Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Dy fjalë për të dashurin Vehap Bezhani

 

E humbën Vehapin tonë, atë që ishte aq i dashur me të gjithë e i respektuar nga të gjithë, luanin e maleve të Shqipërisë, zbuluesin e vendburimeve të bakrit, shkencëtarin e njohur në profesionin e tij, bashkëshortin e mrekullueshëm e gjyshin shembullor, të urtin sa më s’bëhet, njeriun e sakrificave të mëdha për të mirën e të gjithëve, të thjeshtin në shoqëri, që tërë jetën ishte shembull qytetarie midis nesh, njeriun që fuste mendjen dhe trurin e tij shkencor në thellësi të tokës për të zbuluar vendburimet e bakrit, dhe unë humba shokun, mikun e vëllanë tim të mirë, që e desha me gjithë zemër, atë që asnjëherë nuk shqetësoi e bezdisi askënd deri në çastet e fundit të jetës.

            Vehapi ndoqi me dinjitet rrugën e Bezhanajve, të mirënjohur në Fterrë e në mbarë vendin, duke e vënë veten në krah të njerëzve më të mirë e më të ndershëm.

            Lindi në Fterrë më 4 prill 1934. Vazhdoi studimet në Politeknikumin “7 Nëntori” ku mori titullin “Teknik gjeolog” dhe filloi profesionin e vështirë të gjeologut në Kurbnesh në vitin 1954. Ai dha një kontribut të rëndësishëm në zbulimin  vendburimit të bakrit në Kurbnesh.

Në vitet 1957-1962 mbaroi Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave ku u diplomua Inxhinier Gjeolog. Deri në vitin 1968 punoi në Rubik dhe më 1972 në Pukë si kryegjeolog.

Kudo ku punoi ai u shqua për ndjenjën e lartë ndaj detyrës, ndershmëri e profesionalizëm. Me emrin e tij lidhen mjaft suksese dhe arritje të asaj kohe. Nga viti 1972 deri sa doli në pension punoi në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike, duke udhëhequr studime të ndryshme shkencore për bakrin. Shumë rekomandime të tij u konkretizuan në zbulimin e vendburimeve të rëndësishme të bakrit. Për gjithë këtë veprimtari të shquar Vehapi u laureua me Çmimin e Republikës e u dekorua me shumë urdhëra e medalje për kontributin e dhënë në fushën e kërkimeve gjeologjike. Ai kishte titullin e Doktorit të Shkencave dhe atë të Profesorit në fushën e gjeologjisë. Gjithë jetën e tij ia kushtoi kërkimeve dhe studimeve në fushën e gjeologjisë për bakër në Mirditë, Kukës, Pukë, Shkodër, Korçë e Tiranë.

Ishte një shembull i gjallë për të gjithë intelektualët, duke iu përkushtuar me shumë energji dhe sakrifica profesionit të tij të vështirë.

Më 12 prill 2001 Vehapi u nda nga ne. Dhimbje e madhe.

Nuk e prisnim që të na ikje kaq papritur, o vëlla, nuk e mendonim dot, as zemra nuk na e thoshte që të ndaheshim kaq pabesisht nga ty.

Kush të njohu e nuk të çmoi, kush të njohu e nuk të respektoi, kush u miqësua me ty e nuk të nderoi, o Vehap i dashur. Natyra u tregua shumë e padrejtë, kur të preu jetën në mes ty, një njeriu të shenjtë siç ishe ti, o Vehapi ynë. Pse, o Natyre, u tregove kaq e ashpër, pse na more Vehapin tonë të shtrenjtë? Pse e ndave nga Dijenia e tij mirë, nga ajo që e ndoqi nëpër malet e Shqipërisë, ajo që e respektoi gjithe jetën aq shumë? Pse e ndave nga djemtë e tij Artani, Arseni, Sokoli, që u lindën maleve te Shqipërise? Pse e ndave nga  nipërit e tij, këtu dhe në Londër, të cilët i adhuronte aq shumë? Mërzitej për këta këtu, po të mos i shikonte një ditë dhe përgjërohej për ata në Londër, sepse të dy me Dijeninë i rritën me kujdes e dashuri bashkë më prindërit e tyre.

Ti u ndave nga motrat e vëllezërit, që të donin e të nderonin aq shumë, ti u ndave nga miqtë e tu të shumtë, ti u ndave nga unë, shoku e vëllai yt, o Vehap i dashur. Të kisha për zemër e të doja më tepër se çdo njeri tjetër nga fisi, i miri Vehap. Ne qanim hallet dhe këshilloheshim bashkë për çdo problem e shqetësim që kishim. Sa malloheshim kur kujtonim Fterrën tonë, që ti e kishe në zemër dhe e doje aq shumë.

Kush nuk të kujton ty, njeriun e mirë, të ëmbël dhe të dashur? Të kujtojnë shokët e tu gjeologë, me të cilët punove maleve dhe minatorët që nxirrnin bakrin nga nëntoka, të kujtojnë punëtorët e fabrikave që e përpunonin dhe ata që prodhonin tela e kabllo, të kujtojnë shokët e Institutit, ku ti vure në punë mendjen tënde të ndritur, si dhe ata që kanë eksportuar me ty në shumë vende të botës prodhimet e bakrit, për të cilat ti kishe dhënë kontributin tënd për t’i zbuluar, përpunuar, e prodhuar, o Vehap vëllai.

Mijëra tonë bakër blister, bakër i pastër, tela e kabllo bakri që i janë nevojitur industrisë sonë ose janë eksportuar, janë produkt edhe i mendjes e i djersës tënde. Ishte dora jote që ka ngarë çekanin, ishte mendja jote që zbuloi thellësitë, ishte gjaku dhe djersa jote që nxori floririn në mes të bakrit. Flori prodhonin në Rubik, flori e shkuar floririt ishe edhe ti, o Vehapi ynë.

Për ty qajnë malet që shkele me pëllëmbë, për ty qan çekani që mbeti pa zot, për ty qajnë hartat gjeologjike që i ndërtoje me dorën dhe me trurin tënd. Gjithë miqësia jote të respekton, se u ke lënë një kujtim me vlera njerëzore e qytetare, vlera diturie e pasuri shkencore, le emër dhe vepër, i paharruari Vehap.

Që nga Londra  në Tiranë,

Qajnë për Vehap Bezhanë...

Të gjithë ne të falenderojmë e përulemi me nderim, o Vehap, të falenderojmë për emrin e mirë që na le ne fterjotëve dhe për veprën  që u le brezave të gjeologjisë shqiptare.

 

 

Mars 2006

 

 

© 2009 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode