Me dashuri ua kushtoj këtë libër

P O R T R E T

 

SAFET MEMI, NJERIU I VEÇANTË I FTERRËS

 

Gjatë një viti e gjysëm kalova një sëmundje të rëndë. Shumë nga farefisi, miq e shokë, u shqetësuan për shëndetin tim. Në mes të tyre, dallohej në veçanti njeri, që më jepte kurajo, forcë e besim. Ishte ai që më merrte çdo ditë në telefon, më këshillonte, ose vinte në shtëpi. Ai më lehtësonte dhimbjet.

Po ecën në të 86-tat, por nga çdo pikëpamje duket si dyzet. Të bëhet zemra mal kur e shikon të shëtisë çdo ditë me Prof. Ismet Elezin nga Liqeni Artificial. Ai ecën pa pengesa, bën muhabet për çdo temë, ndjek lajmet e vendit dhe ato ndërkombëtare, është në dijeni për çdo problem. Pyet për lajmet nga Fte

rra, pyet për fterjotët kudo që janë, brenda ose jashtë Atdheut. Në çdo gëzim a hidhërim të fterjotëve ai merr pjesë. Në rast se mosha nuk e lejon të marrë pjesë fizikisht, merr në telefon në Tiranë dhe jashtë Tiranës. Gëzohen të gjithë kur e takojnë dhe, kur marrin vesh që është mirë, u bëhet zemra mal të gjithëve.

Për atë – tha njeri – gëzohen edhe gurët”. Gëzohemi ne, por më shumë gëzohen për “boçon” e tyre të dashur nipërit e mbesat e tij, disa këtu, disa përtej Detit Adriatik. Gëzohet familja e tij, gëzohen fterjotët, gëzohen edhe shumë shokë e miq që i ka njohur dhe i ka ndihmuar në jetë, u ka zgjidhur hallet e tyre.

Ky ështe Safet Memi, njeriu i veçantë i Fterrës, “Nënë Terezë” për Fterrën dhe për fterjotët, por edhe për të tjerë.

I vdiqen prindërit në moshë të re njeri pas tjetrit e mbetën të tre vëllezër jetimë. Dy të vegjëlve, Osmënit e Hamzait, u hodhën dorë hallat e tyre, ndërsa Safeti u detyrua të shërbejë tek Vahit Malua në Galisht. Pas disa vjetësh iu bë strehë i miri Sherif Dusha, i cili e mori në farmacinë e tij në Ballsh. Aty mbaroi shkollën dhe njëkohësisht përvetësoi profesionin e farmacistit. Punoi pastaj në këtë profesion në Tiranë e më pas në Vlorë, ku shërbeu për disa vjet.

Në fillim të vitit 1941, vëllai im Zeneli më tërhoqi mua nga Fterra në Tiranë dhe më sistemoi shërbëtor në një familje, me kusht që të vazhdoja edhe shkollën. Qëndrova një javë në farmacinë ku punonte Safeti. Atje pashë që përveç punës si farmacist, të cilën e kryente me përkushtim, më bëri përshtypje të madhe që ai dinte të bënte edhe punë të ndryshme në shtëpi, por mbi të gjitha të gatuante vetë dhe gatuante gjellëra vërtet të shijshme, tamam si një amvisë e mirë. Por mua më ka mbetur në mendje në mënyrë të veçantë sa të shijshme ai bënte pastashutë.

Për herë të parë në farmacinë ku ai punonte unë dëgjova të flitet për luftë të organizuar kundër okupatorit. Në Tiranë Safeti bënte shumë takime me ilegalët e parë, si me Muhamet Bakirin etj. Shpërndanin nëpër baza komunikatat e Partisë Komuniste të Tiranës. Safeti mori pjesë aktive dhe në Demonstratën e Madhe të 28 Nëntorit 1941. Për këtë arsye e arrestuan dhe e futën në burg. E ndihmuan Zeneli, i cili në atë kohë punonte në xhandarmëri, dhe disa shokë të tjerë ilegalë. Safeti e kishte prezantuar edhe Zenelin me shokë të tij ilegalë, nga komunistët e parë të Tiranës, të cilëve ai u kryente shumë detyra. Për mungesë provash Safetin e liruan e i rekomanduan të largohej nga Tirana, sepse kishte rënë në sy të fashistëve e bashkëpunëtorëve të tyre.

Kështu shkoi në Vlorë, po në farmacinë e Kotonëve. Atje vazhdoi aktivitetin e tij antifashist. Menjëherë mori kontakt me ilegalët e Vlorës si Mynir Xhindi e shokë të tjerë, Kryente shumë detyra të tjera, se fashistëve nuk u shkonte në mendje që, farmacia ku punonte Safeti, ishte kthyer në bazë të komunistëve.

Sidoqoftë spiunët e ndiqnin. Ra në sy si aktivist i luftës kundër okupatorit dhe për të humbur gjurmët shkoi në Himarë në farmacinë e Avdyl Gjokës. Atje Safeti u lidh me ilegalët e Himarës e të Vunoit si Vasil Nerenxi, Findia Veizi etj. Aktivitetin e tij politik antifashist e shtoi edhe më shumë. Farmacia frekuentohej nga fshatarë të Bregut e të fshatrave të tjera që vinin për hallet e tyre dhe ndërmjet tyre kishte edhe aktivistë antifashistë që filluan lidhjet me Safetin. Kështu farmacia filloi të bëhej qendër e ilegalëve në Himarë, gjë që ra në sy të autoriteve edhe në Himarë.

Në korrik 1943, vendosi të braktisë punën dhe kaloi përfundimisht në zonën e lirë. Erdhi në Fterrë, ku mori kontakt me celulën e Partisë atje dhe filloi menjëherë aktivitetin e tij antifashist. Mori pjesë në Çetën e Fterrës. Deri në dhjetor 1943 ishte krahu i djathtë i sekretarit të celulës Mehmet Dusha.

Në dhjetor, bashkë me Mehmetin e drejtues të Krahinës së Kurveleshit u thirrën në aktivin e PK të Qarkut të Gjirokastrës, në Sheper të Zagorisë. Në mbarim të punimeve të kësaj konference, Mehmeti u caktua komisar i Batalionit “Dëshnica” të Përmetit dhe, me largimin e tij, Safeti mori në ngarkim detyrat si përgjegjës politik e ushtarak për Fterrën.

U ngarkua me detyrën e sekretarit të organizatës së Partisë Fterrë-Çorraj. Gjatë gjithë kohës punoi me shumë vullnet e ndershmëri për vazhdimin e përpjekjeve për bashkimin e popullit të Fterrës me Frontin NÇL. Udhëhoqi me zotësi çetën territoriale të fshatit, si komisar i saj, duke marrë pjesë aktive në të gjitha luftimet e saj e njëkohësisht udhëhoqi Këshillin NCL, si kryetar i tij. Një nga detyrat e rëndësishme ishte dhe sigurimi e familjeve fterjote në pyje e shpella gjatë operacioneve armike, strehimi i atyreve që u ishin djegur shtëpitë nga fashistët, sigurimi i bukës dhe dhënia e ndihmës për ata që nuk e përballonin dot jetën etj.

Fillimi i operacioneve armike kundër Kurveleshit ose kalimi i forcave armike dhe bashkëpunëtorëve të tyre, bëhej nëpërmjet Fterrës, si një nga portat kryesore të Kurveleshit. Safeti largohej i fundit pas strehimit të fshatarëve në pyje e shpella, për të parë gjendjen e forcave armike dhe veprimet që do të bënin në Fterrë. Në operacionin e Qershorit qëndruam bashkë në Bërdë për të shikuar ardhjen e armiqve, sidomos ballistëve. Forcat partizane ishin tërhequr në thellësi të Kuçit dhe Kurveleshit. I pamë ata kur dolën në Breg të Borshe dhe zbritën në Langadhë e u drejtuan nga Marnjinet.

Vendosëm të largoheshim nga Bërda dhe të qëndronim në brezin shkëmbor para Shkallës së Hupit, në fund të fshatit, në mënyrë që të shikonim veprimet e tyre në fshat. Duke u larguar nga Bërda pamë të vrarë partizanin trim Sulo Hysi nga Golëmi dhe një djalë nga Senica. Nuk kishim asnjë mjet për t’i varrosur dhe koha nuk premtonte. Safeti u lidh me Veip Meron, i cili gjeti mundësinë e përshtatshme për t’i varrosur. Kur erdhi dhe e mori nënë Bajamja ngarkuar në mushkë, duke kaluar nga Lugu i Fterrës, ajo tha “Unë kockat e djalit i mora, gjakun ia lashë Fterrës”.

Rast tjetër është vajtja në Çorraj kur Safeti, unë dhe Resul Mita hymë në mes të ballistëve për të shpëtuar Nefo Puton, pavarësisht se doli që ishtë një lajm i rremë, për të përhapur panik në popull.

Me urtësinë që e karakterizonte, Safeti jo vetëm që kreu me përpikmëri detyrat politike, si dhe pritjen, sistemimin, ushqimin e partizanëve, por mendonte edhe për shtimin e radhëve të Partisë. Në qershor 1944 u pranova edhe unë në  Parti.

Megjithëse i ngarkuar me shumë detyra të tjera në rreth të Kurveleshit, Safeti nuk iu nda fshatit, Fterrës. Problemeve u dilte përpara dhe dinte t’i zgjidhte. I donte e i respektonte të gjithë njësoj burra, gra, të rinj e fëmijë. Por edhe ata e donin dhe e respektonin, fjalën dhe porositë e Safetit nuk i bënin më dysh. Prandaj me të drejtë thonin që “Safet Memin nuk e lind më Fterra”.

Për punë të mirë Safeti u zgjodh edhe anëtar i Këshillit Krahinor dhe njëkohësisht u ngarkua sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit të Kurveleshit. U zgjodh delegat nga populli i Fterrës e Çorrajt në Kuvendin e Kurveleshit për zgjedhjen e delegatëve që do të merrnin pjesë në Kongresin Antifashist NCL të Përmetit.

Në pranverë të 1944, Safeti mori lajmin e hidhur që Osmëni ishte vrarë në Shelcan të Elbasanit në luftë me gjermanët. Fjalët e tij të fundit kishin qenë: “Mos më lini gjallë në dorë të armikut”. Dhe vërtet shokët e tij, midis tyre Nafiz Bezhani, e tërhoqën nga fusha e betejes dhe nuk e lanë në dorë të armikut. Vrasja e Osmënit i shkaktoi një dhimbje të jashtëzakonshme Safetit. Ata ishin të malluar për njeri tjetrin dhe mezi prisnin të takoheshin e të mblidheshin të tre së bashku. Me vrasjen e të vëllait urrejtja kundër pushtuesit u ndez edhe më tepër në zemrën e tij dhe Safeti u betua se do t’i merrrte hakun vëllait e do të luftonte armikun deri në çlirimin e plotë të vendit.

Hamzai, në këtë kohë, me ndihmën e Zenelit, ishte strehuar në Shkollën Varfanjake (“Strehën Vorfnore”) të Tiranës. Dhe ai, si një debatikas i mirë, u bashkua me shokët e tij në favor të Luftës NCL. Ju kujtohet filmi “Lulëkuqe mbi mure”? Një nga ata heronj të vërtetë të këtij filmi ishte Hamzai. Megjithëse fëmijë ai u bashkua me idealin e Luftës për liri, për një Shqipëri pa pushtues e tradhtarë. Mbas Çlirimit Hamzai vazhdoi studimet e larta, në Bashkimin Sovjetik, ku mori titullin e mjekut. Ai punoi me përkushtim e me ndërgjegje të lartë në Spitalin Civil të Tiranës, si mjek e shef i Pavionit 12-të të kuadrove dhe më pas pedagog e zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë të UT derisa doli në pension.

Pas Çlirimit Safeti u caktua me detyra të rëndësishme në fushën e mjekësisë si: Komisar i Spitalit të Përgjithshëm Civil, në Komitetin Qendror të Partisë dhe kohën më të madhe drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe përfundoi edhe arsimin e lartë në Fakultetin e Mjekësisë dhe mori Titullin e Mjekut.

Safeti është njeri human, me zemër të madhe e mirësi të përhershme. Janë me dhjetra fterjotë, por edhe shumë jo fterjotë që i ka ndihmuar, sistemuar në kurse për të mësuar profesione të ndryshme ose për të vazhduar shkollat. Janë gjithashtu shumë nga ata që i ka ndihmuar të transferohen atje ku kishin nevojë. Ai ka fituar zemrën e të gjithëve. Për Safetin flasin shumë vetë për problemet që u ka zgjidhur, për sjelljen e korrektësinë që e ka karakterizuar në çdo kohë.

Në periudhën e qarkullimeve në bazë, Safeti u muar si shembull nga Kryeministri i asaj kohe në Aktivin e Tiranës. Ai tha : “Ne nuk duam parulla si: “Shkoj ku të ketë nevojë atdheu,  por duam të shpreheni konkretisht siç bëri Safet Memi që tha : “Unë jam gati të shkoj mjek në Borsh të Sarandës. Dhe shkoi”.

Atje Safeti qëndroi katër vjet. Fjalën që dha e zbatoi. Duke punuar me përkushtim, pa u lodhur, duke harxhuar energji të jashtëzakonshme ai arriti të realizojë qëllimin për ngritjen e Spitalit të Borshit, për të gjithë zonën, të cilin e pajisi me mjetet e nevojshme për një spital normal. Edhe sot në Borsh e në Bregdet thonë “Spitali i Safet Memit”.

Ai nuk bënte vizita vetëm në spital. Sa herë që ishte e nevojshme shkonte në çdo kohë tek të sëmurët në Fterrë, në Çorraj, në Vonja, në Shkallë të Borshe e deri në Qeparo e Piqeras.

Pas kryerjes me korrektesë të detyrës dhe angazhimit që mori, u kthye përsëri në Ministrinë e Shëndetësisë me detyrën e drejtorit. Atje punoi si gjithmonë me urtësi, kompetencë e ndërgjegje të lartë, duke u zgjidhur hallet njerëzve në nevojë. Prandaj edhe të gjithë thonë: “Safeti i mirësisë”.

Doli në pension i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Por, edhe në pension, Safeti vazhdoi të punonte duke u aktivizuar për problemet e bllokut e të lagjes. Ai vazhdon edhe sot të interesohet e t’u japë ndihmë e këshilla atyre që janë të sëmurë ose kanë probleme shëndetësore. Shumë herë nuk mungon të marrë pjesë në “Parlamentin e Fterrës” e në aktivitete të rëndësishme të komunitetit fterjot. Është pjesëtar në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e fterjotëve. I ëmbël në muhabet, i urtë e i ndershëm, punëtor i palodhur në kryerjen e detyrave, shembull mirësjelljeje mbetet ai dhe gjithë familja e tij .

Safeti pati fat kur lidhi jetën bashkëshortore me Afërditën e mirë, të urtë e nikoqire. Lindën dhe rritën katër fëmijë, njeri më i mirë se tjetri. Në krye qëndron Dr. Maksi, që mund t’i thuash pa frikë “Një Safet i dytë”. Kushdo që e njeh e lavdëron, e vlerëson dhe e respekton. Shumë jetë njerëzish ka shpëtuar e shpëton me profesionin e tij si mjek e specialist i zoti i zemrës. Për atë të gjithë flasin vetëm fjalët më të mira, të moshuar, burra, gra e fëmijë, çdo pacient që shkon të vizitohet e këshillohet me të.

Por edhe Pajtimi, Meribani e Lejla, dallohen që janë fëmijët e Safet Memit nga sjellja, edukata e mirësia e tyre.

Në shembullin e Safetit ecën i gjithë fisi i Meme, të mëdhenj e të rinj, nipër e mbesa, këtu dhe jashtë shtetit. Nga dy vëllezër Memaj që mbetën pas Luftës NCL tani, së bashku me nipër e mbesa, janë bërë 15 vetë.

I urojmë Safetit tonë shumë të dashur, njeriut të veçantë e simbol të Fterrës, të rrojë edhe 100 vjet të tjera.

 

 

Tiranë, 3 mars 2006


 

 

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode