Me dashuri ua kushtoj këtë libër

I pa harruari Hiqmet Dusha

KUJTIME

 

I PAHARRUARI HIQMET DUSHA

 

Është kujtuar e shkruar në çdo 5 Maj, në çdo përvjetor e në çdo festë për Mësuesin tonë të fshatit, të paharruarin Hiqmet DUSHA, organizatorin e drejtuesin e Luftës në Fterrë, komisarin e luftëtarin trim të orëve të para kundër pushtuesve fashistë, edukatorin e udhëheqësin e rinisë, komisarin e Çetës e drejtuesin e parë të Këshillit NCL të fshatit. Në je

të të jetëve do të kujtohet me dashuri e respekt, por siç thotë Safet Memi “Sado të mira të thonë e të shkruajnë për Hiqmetin, përsëri fterjotët i mbeten borxhlinj atij Njeriu. Dhe vërtet ashtu është. Borxhlinj i mbetemi të tërë. Është pak, shumë pak të flasësh e të shkruash për Hiqmet Dushën.

E kujtoj si tani, kur isha nxënës në shkollën fillore të Fterrës, dhe Ai, nga gjimnazi i Gjirokastrës kishte kaluar student në Shkollën Normale të Elbasanit, e vinte me pushimet verore në Fterrë. Përfytyroj portretin e tij të dashur për të gjithë ne fëmijët, fytyrën e tij simpatike, ngjyrë gruri, me sytë e zes, të bukur e plot dritë, me atë pamje tërheqëse e mbresëlënëse. Me shtatin e drejtë, veshur me gusto e njëkohësisht me thjeshtësi të bënte për vete sapo e shikoje. Të gjithë e donin, e respektonin dhe e admironin për mënçurinë, urtësinë e mirësjelljen e tij të veçantë. I dashur, i drejtë, i matur, buzagaz e gojëmjaltë me të mëdhenj e të vegjël. Kështu ka mbetur Ai përgjithmonë në memorien time.

E kujtoj si tani, në shëtitjet e mbrëmjeve gjatë periudhës së verës, nga Ngurrëza në Ixuar, shoqëruar zakonisht me Lame Xhamën, Shefki Mitën, Ismet Elezin (akoma student), Hiqmet Shehun, Neim Zanin, Xhevdet Kofinën, Shaban Mitën, Shefqet Brinjën etj. duke biseduar e diskutuar qetë për çështje të ndryshme të kohës, a biseda intime. Kur vinte me leje Mehmeti, Refiku e Safeti, të shumtën e kohës e kalonte me ta, por pa u ndarë edhe me shokët e tjerë.

Ne, nxënësve më të vegjël të mësues Neimit, na afronte, na përshëndeste me përzemërsi, na pyeste për emrin, të kujt ishim, si venim me mësime, prandaj dhe ne e donim shumë. Ai ishe ndryshe nga cilido që ne njihnim, Ai ishte shpirt njeriu.

E mbaj mend në periudhën e verës kur Ai me shokët e tij luanin letra, “poker” ose “xhol”, në fillim në “perivol» të Zane e më vonë në kafenenë e xha Lazes, që u bë qendër në fshat ku mblidheshin burrat për të pirë kafe a ndonja gotë raki, për të biseduar a luajtur. Në lojë ai dallohej për qetësinë, vetëpërmbajtjen e korrektësinë. Kur fitonte gjithmonë buzëqeshte. Na përgëzonte edhe ne fëmijëve që vinim rrotull tavolinës. Ishte më i thjeshti nga të gjithë. Ne të vegjëlit e adhuronim. Bisedonim e shpesh thoshim me njeri tjetrin: “Ah sikur të kishim fat e ta kishim mësues në Fterrë, krahas mësues Neimit”. Një ëndërr e dëshirë e gjithë fëmijëve në Fterrë.

Dhe kjo dëshirë e jona dhe e tij, me ndërhyrjen e Mehmetit, u realizua. Në vjeshtën e vitit 1940 ai filloi punën si mësues në fshatin e tij të lindjes. I kishte vënë qëllim vetes, të mësonte fëmijët e fshatit, të bëhej mësues i popullit. Familja, profesioni dhe qëllimet revolucionare e lidhën më shumë me Fterrën, për t’i shërbyer  fshatit, për t’i shërbyer krahinës. U gëzuam të gjithë kur morëm vesh lajmin e mirëpritur.

U nda nga Elbasani si patriot, si revolucionar e si student shembullor. Elbasani e njohu si veprimtar e organizator të demonstratave antifashiste në shkollë e në qytet. U nda me normalistët, me pedagogët e studentët, me idealin se do të takoheshin në një Shqipëri të lirë e demokratike. I ngarkuar me këtë ideal u kthye në vendlindje, në Fterrën tij të dashur, por tashmë si mësues, si edukator e si drejtues.

Filloi punën me pasion e përkushtim. Me të ardhur në shkollë hoqi nderimin fashist. Në ekskursionin që organizoi deri në Bërdë, u tha nxënësve të grisnin flamurin italian dhe porositi të mbanin vetëm flamurin shqiptar.

Fjala që mbajti me rastin e 28-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë para nxënësve dhe prindërve entuziazmoi tërë pjesëmarrësit. Ajo preku zemrat e të gjithëve dhe do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e popullit të Fterrës.

Unë u rrita shpejt, para kohe. Shtatin e kisha të lartë e dukesha më i madh se sa isha në të vërtetë. Fillova studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, duke ndjekur gjurmët e gjithë mësuesve të Fterrës. Shumë shpejt, kur vija me pushime në fshat, më pranuan edhe mua në rrethin tyre, megjithëse isha më i riu, por tashmë isha normalist, më jepej disi e drejta të mund të rrija në shoqërinë e tyre. Kujtim i paharruar e i mrekullueshëm janë për mua ato fotografi të bëra tek burimi, në Ixuar, së bashku me Hiqmetin, Ismetin, Lamen e Safetin, të cilat unë i disponoj dhe i ruaj si kujtimin më të shtrenjtë në albumin tim.

Hiqmeti ishte intelektual i vërtetë, mjaft i përgatitur. Shkolla Normale i kishte dhënë dije, kulturë dhe pjesëmarrja në Lëvizjen Antifashiste në shkollë e kishte përgatitur për t’u bërë drejtues dhe organizator në Luftën e shenjtë kundër okupatorit fashist. Lidhjet me komunistët ilegalë të Elbasanit nuk i ndërpreu dhe, me ardhjen në fshat, krijoi lidhje më të gjera me drejtuesit politikë të krahinës e qarkut dhe deri në Vlorë, Bregdet, Sarandë e më gjerë.

Në verë të vitit 1940 kishte qëndruar disa muaj në Bushat të Shkodrës tek Mehmeti. Në kujtimet që ka lënë, Mehmeti shkruan: “Hiqmeti shkonte shpesh herë në Shkodër ku takohej me komunistë të Grupit të Shkodrës”.

Kur u kthye Turhan Mato nga Fterra në Elbasan, pas rënies dëshmor të të vëllait, Fuatit, më tha: “Fterra ka një fat të madh që në krye të luftës për liri ka si udhëheqës e organizator Hiqmet Dushën. Ai është i veçantë. Aktivitetin revolucionar e ka filluar shpejt, kur ishte student në Normale, ku ishte një nga organizatorët kryesorë të aktiviteteve të normalistëve. Ai ishte gjithmonë në krye të demonstratave që bënin studentët bashkë me popullin e Elbasanit. Edhe nga shkolla e kishin përjashtuar, por më ndërhyrje e kthyen përsëri në shkollë”

Sapo erdhi në Fterrë organizoi shumë takime me intelektualë, me të rinj e me burra të fshatit. Shfrytëzonte çdo rast gëzimesh a hidhërimesh për të shpalosur domosdoshmërinë e luftës kundër pushtuesit fashist. Dhe këtë luftë e kërkonte të ishte jo sporadike, por e organizuar dhe e drejtuar me zgjuarsi.

Në takime, biseda a kuvende të gjithë e dëgjonin me shumë vëmendje fjalën e tij. Idealin për një Shqipëri të lirë e demokratike e futi në shpirtin e çdo fterjoti. Dhe, në qoftë se Fterra u lidh pothuajse e tëra me luftën kundër pushtuesit fashist, meritën e parë e kishte Hiqmeti, që udhëhoqi dhe e bëri Fterrën një të tërë. Ai diti të lidhë Fterrën me Lëvizjen Antifashiste, me Kurveleshin e Labërinë, me Bregdetin, Gjirokastrën e Vlorën. Në shtëpinë e tij filluan të vinin ilegalët e parë komunistë si Mustafa Matohiti, Bedri Spahiu, Memo Meto, Birçe Sinamati e të tjerë. Disa herë kishte vajtur edhe në Tiranë për të takuar ilegalët.

Në Fterrë Hiqmeti ishte mësues e komisar. Kontaktet e para në fshat i bëri me intelektualë, nëpunës e arsimtarë të fshatit, që ishin në fshat dhe ata që vinin me leje e për pushimet verore pranë familjeve të tyre. Ai u ndal tek njerëzit që kishin më shumë influencë në fshat, se e dinte që nëpërmjet tyre do të përcillte idetë e luftës kundër pushtuesit në familjet e far e fisin e tyre, nëpërmjet tyre do të ushqenin tek njerëzit urrejtjen kundër okupatorit, për t’i bërë ata të ndërgjegjshëm që të kuptonin rëndësinë e luftës së armatosur kundër pushtuesit.

Më 22 qershor 1941 Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik. Hiqmeti ishte mësues në shkollën e Fterrës. Sapo mori vesh lajmin organizoi takim në shtëpinë e tij me disa burra e të rinj të fshatit si Shaban  Mita, Iljaz Kofina, Resul Mita, Bilal Dusha, Shyqyri Sadikaj, Kamber Brinja, Shefqet Brinja etj. për të folur mbi situatën e krijuar, për të sqaruar e propaganduar rrezikun e madh që i kanosej botës me revanshin nazist. Në këtë kohë në Kuç ishte akoma pushteti fashist.

Në fillim të dhjetorit 1941 erdhi lajmi për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Qarkori i Vlorës, nëpërmjet Nimet Mitës, dërgoi me Mehmet Kofinën Thirrjen e parë të Partisë Komuniste në Fterrë, që bënte thirrrje për bashkimin e popullit në luftë të armatosur kundër fashistëve. Ndërkohë këto materiale i dërgoi edhe Sherì Baboçi nga Komiteti i Partisë të Gjirokastrës.

Hiqmeti ngarkoi shokët e tij më të afërt dhe bëri takim me disa burra të fshatit në shkollën e Fterrës. Ai dha sihariqin e formimit të PKSH, duke e lidhur me detyrat konkrete që shtroheshin në këtë situatë. Në Gusmar e Kuç ishte akoma pushteti fashist.

Natën e Vitit të Ri 1942 në Kuç, në postkomandën e xhandarmërisë, në komunë, dyqane e vende të tjera publike u ngjit trakti i parë i PKSH nga antifashistë kuçjotë. Ky trakt erdhi edhe në Fterrë. Leximi i tij nga Hiqmeti para një grupi simpatizantësh pati jehonë në popullin e Fterrës dhe komentohej në biseda, dasma e ndodhira në fshat.

Në fillim të shkurtit 1942 erdhi për herë të parë në Fterrë Mustafa Matohiti. Ai mori kontakt dhe qëndroi te Hiqmet Dusha. Nga Mustafai u shtruan detyra të rëndësishme për punën, jo vetëm për Fterrën, po për gjithë Kurveleshin siç ishin: shtimi i radhëve të simpatizantëve, krijimi i këshillit NCL në ilegalitet (se në Kuç ishte pushteti fashist), demaskimi i parullave të armikut, paralizimi i veprimtarisë së kryepleqve që ishin në shërbim të regjimit në fuqi, bashkimi dhe solidariteti i popullit me PKSH në luftë kundër pushtuesit etj.

Këto detyra Hiqmeti i zbatoi me zotësi, mençuri dhe pjekuri. Ai organizoi takime me simpatizantë që urrenin pushtuesit fashistë, me të rinj e bashkëfshatarë, të cilëve u tregoi etapat e organizimit dhe nevojën e organizimit të luftës kundër tyre.

Më 20 maj 1942 në Kuç u krijua celula e parë e Partisë në Kurvelesh. Në Fterrë erdhën dhe morën kontakt me Hiqmet Dushën udhëheqësit e Partisë të Qarkorit e të Krahinës si Bedri Spahiu, Memo Meto, Birçe Sinamati etj. Puna propagandistike mori një hov  më të madh në Fterrë e në fshatrat e Kurveleshit.

Në fillim të qershorit 1942 me iniciativën e Hiqmetit, i ndihmuar nga Shaban Mita, u bë mbledhja e kufizuar e një grupi bashkëfshatarësh. Pjesëmarrësit u angazhuan se do të propagandonin luftën kundër pushtuesit.

Më 27 qershor 1942 organizohet në ilegalitet nga Hiqmet Dusha dhe shokët e tij, Kuvendi i Madh i fterjotëve te Kroi i Bedrinit. Atje mbas dhjetë orë diskutimesh u krijua Këshilli NCL dhe Çeta Vullnetare e fshatit. Në bazë të kërkesës që bëri Bedri Spahiu, Hiqmeti organizoi të nesërmen, mëngjezin e 28 qershorit, një takim të shkurtër në Ngurrëz. Në këtë takim morën pjesë Iljaz Kofina, Shaban Mita, Muhedin Hadëri dhe Mehmet Çallo. Bedriu u dha këshillat e fundit të zgjedhurve në këshill e në çetë.

Në qershor 1942 u asgjësua nga ilegalët nënprefekti i Kurveleshit Novruz Thaçi. Kjo bëri jehonë në Fterrë e në fshatrat e tjera. Këto ishin dhe aksionet e para kundër pushtuesit.

Gjatë periudhës së verës 1942 Hiqmeti punoi sistematikisht për forcimin e unitetit të popullit rreth Partisë, për shtimin e radhëve të simpatizantëve, demaskimin e parullave të pushtuesit dhe atyre që bashkëpunonin me ta, mosshkuarjen e fshatarëve ushtarë ose xhandarë, heqjen dorë nga hasmëritë dhe gjakmarrja, propagandimin e programit dhe Thirrjes së PKSH etj. Ai koordinonte punën e çetës territoriale me celulën e Partisë në Kurvelesh.

Më 15 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, ku u morën vendime historike të rëndësishme për bashkimin e popullit në një front të vetëm NCl, pa dallim feje, krahine e ideje në luftë kundër pushtuesve fashistë. Dhe, në fillim të tetorit 1942 erdhën edhe në Fterrë vendimet e kësaj konference. Njohja me to e masës së fshatit, nën kujdesin direkt të Hiqmetit, i dha shtytje të mëtejshme punës. U riorganizua Këshilli NCL, duke zgjedhur këshilltarë të rinj dhe u shtuan radhët në çeten vullnetare.

Më 11 nëntor 1942 Çeta e Kurveleshit bashkë me çetën vullnetare të Kuçit sulmuan postkomandën e Kuçit. Në këtë aksion u vra postkomandanti italian, u çarmatosën 70 xhandarë e milicë dhe u liruan të arrestuarit. Kurveleshi i Poshtëm mbeti zonë e lirë.

Hiqmet Dusha me të marrë vesh lajmin e gëzuar mblodhi grupin edukativ dhe një pjesë të burrave të Fterrës, duke përfshirë edhe të zgjedhurit, dhe u dha sihariqin: “Që sot Kurveleshi i Poshtëm është zonë e lirë. Tani, neve na dalin detyra të reja, na takon të luajmë rolin e avanpostit të zonës së lirë në anën jugore të Kurveleshit, prandaj duhet të jemi në gatishmëri të plotë në çdo kohë. Detyra të veçanta i ngarkohen në këtë situatë të re Këshillit NCL  e  Çetës sonë  Vullnetare”.

Më 27 nëntor 1942, në prag të 30-vjetorit të Pavarësisë, rreth 250 partizanë e fshatarë, në mbrëmje të asaj dite, sulmuan nënprefekturën në Gusmar. Sulmi përfundoi me sukses, u dorëzuan 100 xhandarë e milicë. Në këtë aksion morën pjesë nga Çeta e Fterrës Hiqmet Dusha e Iljaz Kofina. Në fund të aksionit mbajti një fjalim të rëndësishëm Mustafa Matohiti.

Hiqmeti me t’u kthyer në Fterrë mblodhi shumë bashkëfshatarë dhe u njoftoi çlirimin e plotë të Kurveleshit, duke përfshirë edhe Fterrën, që mbeti e lirë dhe filloi të administrohej legalisht nga Këshilli NCL.

Në dhjetor 1942 u krijua çeta e dytë partizane e Kurveleshit me emrin “Hajredin Tremishti”. Nga Fterra në këtë çetë shkoi vullnetar Shefqet Brinja, njeri nga aktivistët e parë në Fterrë. Në periudha të ndryshme në këtë çetë kanë marrë pjesë edhe fterjotë të tjerë si Shaban Mita, Resul Mita, Pasho Zhupa etj. Hiqmeti u gëzua shumë që u krijua çeta e dytë e Kurveleshit. Njoftoi fshatarët dhe përgëzoi me atë rast pjesëmarrjen definitive në këtë çetë të Shefqet Brinjës.

Të pasnesërmen e çlirimit të Gusmarit, më 29 Nëntor 1942, forcat fashiste kryen një operacion spastrimi në Kurvelesh. Ato i udhëhiqte prefekti Tahir Kolgjni. Hiqmeti me të marrë vesh lajmin e operacionit organizoi pritjen me armë të fashistëve nga çeta e Fterrës. Ky operacion i fashistve dështoi.

Në fillim të dhjetorit 1942 Hiqmeti udhëzoi një pjesë të Çetës së Fterrës të shkojë në ndihmë të çetave të tjera në Kurveleshin e Sipërm, pjesa tjetër qëndroi në Fterrë në mbrojtje të fshatit.

Më 23 janar 1943 u formua në Kuç Këshilli Krahinor i fshatrave. Me ardhjen e Mehmetit në Fterrë, në fund të janarit 1943, ai i zgjodh anëtar i këtij këshilli. Në kohë të ndryshme në këtë këshill kanë bërë pjesë edhe Safet Memi, Qemal Mehmeti e Halil Mato.

Më 27 janar 1943 Çeta “Hajredin Tremishti” dhe Çeta vullnetare e Fterrës, nën drejtimin e përgjegjësit politik Hiqmet Dusha, sulmoi postbllokun fashist të Borshit. Një ditë më parë, më 26 janar, Hiqmeti kishte dërguar në Borsh Shyqyri Sadikajn për të studiuar terrenin e për të grumbulluar sa më shumë të dhëna për forcat fashiste e gjendjen atje.

Sulmi zgjati deri në orën 3.30 të datës 27 janar. Në këtë betejë u vra Fuat Mato, partizani më i ri në dy çetat, dëshmori i parë i rinisë së Kurveleshit. Vrasja e tij hidhëroi tej mase Hiqmetin, sepse ai e donte shumë Fuatin. Më 29 janar 1943, në ceremoninë e varrimit të Fuatit, në fjalën e tij, që ishte shumë emocionuese, Hiqmeti ndërmjet të tjerave, tha: “Ne do të luftojmë e do t’ia  marrim hakun Fuatit dhjetëfish. Fterra do të qëndrojë përherë me Partinë dhe Luftën Antifashiste NCL. I bëj thirrje rinisë së Fterrës të tregohet e gatshme për të marrë pjesë në aksione të tjera kundër armikut që na ka pushtuar vendin”.

Në fund të janarit 1943 erdhi në fshat edhe Mehmeti. Ardhja e tij ishte një mbështetje e madhe për Hiqmetin. Mehmeti vinte në Fterrë me një përvojë dhe aktivitet të gjerë antifashist nga Berati. Me ardhjen e tij u zgjeruan edhe më tepër lidhjet dhe bashkëpunimi me shokët e Komitetit Krahinor e ata të Qarkorit të Partisë si Bedri Spahiu, Mustafa Matohiti, Memo Meto, Birçe Sinamati, Qazim Kondi, Jaho Gjoliku, Avdyl Hakiu etj., të cilët Mehmeti i njihte qysh më përpara.

Në mars 1943 u dërgua në Fterrë eksponenti i Ballit Kombëtar Ismail Golemi. Ai para popullit bëri shumë demagogji për të larguar atë nga Lufta NCL. Në këtë mbledhje morën pjesë Hiqmet Dusha, Mehmet Dusha dhe Birçe Sinamati, që u ndodh në Fterrë. Në këtë mbledhje të gjerë e mori fjalën Ismail Golemi, i cili foli mbi situatën duke mburrur ushtritë fashiste dhe predikuar se ato ishin shumë të forta dhe se nuk duhej luftuar kundër pushtuesit, nuk duhej vajtur më kot pas komunistëve, pse do të merrej më qafë populli si me vrasje, djegje, persekutime etj. Këtu u bënë shumë debate, ku folën Hiqmeti, Birçja dhe Mehmeti, duke demaskuar thëniet e tij në mënyrë të vendosur. I gjithë fshati përkrahu vijën e Partisë e të Frontit Nacionalçlirimtar.

            Ismaili iku nga kishte ardhur. Fterra nën drejtimin e Hiqmetit vazhdoi  rrugën që kishte nisur e nuk u influencua nga propaganda balliste.

Në prill 1943 fashistët kryen një operacion spastrimi në Kurvelesh. Më 15 prill ushtria fashiste hyri në Fterrë. Populli, sipas porosive të Hiqmet Dushës, u largua me shpejtësi në pyje e shpella për t’u shpëtuar raprezaljeve. Fashistët dogjën shumë shtëpi dhe morën me vete edhe dhjetë fshatarë.

Më 19 maj 1943 prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, kërkoi takim me burrat e fshatit për të shfaqur “keqardhjen” dhe gjoja për t’u ofruar ndihma për djegjet dhe shkatërrrimet që ishin bërë. Takimi u bë në shtëpi të Zane. Në këtë takim bashkë me Hiqmetitn shkoi edhe Mustafa Matohiti, që u prezantua si mësues në Çorraj. Debati ishte shumë i fortë. Pallavrave të prefektit u dhanë përgjigje Mustafai e Hiqmeti. Ata iu thanë: “Komunistët, që pretendoni se janë të shitur, hanë bukë në çanakun e popullit të tyre, kurse ju hani në çanakun e fashizmit, prandaj nuk ju dëgjon kush…”. Kjo përgjigje elektrizoi gjendjen dhe shumë burra në takim i thanë prefektit që operacioni ishte kryer me miratimin e tij, prandaj i refuzojmë ndihmat e fashizmit.

Nën drejtimin e Hiqmet Dushës, Çeta e Fterrës, që ishte përfshirë në Batalionin “Ismail Haki” të Kurveleshit të Poshtëm, shkoi bashkë me partizanët në shumë fshatra të Kurveleshit, Kardhiqit e Rrëzomës për aktivitete politike. Situata kërkonte shtimin e çetave partizane dhe bashkimin e disa çetave në batalione.

Më 23 qershor 1943 inaugurohet në Fterrë Çeta partizane “Toto Bolena”, çeta e tretë në Kurvelesh, me vullnetarë nga fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm. Hiqmeti u caktua komisar i kësaj çete, ndërsa Iljaz Kofina (komandant). Dolën vullnetarë Malo Malaj, Resul Mita, Mustehak Çallo dhe Ahmet Haxhiu, të cilët u inkuadruan si luftëtarë po në këtë çetë. Fakti që në udhëheqjen e çetës u caktuan dy fterjotë, tregon vlerësimin që Partia kishte për Fterrën dhe Hiqmet Dushën. Rreshtimi i parë u bë në Kondale të Fterrës.

Vjersha që ai shkroi dhe ua lexoi nxënësve, para se të largohej u bë shumë popullore. Ajo recitohej në shkollë e këndohej në fshat. Vargjet e saj të lamturmirës mbeten prekëse e emocionuese edhe sot:

Lamtumirë shtëpi e dashur,

Far e fis!

Do marr armëtë në dorë,

Rrugë të re do nis.

Lamtumirë Nënë e Babë,

Se do shkoj

Në male e kemi vendin,

Do luftojmë

Na u bë u bë zgjedha e rëndë

S’durojmë dot

Të shohim të zezën Nënë

në vaj e lotë...

Më 7 gusht 1943 kjo çetë u inkuadrua në Batalionin “Asim Zeneli”, i pari batalion partizan në Qarkun e Gjirokastrës.

Si punonte, drejtonte e komunikonte me njerëzit Hiqmeti

Hiqmeti dallohej në organizimin e drejtimin e punëve. Ishte shumë i organizuar, dinamik, i prerë në vendime, i qartë e i saktë në shpjegimin e caktimin detyrave. Dinte si t’i vinte njerëzit në lëvizje e si të komunikonte me cilindo. Ai të bënte ta kuptoje detyrën e pastaj ta kryeje atë me saktësi e ndërgjegje. Ishte e vetmja mënyrë që mund të punoje me të. Në çast merrte vendimin e duhur dhe nuk lejonte vonesë në kryerjen detyrave. Nuk kishte arrogancë në sjelljen e tij, nuk kishte mëndjemadhësi, nuk dinte të nënvleftësonte a fyente. Dallohej për taktin e mrekullueshëm ndaj kujtdo. Kur ndante detyrat secilit i jepte sipas aftësive e mundësive. Asgjë nuk i shpëtonte syrit e mendjes së tij. Për atë çdo detaj a hollësi kishte rëndësi. Hiqmeti kishte një grup burrash e të rinjsh që e ndihmonin në punët e përditshme, të cilët u bënë mbështetja e tij në kryerjen e të gjitha detyrave

Shtëpia e Dushe ishte bërë qendra kryesore e Partisë nga ku drejtohej lufta. Kjo shtëpi ishte e hapur natë e ditë për të pritur e përcjellë ilegalë, miq e shokë, partizanë e kuadro të Partisë, Këshillit Krahinor e të Qarkut etj. E gjithë shtëpia e tyre ishte vënë në shërbim të Hiqmetit. Vëllezërit e tij më të vegjël, Bilali e Lutfiu, ishin në gatishmëri të plotë natë e ditë për të kryer çdo detyrë që ai u ngarkonte. Siç thashë, ardhja e Mehmetit në fshat në fund të janarit 1943, i dha krahë Hiqmetit. Ai u bë mbështetja e tij kryesore në zbatimin e detyrave të Partisë e të Këshillit NCL dhe i dha një hov më të madh punës në fshat. Po ashtu, Nënë Zenepja trime, e zonja e me karakter të fortë, së bashku me nuset, Limen e Sevdenë, ishin vazhdimisht në dispozicion dhe shërbenin si një prapavijë e fortë për të ndihmuar e lehtësuar kryerjen e detyrave të mëdha që Hiqmeti kishte marrë përsipër.

Kujtoj tani si Hiqmeti e fillonte një ditë pune, si e organizonte e si e drejtonte atë. Ja disa nga porositë e një dite, në muajt e fundit, para largimit të tij nga Fterra:

-          Unë, nesër të dielën, do të shkoj në Tatzat dhe Kalasë për t’u takuar me shokët e atjeshëm. Do të kthehem të martën. Janë shumë detyra që do të kryhen këto ditë.

-          Ti Eqerem do të shkosh në Borsh. Do të takohesh me Kabo Kabin. Nuk po të jap letër dhe as ti mos merr letra nga Borshi se është zonë delikate. Do të komunikosh vetëm me gojë. Do marrësh përgjigje për këto pyetje: Si është gjendja në Borsh? Ç’kemi ndonjë gjë të re nga Bregdeti? Ç’flitet për forcat armike? A pritet ndonjë operacion?

Kur të kthehem eja të më takosh e të më raportosh.

-          Ti Dilaver e Lutfi, do të lajmëroni Tasin Elezin, Lame Xhamën, Xhevdet Kofinën, Neim Zanin, Shefki e Shaban Mitën, Qemal Mehmetin se ditën e enjte më ora 4 pasdite do të takohemi tek arra e Xhame.

(Atyre u foli për gjendjen politike dhe u kërkoi të ndihmonin në propagandimin e Luftës  NCL)

-          Ti Shaban, do të lajmërosh shokët që bëjnë pjesë në grupin edukativ se ditën e shtunë do të takohemi në Ngurrëz te burimi. Gjithashtu Ti Shaban, do shkosh në Kuç të takohesh me Veiz Levendin lidhur me masat për rininë. Je caktuar provizorisht edhe anëtar i Komitetit të Rinisë për Kurveleshin e Poshtëm.

-          Ti Bilal, tako Iljaz Kofinën dhe Shyqyri Sadikajn të vijnë e të takohen me mua sa të kthehem, se kemi të dhëna që armiqtë po përgatiten për një operacion kundër Kurveleshit të Poshtëm. Të marrin masat e nevojshme.

-          Ti Dilaver, thuaji Çallos se kemi për të shtruar disa probleme me Këshillin NCL. Të më takojë Çallua për të fiksuar datën dhe orën.

-          Ti Malo, lajmëro Mustehak Çallon, Resul Mitën, Ahmet Haxhinë dhe bashkë me ta, përgatituni mirë se pas dhjetë ditësh do të formohet Çeta “Toto Bolena”, ashtu siç është rënë dakord. Me Iljazin do të takohem vetë. Ai do të jetë komandant i çetës.

-          Ti Dilaver e Lutfi,  si zakonisht, çdo tre ditë do të merrni lajmet e radios në Elezaj. Do t’i shtypni në makinë në dy kopje dhe do t’i çoni në Kuç, njerën kopje do ta mbani për mua.

-          Ti Bilal, do të shkosh tani në Kuç të shpiesh këto informacione, që u shtypën sot. Merre dhe këtë letër e do t’ia japësh në dorë Memo Metos ose në mungesë të tij Birçe Sinamatit.

-          Ti Shaban, do të përgatisësh projektin për mbledhjen që do të organizohet për formimin e aktivit të Rinisë Komuniste dhe organizatës antifashiste të rinisë dhe të gruas, ashtu siç kemi biseduar më përpara për  këtë problem.

Të bënte përshtypje rregulli në mbajtjen e dokumentacionit, shënimet që mbante për çdo porosi a detyre që jepte, sa shpejt i merrte vendimet, sa operativ që ishte. Ishte vërtet i admirueshëm.

Organizonte mbledhje të papritura kur kishte për të thënë ndonjë lajm ose për të komunikuar diçka. Për shembull, për inaugurimin e Çetës “Toto Bolena” në Kondale, mblodhi aktivistët e të tjerë dhe u ndau detyra gjithësecilit për pritjen e partizanëve nga fshatrat e tjera, për rreshtimin e kësaj çete që do të bëhej në Fterrë, për ushqimin, për përcjelljen etj. etj.

Në një mbledhje të popullit, para largimit nga Fterra tha :

“Kemi informata që armiku po përgatit një operacion të madh kundër Kurveleshit. Të njoftohen anëtarët e çetës vullnetare të jenë në gatishmëri, Këshilli NCL të marrë masa për strehimin e popullit në pyje e shpella. Të mbajmë lidhje me njeri tjetrin. Shyqyriu të dalë në Bërdë për të shikuar...”.

Kur u vra Asim Zeneli, të cilin e kishte pasur shok, na mblodhi e na tha, (këtë lajm e dha kur erdhi me leje nga Çeta “Toto Bolena”):

“ Shokë, sot po ju jap një lajm shumë të hidhur. U vra në Mezhgoran komisari trim Asim Zeneli, komisari i Çetës së Parë të Kurveleshit…”.

 Dhe mbajti një fjalim të shkurtër, por emocionues, për të na treguar kush ishte Asimi, si punoi e luftoi dhe si duhet të ndjekim shembullin e tij heroik.

Kujtoj atë ditë të qershorit 1943, kur Hiqmeti u largua me Çetën “Toto Bolena” si komisar i saj, sa keqardhje ndjeva unë që kisha dëshirë të shkoja partizan. Nuk i harroj kurrë fjalët e tij, si një premtim, kur u ndamë: “Rritu dhe pak e më vonë do të të marr me vete!”

 

Ardhja ime në Fterrë nga Shkolla Normale

Lajmet fundit mbi zhvillimet në Fterrë unë i mora nga Turhan Mato, në shkurt 1943, kur ai u kthye në Elbasan, pas vizitës që bëri në Fterrë për vrasjen të vëllait të tij, Fuatit. Ai më tregoi me hollësi për situatën në Fterrë dhe punën e madhe që bënte Hiqmeti në fshat e në krahinë.

Më 1 maj 1943, njëqind studentë të Normales, braktisën mësimet, midis tyre edhe Turhani, dhe dolën partizanë, ndërsa ne studentët e tjerë u larguam nëpër shtëpitë tona. Mbërrita në Fterrë ditët e para të majit. Vizitën e parë e bëra tek Nënë Fatimeja dhe pasi e ngushëllova për vdekjen trimërore të Fuatit, shokut tim, i dorëzova valixhen e Turhanit dhe i transmetova porositë e tij.

Po atë ditë takova Hiqmetin në shtëpinë e tij, në Dushaj. U gëzua kur më pa. Më bëri shumë pyetje për gjendjen e përgjithshme në Elbasan, për studentët, për daljen e normalistëve në mal, për Lëvizjen NCL në Qarkun e Elbasanit dhe në veçanti në shkollë etj. etj. Pastaj ai vetë më sqaroi për situatën në Fterrë e në krahinë. Ishte shumë entuziast dhe i kënaqur nga qëndrimi i fterjotëve.

Më përcolli deri në Qafë të Mehmete dhe, kur po ndaheshim, më kërkoi ta shoqëroja në mëngjezin e ditës tjetër në Kuç. Pranova menjëherë me kënaqësi të madhe. Më caktoi orën e nisjes dhe u ndamë. Unë zbrita i gëzuar poshtë për në shtëpinë time, ndërsa ai shkoi nga Ixori për të takuar shokët.

Mezi prisja të vinte mëngjezi. Të nesërmen që pagdhirë u takuam dhe, pasi u përshëndetëm, u nisëm për në Kuç. Rrugës rrija i heshtur. Ai e pa që kisha ndrojtje dhe e filloi vetë bisedën, një bisedë të ngrohtë, miqësore e me thjeshtësi. Bashkë kishim diferencë moshe e, aktualisht, ai ishte mësues, drejtues i Partisë në Fterrë dhe një nga kuadrot kryesorë të Kurveleshit. Kuptohet që kisha shumë emocion. Ai e pa gjendjen time dhe, për të larguar çdo distancë filloi të më bëjë pyetje të ndryshme:

“A e di ti që ne jemi fis bashkë?

“Po”- u përgjegja.

“Kush të ka thënë” – më tha.

Nëna – u përgjegja i sigurtë - Dy motra nga Zhupajt u martuan njera në Dushaj, Tana, që lindi Agon, Lazen e Dilinë dhe tjetra në Shehaj ku lindi gjyshen time, Salihenë. Saliheja u martua në Memaj dhe lindi babanë e Safetit, nënën time dhe nënën e Rait Brahos. Nëna ime Agos e Lazes u thoshte “dajko”. Pra, me ju, Mehmetin e Sherifin, ishte kushërirë e dytë”.

Domethënë ti duhet  të më thuash “dajko”-  tha duke qeshur.

Kështu ishte ai, i thjeshtë, i dashur, i mirë, gjente mënyrën si të komunikonte e të hiqte ndrojtjen e të largonte emocionet.

Biseda vazhdoi gjithë rrugës. Më pyeti për demonstratat e normalistëve, për Turhanin, për profesorët etj.

Normalistët i japin tonin Elbasanit – i thashë - Ata qëndrojnë në krye të demonstratave. Ato bëhen të organizuara e më të forta se 2-3 vjet më parë”.

Vazhdova gjatë gjithë rrugës t’u përgjigjesha pyetjeve të tij për të treguar gjithçka dija për lëvizjen studentore e veprimtaritë revolucionare që bëheshin në shkollë, për  takimet e studentëve në ullishtat e Elbasanit, kush ishin drejtuesit kryesorë si Tomor Sinani, Alqi Kondi, Thoma Deljana etj. I fola për Turhanin që doli partizan më 1 maj bashkë me njëqind shokë të klasave të larta, për mitingun e madh në oborrin e shkollës, ku foli një ish student, i cili ishte partizan i veshur si fshatar. Për vajtjen e nomalistëve partizanë në Çermenikë e Dumre etj. etj..

Më pyeti nëse isha i organizuar.

I organizuar jam – iu përgjegja. - Bëja pjesë në një grup edukativ. Grupet ishin afërsisht me 15 vetë. Çdo dy javë mblidheshim në shtëpitë e studentëve të jashtëm. Në grupin tonë referonte Pertef Pumo, Findia Veizi dhe Bilal Parruca. Ti i njihje të tre. Profesorë janë po ata që ke lënë Xhuvani, Shuteriqi, Stringa, Krasta, Peza etj”.

Si pa kuptuar kaloi rruga e mbërritëm në Kuç. Vizitën e parë e bëmë në shtëpinë e Shaho Luçit. Ajo na priti me buzë në gaz e bujari, na shtroi për të ngrënë, duke bërë muhabet me përzemërsi, sipas traditës kuçjote. Zbritëm në qendër të Kuçit. Atje Hiqmeti takoi Memo Meton e Birçe Sinamatin. Më paraqiti tek ata. Pastaj ata qëndruan bashkë e biseduan për një kohë të gjatë. Mbasdreke vonë u kthyem në fshat. Në kthim foli më shumë Hiqmeti se unë. Foli mbi punën që do të bëhej në të ardhmen për të aktivizuar sa më shumë fterjotë në Lëvizjen NCL, për krijimin e një çete të re partizane, për organizimin e rinisë komuniste, rinisë antifashiste, organizatën e grave etj. etj.

Nuk kam për ta harruar kurrë atë ditë, kur unë i hapa zemrën për herë të parë atij njeriu, të cilin unë e adhuroja dhe e respektoja aq shumë. Me mënyrën e tij të komunikimit, me fjalën e ngrohtë, me pyetjet me takt që bënte më bëri t’i rrëfeja me gjithë shpirt gjithçka unë dija e ndjeja.

Me kalimin e ditëve u bëra si i shtëpisë në Dushaj. Ai filloi të më aktivizojë vazhdimisht duke më ngarkuar detyra të ndryshme, së bashku me shokët e mi, Bilalin, Lutfiun, Eqeremin etj.

Unë gjithmonë e kryeja me dëshirë e me pasion çdo detyrë që ai më ngarkonte. Hiqmeti na frymëzonte ne të rinjve për të krijuar për veten tonë qëllimin për të ardhmen dhe si ta arrinim atë qëllim. Ai ishte mësues e edukator i veçantë dhe, duke punuar me të, ne e ndjenim se bëhej ndryshim në jetët tona. Ndodh përherë një lidhje veçantë midis një nxënësi e një mësuesi të vërtetë. Kështu ndodhi me ne të rinjtë e fshatit që patëm fatin të të mësonim e të punonim nën drejtimin e tij. Rrugët tona ndoqën të njëjtin të shteg, ashtu siç na mësoi Hiqmeti, atë të luftës për liri, të edukimit, arsimimit e më vonë atë punës me përkushtim për rindërtimin e jetës së re.

Ai nuk mundi t’i realizonte të gjitha projektet e tij sepse u largua në mal me Çetën e tretë të Kurveleshit “Toto Bolena”. Por punën e tij e vazhduan më tej Mehmeti e më pas Safeti për të realizuar gjithçka ai kishte përgatitur e projektuar.

Në fillim të gushtit 1943 Hiqmeti erdhi për pak ditë me leje në fshat. Ishte plagosur në dorë. Nuk qëndroi t’i shërohej plaga, megjithëse Mehmeti i tha që të shkonte ai në vend të tij, por u largua bashkë me çetën.

Më 30 gusht, në luftimet për asgjësimin e garnizonit italian në Libohovë mori pjesë edhe Batalioni “Asim Zeneli”. Pas dy orë luftimesh të përgjakshme partizanët çliruan Libohovën dhe armiqtë u mbyllën në Kala. Por në mëngjezin e 31 gushtit fashistëve u erdhën forca të shumta nga Gjirokastra të pajisura me të gjitha llojet e armëve. Artileria armike rrihte pa pushim. Beteja u bë e ashpër. U bë përleshje trup me trup. Nga armiku mbetën të vrarë 69 vetë. Hiqmeti duke sulmuar me granata u hodh në sulm. Por një breshëri mitrolozi e goditi. Ra komisari, ra luftëtari i pushkës dhe i penës, ra partizani i orëve të para së bashku me tre shokët e tij, Kabo Kabi, Murat Bardhi dhe Demo Fejzo. Ranë për të mos vdekur kurrë, për të mbetur të pavdekshëm.

Vrasja e Hiqmetit ishte humbje e madhe për familjen dhe tërë popullin e Fterrës e të krahinës. Por hidhërimi u kthye në forcë. Emri dhe vepra e Hiqmet Dushës, udhëheqësit të Partisë në Fterrë, agjitatorit të flaktë të Luftës NCL dhe në shumë fshatra e krahina të tjera si në Kurvelesh, Delvinë, Sarandë, Rrëzomë etj., u bë shembull heroizmi për gjithë popullin dhe rininë e Fterrës, të cilët u betuan për të dytën herë se do t’i qëndronin besnik e të patundur Partisë dhe Frontit NCL dhe se do t’ia merrnin hakun. Në kujtim të tij, në tetor 1943, një nga çetat e Batalionit “Dëshnica” mori emrin e Hiqmet Dushës dhe më pas Batalionit “Dëshnica” iu vu emri i tij.

Amanetin e tij që Fterra të mbetej e bashkuar në Frontin NCL e realizuan Mehmeti e Safeti. Fterjotët e mbajtën fjalën, qëndruan në krah të Frontit e Partisë gjatë gjithë Luftës e pas Çlirimit.

Hiqmeti ishte njeriu i vlerave të mëdha. Ai, “Dhaskali”, siç i thoshin në Luftë, ishte mësues i të gjithëve, i nxënësve të shkollës, i rinisë, i burrave dhe grave të fshatit, të cilët mundi t’i bashkojë në Frontin NCL në luftë kundër pushtuesit.

Ai ishte orator nga natyra, fjala e tij kishte peshë dhe në fjalimet e tij para popullit të Fterrës Hiqmeti i hipnotizonte të gjithë. E shikonin në sy dhe e dëgjonin me shumë vëmendje. Hiqmeti u ngjallte besim njerëzve dhe ai e dinte se besimi nuk falet por fitohet. Një fjalë nuk e përsëriste dy herë. Me forcën e fjalës, logjikën, argumentet, me inteligjencën e tij, ai u  bënte ballë të gjithëve. Fjala e tij prekte zemrat fterjotëve, ndërsa për armikun ajo ishte si një shigjetë, prandaj dhe populli e donte dhe e përkrahte në çdo takim, në çdo mbledhje a kuvend.

Hiqmet Dusha, biri i Fterrës sonë, gjakun e la në Libohovën e Avni Rustemit, palcën e eshtrat i prehen në Sarandë bashkë me dëshmorë nga Kurveleshi e Bregdeti, nga minoriteti e Çamëria, ndërsa nderin e diturinë ia dhuroi Fterrës si trashëgimi të përhershme.

Emrin “Yll i pashuar” ia fali Kurveleshit, Labërisë e tërë Shqipërisë.

Hiqmeti mbetet vlerë e shquar në Fterrë e përmbi Fterrë, për të gjithë fterjotët e në brezat e ardhshëm për tërë jetën.

Hiqmet  Dushën një herë e bëri nëna.

Maj 2006

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode