Mehmetit kur hynte në shtëpi kush t’i shërbente më parë. Ai me atë humorin e tij dinte t’i ndryshonte situatat edhe më të ndera në gaz. Në shtëpi të tyre nuk dëgjohej zhurmë, megjithëse ishin shumë fëmijë. Kishte harmoni në atë shtëpi, kishte rregull e nëse ka rregull ka dhe qetësi e paqe në familje. Mëngjezi, dreka, darka shtrohej në një orar të caktuar. Xhania ishte grua e shkëlqyer. Kujdesej për fëmijët, kujdesej për nënat, kujdesej për Mehmetin, kujdesej për miqtë e shumtë që vinin në shtëpinë e tyre. Ishte grua e rrallë.

Nuk kam për ta harruar kurrë fejesën e Skënderit, që Mehmeti e bëri në shtëpi të tij. Ajo ceremoni kërkonte shumë angazhim. Ishim më shumë se 50 vetë, krushqit, Dushajt e ne të ftuarit. Megjithatë kaloi jashtëzakonisht mirë. Kjo ka mbetur e fiksuar në ato fotografi familjare aq të bukura e domethënëse. Pritja e shkëlqyer e Mehmetit dhe e Xhanes nuk kanë të treguar. Të tilla ceremoni mund t’i bënin vetëm ata.

 

Qëndrimi në Kinë

Mbasi kaluam disa vite shumë të bukura, në veçanti nga shoqëria e Mehmetit, unë bashkë me Dudushin vajtëm në Kinë me punë në ambasadë. Qëndruam pesë vjet atje, ku unë merresha me sektorin e tregtisë së jashtme. Kujtonim shpesh shoqërinë e ëmbël që kalonim në Tiranë në mes të njerëzve tanë. Më merrte malli për Mondën që e lamë në moshën 14 vjeç dhe e gjetëm 19, aq sa Dudushi nuk e njohu fare kur doli të na priste në aeroport. Unë kisha ardhur edhe herë të tjera me shërbim në Shqipëri dhe e kisha parë, ndërsa Dudushi, që vinte pas pesë vjetësh dhe e gjeti atë një vajzë të rritur, mezi e njohu.

Ishte shtatori i vitit 1972 kur ne  u kthyen në Tiranë. U emërova me punë përsëri, si kryetar dege në Ndërmarrjet e Tregtise së Jashtme në Tiranë. Me Mehmetin filluam takimet si më parë. Përsëritëm avazin e vjetër të takimeve për të pirë kafe, ngrënë ndonjë drekë a darkë, këmbyer vizita ose luajtur me letra në kohën e lirë ose ndonjë aktivitet tjetër familjar a shoqëror.

Ai kishte shoqëri e njohje shumë të gjerë kudo që të shkoje si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Shkodër e gjetkë. Kushdo e priste me kënaqësi takimin me të. Atij i hapeshin dyert ngado. Ishte tepër i veçantë.

Ato vite erdhën në Tiranë edhe Sherifi me Razon dhe qëndruan te Skënderi. Tani në takimet tona bënte pjesë edhe Sherifi i urtë, i sjellshëm e i dashur. Ai e donte shumë Mehmetin, të dy e donin shumë njeri tjetrin. Takoheshim shpesh. Kemi edhe fotografi të bëra së bashku. Sherifi e adhuronte dhe e vlerësonte Mehmetin.

Në vitin 1975 Sherifi u sëmur rëndë dhe u nda shpejt nga jeta. Kjo ishte humbja e parë mbas Çlirimit në Dushaj dhe të gjithë e ndjenë shumë. E përcollën në banesën e fundit shumë vetë, familjarë shokë e miq. Në krye të gjithë familjarëve ishte Mehmeti, që humbi vëllanë e madh, shokun e fëminisë e të gjithë jetës, që mbas shumë e shumë vitesh mundën të bashkoheshin përsëri për të kaluar momentet e fundit të bukura së bashku. E përcollëm “Babagjyshin”, siç i thoshin të gjithë, me lot ne sy. Ai ka mbetur përgjithmonë midis nesh i dashur, shumë i mirë, i respektuar dhe i paharruar.

 

Në Algjeri

Në vitet 1977-1984 vajta me punë përsëri në ambasadë, po kësaj radhe në Algjeri. Ishte vend i mbyllur. Fëmijët të tre i lamë në Shqipëri. Na merrte malli shumë për ta, për të afërmit tanë e për shoqërine tonë. Kujtonim jetën e gëzuar që bënim në vendin tonë dhe e krahasonim me jetën e mbyllur në ambasadë në Algjeri. Unë vija më shpesh në Shqipëri, gati çdo vit, ndërsa Dudushi nuk kishte mundësi. Kur vija patjetër do të takohesha me Mehmetin. Çmalleshim, kujtonim ngjarje, histori e anekdota që ai na kishte treguar, shëtisnim a venim në bar a restorant ose vizita. Ai përsëriste ndonjë baracalete a tregonte ndonje gjë për të qeshur e ne na dukej sikur e dëgjonim për herë të parë.

Në vitin 1982 erdha me shërbim në Tiranë. Mora vesh se Mehmeti ishte sëmurë. I shkova tek shtrati në dhomën e tij. Nuk ishte më ai Mehmeti që kisha lënë unë. Nuk qeshte më si më parë, nuk bënte më shaka. Ishte dobësuar dhe dukej i pafuqishëm. Biseduam bashkë, por jo si dikur. Fillova vetëm t’i jap kurajo e i thoja : “Do të kalojë edhe kjo,  si shumë të tjera që ke kaluar në jetë. Do të shërohesh se s’bën, se njerëzit e fortë e të mirë si ti patjetër shërohen.  A të kujtohet viti 1960 kur u sëmura unë e ti më thoje se do të shërohesha? Unë të besova dhe vërtet u shërova siç më sheh. Edhe ti do të shërohesh pa tjetër.“  Po, mor po, - m’u përgjigj - po ti atëherë ishe i ri dhe e përballove, ndërsa unë jam në moshë tjetër”.  Kur të shërohesh - i thashë - do të lozim përsëri”. Tundi kokën dhe buzëqeshi, me atë buzëqeshjen që unë ia njihja aq mirë.

Kështu e mbajta mend dhe, kur u ktheva sërish në Algjeri, i tregova Dudushit gjithçka. Ajo u mërzit shumë se Mehmetin e kishte të pandarë me Sherifin. Për çdo hall, për çdo nevojë ai ishte ndodhur pranë saj e gjithë vëllezërve e motrave, për t’u zgjidhur çdo problem që mund të kishin në jetë. Xha Mehmeti u kishte dalë për zot të gjithë fëmijëve të Sherifit, që sa ata largoheshin nga shtëpia e venin nëpër shkolla, deri sa sistemoheshin me punë e familje të tyre. Gjithmonë ishte ndodhur pranë tyre në çdo situatë dhe të ishe nën kujdesin e tij ndjeheshe i sigurtë e i mbrojtur.

Pas disa kohësh erdha me shërbim për pak ditë në Tiranë. Mehmeti ishte përmirësuar. E takova para ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme. Kishte dalë shëtitje me Xhanen për krahu.

I dhashë përsëri një farë kurajo vetes se kujtova se e kaloi sëmundjen. Por më vinte keq kur e krahasoja Mehmetin e disa kohëve më parë që ecte si levend, si djalë 20 vjeçar, me humor në çdo kohë e me energji të pashtershme.

Ai kishte dalë në pension që në vitin 1966, por asnjëherë nuk u shkëput nga detyrat shtetërore e shoqërore. Dalja në pension nuk i cënoi aspak autoritetin e tij deri në ditët e fundit të jetës. Merrte pjesë në komisione qeveritare, në forumet e veteranëve, në ndihmë të fshatrave të zonave të prapambetura të Tiranës për elektrifikimin, për zhdukjen e zakoneve prapanike, në mbledhje e veprimtari në qytet, lagje etj. etj. Kudo e shikoje aktiv, njësoj sikur të ishte në punë e jo në pension.

U ndava me të me shpresë që do të shërohej patjetër e se do të mund ta përballonte edhe këtë radhë, duke e ditur organizmin e tij të fortë.

Por në javën e parë të shtatorit 1983 morëm lajmin e kobshëm që Mehmeti nuk jeton më. Isha bashkë më Dudushin dhe ndjemë një dhimbje shumë të madhe, ulëm kokat e na u mbushën sytë me lot, na u duk sikur diçka u shkëput nga shpirti ynë. U ula dhe  shkrova një letër ngushëllimi familjes së tij, Xhanes e fëmijëve, me fjalët që na dolën nga zemra, ku shprehëm dhimbjen tonë të madhe për humbjen e tij.

Kujtuam si në një film jetën e tij të pazakontë, student në Normale të Elbasanit, mbarimin e shkollës së Plotësimit për komunat e administatën civile, detyrat e kryera si sekretar e kryetar komune anembanë Shqipërise, lidhjet me patriotë, komunistët e Parë dhe Lëvizjen ANCl, kujtuam kur në vitin 1943 braktisi detyrën dhe u hodh përfundimisht në luftë të hapur kundër pushtuesit, kujtuam figurën e tij, atë të një intelektuali antifashist, që nuk kurseu as jetën, as pasurinë, asgjë, vetëm për t’i shërbyer atdheut. Kujtuam ardhjen e tij në Fterrë, ku punoi  me vullnet e përkushtim gjatë vitit 1943 e sidomos në 6-mujorin e dytë të atij viti si drejtuesi politik i Fterrës. Kujtuam luftën e madhe në formacionet ushtarake që ai drejtoi me sukses gjatë gjithë luftës, ku përherë ishte në vijë të parë të frontit kundër armikut, duke udhëhequr me zotësi, zgjuarsi dhe trimëri çdo përpjekje a betejë me pushtuesin nazi-fashist deri në çlirimin e plotë të vendit.

Mehmeti ishte i vetmi delegat fterrjot në Kongresin Antifashist të Përmetit, fterrjoti me gradë më të lartë në formacionet partizane dhe nga ata që u graduan pas Çlirimit deri sa doli në pension., drejtues i zoti i policisë të Qarkut të Durrësit dhe Elbasanit, një nga kuadrot kryesorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, drejtor sektori a drejtorie të një rëndësie të veçantë për shtetin si ai i antikrimit, organizimit të pushtetit, gjendjes civile, pasaportizimit etj., anëtar i Komitetit të Veteranëve të Luftës NCL të Shqipërisë dhe Nënkryetar i Veteranëve Luftës të Tiranës deri në ditët e fundit të jetës së tij, iniciator i krijimit e Muzeut të Luftës NCL dhe historikut te Fterrës, etj.etj.

U hidhëruam të gjithë kur u nda nga ne. U hidhërua Xhania që kaloi një jetë gati 40 vjeçare me të, duke e pasur bashkëshort e shok në jetë, duke plotësuar njeri tjetrin për t’u bërë ajo familje që mbeti e dashur dhe e nderuar nga të gjithë, mbeti dera a hapur për cilindo. U hidhëruan fëmijët e tij, për ata baba që i deshi aq shumë e i nderoi në të gjitha drejtimet. U hidhëruan farefisi e shokët e tij të zemrës e kushdo që e kishte njohur dhe e deshi.

Mehmeti nuk është më fizikisht midis nesh, por ai jeton midis nesh si njeriu i papërsëritshëm, i dashur, i zgjuar, i gjindur për të gjithë, bujar e me zemër të madhe.

 

Mars 2006

 

 

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode