Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Per shokun tim te rinise Fuat Mato

PËR SHOKUN TIM TË RINISË

FUAT MATO

 

Ishte shtatlartë, i fortë fizikisht, me shpatulla të gjera, trup të bukur e i pashëm. Ishte shumë punëtor, çfarë i shihte syri e nuk i bënte dora. Ishte trim, me pak fjalë dhe i mençur. Të gjithë e donin, të gjithë donin të rrinin me të, megjithëse shumë i ri në moshë. Me vullnet të hekurt, çdo lloj pune a detyrë, që i vinte vetes, e realizonte me kujdes e seriozitet. I dashur,  i ndershëm, i sakrificës. Ky ishte shoku i ngushtë i rinisë sime, Fuati.

Si tani e kam parasysh ashtu, të rritur e të maturuar para kohe. Gjithmonë në punë, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë n

ë kërkim të vetes. Ishte pak më i madh në moshë nga unë, një klasë para meje, por të dyve na hahej muhabeti, kishim dëshirë të rrinim bashkë, të luanin, të mësonim, të merreshim me punë. Shumë gjëra kishim të përbashkëta. Shoqëria jonë u forcua më tepër mbas vitit 1939 kur vëllai im, Zeneli, u martua me kush

ërirën e tij e parë Merushanën, kështu që ne venim e vinim më pa teklif tek njeri tjetri, gjithashtu edhe tek Bullë Merjua (gruaja e Xhafer Matos, xhaxhait të Fuatit) që kishte djalë Damon, kushëririn tim, moshatar me ne. Takoheshim e rrinim së bashku të tre. Miqësia jonë rritej, por më shumë ajo u forcua në vitin 1940, gjatë kohës së Luftës Italo-Greke.

Ushtria greke, me ardhjen e saj në Fterrë, në dimrin e egër 1940, në fillim bëri shumë shkatërrime në fshat, prenë pemë për t’i përdorur si dru zjarri, rrëmbyen bagëti e kafshë pune, dëmtuan bletë etj. Më vonë me ardhjen e furnizimeve nga Greqia, ndryshoi disi gjendja, por përsëri ajo mbeti shumë e rëndë, se vija e frontit ishte në fshatin tonë. Ushtria zuri shtëpitë në fshat, e fshatarët u detyruan të mblidheshin disa familje bashkë. Me ardhjen e furnizimit, ushtria greke mobilizoi të gjithë burrat e fshatit, deri edhe fëmijët, për të kryer punë angarì, sidomos në rrugën Fterrë-Kuç. Fronti i Luftës në fillim ishte në Qafë të Kuçe (Qafën e Dërrasës), por më vonë qëndroi deri në Vranisht.

Punonim së bashku me Fuatin në rrugë dhe përkrahnim njeri tjetrin. Merrnim bashkë korromanen për punën, shpesh edhe stafidhe e hallvë që na jepnin.. Të dy të fuqishëm punonim shumë nën një kujdestar grek (epistat), që na mbante nën vëzhgim  gjithë kohën. Në darkë ktheheshim së bashku, secili në shtëpi të tij, për të pushuar, që të ishim në gjendje të punonim fort përsëri të nesërmen. Rrugës bisedonim për shumë gjëra, por më tepër për luftën. Lufta hyri në bisedat tona që në moshë mjaft të re. Provuam në kurrizin tonë se ç’ishte i huaji në shtëpi, ç’ishin të shtënat e gjëmimet, ç’ishte lufta. U rritëm para kohe.

Mbasi mbaroi Lufta Italo-Greke filloi përsëri jeta e zakonshme, e qetë, po me hallet e përditshme. Në vjeshtën e vitit 1941 unë u largova për në  Shkollën Normale të Elbasanit, ndërsa Fuati qëndroi në fshat. Përpiqej të punonte që të mbante familjen, Nënën e tij Fatimenë, dhe të ndihmonte sado pak vëllanë e tij Turhanin, student në Normale. Në pushimet e beharit shkonim shpesh në lumë për t’u larë, luajtur me shokë apo për të zënë peshq. Në verën e vitit 1941 dhe atë të vitit 1942 u miqësuam edhe më shumë. Ngado shkonim bashkë. Kur zinim peshq në lumë ndjeheshim të lumtur e mezi prisnim të venim në shtëpi t’i gatuanim. Nëna ime nuk i pëlqente, se i mbante erë tigani e shtëpia dhe më qortonte, ndërsa Nënë Fatimeja e urtë nuk i thoshte gjë Fuatit. Shpesh mblidhnim fiq të njomë (perdhikulë) e venim e i hanim te lumi, ku sot është Hidrocentrali i Fterrës. I freskonim fiqtë në ujë e ata bëheshin më të shijshëm e haheshin më me qejf. Nganjëherë shkonim për të vrarë zogj, sidomos cirko. Hypnim të dy në mënin e madh në Varré, në fund të koshtrave të Zane (tek arra e Beqos). Qëndronim në mën karshi njeri tjetrit. Ishte si lojë, që kur vinin cirkot në degën time, qëllonte Fuati, e kur venin në degën e tij, qëlloja unë. Qëllonim me llastiqe e bënim edhe garë se kush kishte më shumë nishan. Vrisnim 5-6 cirko dhe 2-3 grifsha në ditë. Kur na dilte “gjuetia” më mirë, ktheheshim të lumtur në shtëpi dhe gëzoheshim kur ia kalonim njeri tjetrit.

Fuati ishte shumë punëtor. Atë nuk e shihje kurrë pa bërë diçka. Priste dru, i transportonte, i stivoste në sorua, mblidhte ullinj e rrush në vreshtën e tyre, punonte koshtrat, ku rriteshin agrume, hardhì e lloje të ndryshme frutash, ndërtonte muret e shkallëve e çdo lloj pune që bëhej në fshat. Vreshta ishte vendi i tij më i preferuar dhe shkonte shpesh. Vreshta e Mate dallohej, se atje çdo gjë lulëzonte, hardhitë e ullinjtë rriteshin të shëndetshëm. Ajo arë, (vreshta) në mes të pyllit, kur e shikoje nga fshati dukej shumë bukur nga sistemimi që kishte. Koshtrat poshtë shtëpisë së tyre ishin të punuara e të sistemuara më së miri. Çdo punë Fuati e bënte me kujdes e merak të madh si mjeshtër. Kjo ishte karakteristikë e të gjithë Matajve, që u vinte ndoresh për gjithçka e që ishin mjeshtër në punime. Shpesh ai shkonte në Vurg të Delvinës, ku familja e tyre kishte një çiflig të vogël, për të marrë pjesën që u takonte si familje nga prodhimet e tokës atje.

Plot kujtime të bukura na lidhnin bashkë, shumë fotografi kishim bërë, ku pasqyrohej shoqëria e miqësia jonë e madhe me njeri tjetrin, por, fatkeqësisht, gjatë Luftës ato humbën.

Në verë të viteve 1941-1942 bisedat tona për politikën, për luftën, për fashizmin, sulmin e gjermanëve kundër Bashkimit Sovjetik, situatën që kalonim etj. ishin të përditshme. Urrente çdo lloj okupatori, sidomos fashistët italianë, por edhe grekët nuk i donte, se nga prindërit e bashkëfshatarët kishte dëgjuar për vrasjet, djegjet, shkatërrimet, që kishin bërë andartët grekë në Luftën e Parë Botërore, por e pa edhe vetë, kur ushtria greke ndenji në fshat e kur ai punoi në rrugën e Fterrës nën kontrollin e tyre.

Vëllai  i tij Turhani, gjatë kësaj periudhe ishte student në Normalen e Elbasanit dhe Fuati e ndjente si detyrë të ndihmonte Nënën e tij Fatimenë, të cilën e donte shumë e nuk ia kthente asnjëherë fjalën. Babai i tij, Jashari, kishte vdekur më 1940, unë nuk arrita ta njihja mirë dhe e mbaj mend shumë pak. Kështu, megjithëse shumë i ri, pothuajse fëmijë në moshë, ai mori mbi supe barrën e shtëpisë.

Në qershor 1942, morëm pjesë të dy në takimin e fterjotëve te “Kroi i Bedrinit” për organizimin e Këshillit NCL dhe krijimin e Çetës së Fterrës. Ishte një takim që na bëri përshtypje të madhe. Atje pamë Hiqmetin, mësuesin e fshatit, të deleguarin e Partisë, Bedri Spahiu, burrat e fshatit se si diskutonin e si i shfaqnin mendimet. U habitëm e u mrekulluam me fjalën e të deleguarit, Bedri Spahiu, të mësuesit tonë të dashur Hiqmetit, por edhe sa bukur folën bashkëfshatarët tanë si Lazo Kofina, Xhafer Mato, Muhedin Haderi, Adem Lona etj.

Të dy e donim dhe kishim shumë respekt për Hiqmetin, por dhe ai na donte shumë. Mbas çdo takimi me të e ndjenim që fitonim njohuri të reja, na hapej horizont më tepër, kuptonim më mirë gjendjen politike në vend e jashtë vendit, në frontin Rus e në Europë, ose qëndrimin Anglo-Amerikan. Edhe ne, që ishim  mjaft të rinj, dinim të bënim diferencimin midis tyre.

Për herë të fundit u takuam bashkë në fund të gushtit 1942. Fuati në këtë kohë ishte hedhur totalisht në veprimtari antifashiste, ishte bërë një aktivist i mirë për çetën vullnetare, sidomos Hiqmeti e ngarkonte me shumë detyra, si korrier për në Kuç, Çorraj, Borsh e kudo gjetkë, mbasi ai ishte shumë i shpejtë dhe i kryente detyrat me përpikmëri.

Turhani vazhdonte Shkollën Normale në vitin e 6-të. Atje ai ishte hedhur haptazi me Lëvizjen e Antifashiste NÇL. Influenca e tij mbi Fuatin ishte shumë e madhe. Turhani më tregonte për letrat që merrte nga ai. Në një nga letrat e tij Fuati i kishte shkruar: “Janë pjekur portokajtë dhe unë dua të ha më to, por nuk më lënë disa, se më thonë që jam i vogël e të bëjnë dëm, se nuk janë pjekur!” Ishte fjala që ai donte të shkonte partizan, por nuk e pranonin se ishte i vogël në moshë.

Vrasjen e tij, megjithëse larg, e përjetova me dhimbje të madhe, humba një nga shokët e mi më të mirë e më të dashur. Por më shumë humbjen e tij e ndjeu i vëllai, Turhani. Ai, mbas varrimit të Fuatit, vajti në Fterrë tek Nënë Fatimeja e qëndroi disa ditë. Kur u kthye në shkollë nuk pushonte së treguari për gjithçka që i kishin treguar, për ceremoninë e varrimit, për fjalët që ishin mbajtur përpara trupit të tij, për fjalën e zjarrtë të Hiqmetit, të Memo Metos, të Birçe Sinamatit, për betimin e rinisë së Kurveleshit “se do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Shqipërisë dhe se do t’ia merrnin hakun shokut të tyre”.

Turhani fliste me shumë simpati për Hiqmetin, tregonte sa shumë e donte dhe e nderonte fshati atë, si dëgjohej fjala e tij e mënçur nga bashkëfshatarët. Hiqmeti u fliste të gjithëve, u fliste intelektualëve, që venin e vinin në Fterrë, u fliste burrave të fshatit, fëmijëve të shkollës. “Fuati, - më thoshte Turhani, -  dëgjonte më vëmendje e frymëzohej nga çdo bisedë e Hiqmet Dushës, ai e adhuronte atë”. Hiqmeti e vëllai i tij Turhani ishin udhëheqësit shpirtërorë të tij, shembulli i tyre ishte modeli që Fuati ndoqi.

Për Fuatin mund të flasësh shumë, por unë desha të cilësoj disa veçori kryesore të tij. Ai ishte një djalë trim, i zgjuar, i fuqishëm, me një ndjenjë të fortë atdhedashurie.

Ai, në kushtet kur babai i kishte vdekur, Turhani ndiqte shkollën dhe motra e tij, Xhania, ishte martuar dhe larguar nga Fterra në Borsh, në një moshë mjaft të re, i doli zot shtëpisë.

Fuati e donte shumë Nënën e tij, Fatimenë, dhe këtë e vinim re të gjithë, se ai kurrë nuk ia kthente fjalën asaj, siç ndodhte nganjëherë me shumë nga ne të tjerët, që edhe i kundërshtonim nënat tona.

Për Fuatin kishin një simpati të veçantë Hiqmet Dusha, anëtarët e Këshillit NCL, luftëtarët e Çetës së I-rë të Kurveleshit e të deleguarit, që vinin herë pas here në Fterrë.

Ai nuk e mendonte frikën. Vetë fakti që në aksionin e Borshit vajti në pozicionin më të vështirë e vërteton këtë.

Në aksionin e Borshit, Fuati vajti pa dëshirën e udhëheqësve të fshatit dhe partizanëve të ardhur. Hiqmeti e dërgoi atë si korrier në Çorraj, me qëllim që të mos merrte pjesë në aksion, por përsëri ai ishte i vendosur të shkonte në luftë. Edhe detyrën e korrierit e zbatoi, edhe në aksion shkoi, megjithese ishte më i vogli i të gjithëve. Bile, ishte dhe i armatosur shumë mirë.

Vrasja e tij i shkaktoi dhimbje të pashërueshme Nënë Fatimesë dhe motrës së tij të vetme, Xhanes, helmoi të vëllanë Turhanin, hidhëroi gjithë fshatin, partizanët e Çetës e të rinjtë e krahinës, por më shumë atë e ndjeu  Hiqmeti, ideatori i Partisë në Fterrë, i cili disa muaj më vonë ra dëshmor, ashtu si dhe nxënësi i tij Fuati, i ndjekur më pas nga i vëllai Turhani, e dëshmorët e tjerë të Fterrës, për të mbetur të pavdekshëm.

Fuati do të mbetet i paharruar brez pas brezi edhe nga Kënga e Memo Metos “Se liria i ka rrënjët mu në gjak”, si dhe nga shumë këngë të tjera që i ngriti fshati. Emri i tij do të jetë përherë i gdhendur në lapidarë e do t’i takojë historisë. Ai nuk ka për t’u harruar kurrë edhe në brezat e ardhshëm, se ai u takon atyre lloj njerëzve që jetojnë një çast, por sa për një jetë të tërë. Jeta e tij ishte e shkurtër, se atë ia ndërprenë në mes, por ai mbeti i pavdekshëm përgjithmonë.

 

Tiranë, më 28.02.2006

Poezi

    “Se liria i ka rrënjët mu në gjak”

 

Në Ixuar u hap lufta atë natë

Dhe në Fterrë ulërima, një mandatë

Plot me lot dhe ulërimë gjithë fshati

Sillej trupi i luftëtarit Fuat Mati.

Që nga turma del një grua me tumane

Është nëna e Fuatit një spartane

U flet shokëve e shoqeve krenare

Siç e kanë zakon nënat shqipëtare.

Dhe u thotë: “Për Fuatin mos vajtoni

Dhe për ngushëllim tek mua mos nxitoni

Se si djalin tim Fuatin këtë herë

Fashizmi do na vrasë edhe të tjerë.

S’është koha që të qajmë djemtë sot,

Nuk merret haka me vaj e me lot,

S’vjen liria me të ulur e të qarë

Do të vriten për liri shqipëtarët.

Pa gjak s’bëhet e lirë Shqipëria

Për hatër nuk na dhurohet liria.

Të ngrihemi që të gjithë djem e plak,

Se liria i ka rrënjët mu në gjak”

                                                            Memo Meto

Janar 1943

 

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode