Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Kontributi i fterioteve ne Luften Nacionalclirimtare

QËNDRESA ANTIFASHISTE E POPULLIT TË FTERRËS NË VITET E PARA TË PUSHTIMIT FASHIST ITALIAN

PRILL 1939-1941

Në gjysmën e dytë të viteve 30-të, retë e zeza të një lufte të re botërore po dëndësoheshin gjithnjë e më shumë. Agresiviteti i shteteve fashiste, Gjermanisë, Italisë e Japonisë po bëhej gjithnjë më i hapët e më real.

Më 1936 Italia pushtoi Abisininë dhe më 1938 Gjermania pushtoi Austrinë. Politika e lëshimeve dhe inkurajimi i agresionit nga disa shtete e nxiti Italinë fashiste për pushtim, në fillim të Shqipërisë e pastaj shtrirjen e mëtejshme në Ballkan.

 

1.       Pushtimi Italian. Qëndresa kundër agresionit ushtarak. Planet fashiste për të nënshtruar e italianizuar vendin tonë dhe shndërrimin e Shqipërisë në urë agresioni në Ballkan.

Më 7 prill 1939 Italia Fashiste sulmoi Shqipërinë. Populli, ndonëse i tradhtuar, i gënjyer dhe i kapur në befasi, i vuri gjoksin me trimëri luftës kundër agresorit. Por epërsia e armiqve në të gjitha drejtimet mposhti qëndresën e patriotëve. Vendi u pushtua nga bisha fashiste.

Populli i Fterrës pushtimin fashist e priti me urrejtje të madhe. Të gjithë burrat e fshatit, me të marrë vesh që ushtria italiane po zbarkonte në bregdetin tonë, u nisën vullnetarisht për të luftuar dhe u drejtuan për në Vlorë. Në afërsi të Kuçit, mbasi u informuan që ushtria italiane kishte zbarkuar në portet tona dhe vendi ishte pushtuar, u kthyen përsëri në fshat. Qëndrim urrejtjeje ndaj pushtuesit fashist mbajtën edhe të gjithë fterjotët që punonin në qytete e krahina të tjera të vendit e në mënyrë të veçantë, studentët në Normale të Elbasanit, gjimnazistët, arsimtarët, nëpunësit etj., shumë nga këta erdhën në fshat. Në bisedat midis tyre, ose me bashkëfshatarët, flitej me urrejtje për fashizmin italian, që së bashku me nazizmin gjerman, përbënin rrezikun dhe armikun më të madh të popujve.

Italia kishte planifikuar të realizonte italianizimin dhe fashistizimin e shqiptarëve. Komanda ushtarake përqëndroi në duart e veta udhëheqjen dhe kontrollin e forcave ushtarake, karabinierinë, rojet e kufirit, policinë etj. Në krye të forcave ushtarake, policore shqiptare vunë oficerët italianë. Vend të posaçëm zinte milicia fashiste. Mbështetje e pushtuesve u bënë klasat reaksionare, politikanët, nëpunësit e lartë, të cilët u futën të parët në partinë fashiste.

 

2.       Populli shqiptar ngrihet kundër regjimit të pushtimit. Rezistenca e popullit të Fterrës dhe Kurvelshit.

Pushtimi italian shënoi fillimin e një kthese kombëtare. Komunistët shqiptarë vendosën të ngrinin popullin në luftë e ta udhëhiqnin atë për çlirimin e atdheut. Alternativa ishte: Të ngrihej i gjithë populli me armë në dorë për të fituar lirinë e pavarësinë kombëtare. Demonstratat antifashiste ishin veprimet e para të mëdha politike. Ato shpërthyen nga nëntori 1939 në qytetet kryesore. Gjatë vitit 1940 u shtua rezistenca kundër pushtuesve dhe kuislingëve.

Urrejtja kundër pushtuesit fashist u shpreh edhe në Fterrë e Kurvelesh. Që në muajt e parë të pushtimit fshatarët kundërshtuan pagimin e taksave dhe xhelepit e si pasojë, në shtator 1939, karabinieria bëri arrestimet e para të fshatarëve që nuk paguan taksat në Kurvelesh. U bënë shumë sekuestrime. Fshatarët e Kurveleshit kundërshtuan gjithashtu edhe rekrutimin në milicinë fashiste.

Sapo shkelën ushtarët italianë në Shqipëri qeveria kuislinge urdhëroi të bëhej çarmatimi i plotë i popullit. Por fshatarët e Kurveleshit nuk e zbatuan këtë urdhër, i mbajtën armët në vend të sigurtë për të qenë të gatshëm për çdo rezistencë.

Shumë fterjotë punonin në krahina dhe qytete të ndryshme të vendit për të siguruar jetesën e familjeve të tyre. Ata ishin nëpunës të thjeshtë, punëtorë, disa djem që studionin në shkollat e mesme, shumë punonin si mësues në fshatra  të ndryshme etj. Në muajt e verës pjesa më e madhe e tyre vinin në vendlindje për të kaluar lejen e zakonshme ose pushimet verore. Inteligjenca e Fterrës ishte patriote, antifashiste dhe kundër pushtimit të vendit. Në takimet e përditshme në lokale, tek burimi në Ixuar, nëper dasma e takime familjare tema kryesore ishte ajo kundër robërisë fashiste, fillimet e rezistencës kundër okupatorit, për demonstratat e punëtorëve në Kuçovë, ku kishte edhe fterjotë, për demonstratat dhe revoltat në shkollat e mesme, ku mësonin edhe shumë djem të fshatit tonë e për shumë veprime të tjera antifashiste në mbarë vendin. Nga studentët e asaj kohe dalloheshin në mënyrë të veçantë Hiqmet Dusha, Turhan Mato e të tjerë.

Në vjeshtën e vitit 1940 Hiqmet Dusha erdhi mësues në Fterrë. Përshtypje të madhe ngjalli tek nxënësit e shkollës dhe prindërit e tyre fjala e tij me rastin e 28-vjetorit të Pavarësisë në nëntor 1940, i cili ndërmjet të tjerave tha: “Populli dhe rinia shqiptare nuk e durojnë dot robërinë, ne nuk i durojmë dot të huajt në vatrat tona. Për liri e pavarësi populli ynë ka derdhur shumë gjak dhe po ta lypë nevoja do të derdhë përsëri...”. Hiqmeti i porositi nxënësit e shkollës të mos nderonin allafashiste dhe në piknikun e organizuar në Bërdë u shpërndau gjithesëcilit flamurin kombëtar, që të mbanin vetëm atë nëpër duar. Nga fundi i vitit 1942, si shenjë e revoltës kundër regjimit, u hoq dhe u gris flamuri fashist në shkollë. Gjithashtu mosdërgimi i asnjë të riu nga Fterra në Itali, në aktivitete që organizonte partia fashiste, tregoi edhe njëherë urrejtjen fterjote për pushtuesin italian.

 

3.       Agresioni i Italisë fashiste kundër Greqisë dhe pasojat e saj për popullin e Fterrës.

Ushtria e Musolinit, pas pushtimit të vendit tonë, filloi përgatitjet për ta kthyer Shqipërinë në kryeurë për të sulmuar vendet e tjera të Ballkanit. Në tetor 1940 Italia sulmoi Greqinë. Pas dy javë luftimesh forcat fashiste u futën në territorin grek. Kundërshtimi që i bëri populli ynë regjimit të pushtimit u duk në qëndrimin ndaj këtij agresioni, që luftën e tyre quajti “luftë imperialiste e grabitqare”. Ai nuk u pajtua me të dhe bëri ç’ishte e mundur  për të ndihmuar popullin grek.

Ushtria greke i bëri një qëndresë të fortë sulmit të ushtrisë italiane. Pasi përballuan me sukses mësymjen e tyre, grekët kaluan në kundërmësymje dhe më 22 nëntor 1940 morën Korçën, Ersekën, Leskovikun dhe në fillim të dhjetorit Pogradecin dhe Gjirokastrën.

Në dhjetor ushtarët grekë u dukën në Rrëmullë të Fterrës. Një regjiment  hyri në fshat. Ata kaluan në kundërsulm nga Fterra e Çorraji dhe në darkë kapën Qafën  e Dërrasës.

Fshati ynë mbeti në vijën e frontit të luftës deri sa u ça mbrojtja italiane në Qafë të Dërrasës.

Zhvillimi i luftimeve dhe përqëndrimi i trupave greke në fshat solli dëme të mëdha në ekonomi. Pas pushtimit të Qafës së Dërrasës Fterra mbeti qendra e prapavijës së ushtrisë greke. Gjatë dy javëve ushtria greke mori ushqimin nga populli i Fterrës, po ashtu edhe bagëti të imta, gjedhe, zgjoj bletësh, shpendë, bereqet, kafshë ngarkese etj., u dëmtuan pemë frutore, agrume, ullinj dhe të mbjella. Pjesën më të madhe të shtëpive ushtria e vuri në përdorim të saj. Fshatarët u grumbulluan 2-3 familje bashkë. Burrat u mobilizuan në punë për ndërtim rrugësh. Përveç dëmeve materialeve, Fterra pati humbje edhe në njerëz. Nga bombardimet mbetën të vrarë Mato Dusha dhe Adem Mehmeti. Nga bombat e lëna nga ushtria ndërluftuese u vranë më pas edhe 4 të rinj: Eqerem Neim Zani, Lano Hajro Mërkuri, Omer Nuri Mita dhe Zihni Mero.

Gjatë kësaj periudhe jeta ekonomike e fshatit u paralizua, të lashtat u prishën, të vonat nuk u mblodhën, lidhjet me pjesëtarët e familjeve në qytetet e zonat e tjera u ndërprenë. Populli nuk pati asnjë të ardhur dhe varfëria u shtua më shumë.

Sakrificat e popullit në këtë periudhë flasin për qëndrim të vendosur të tij kundër agresionit italian dhe solidaritet me popullin grek. Por duhet kujtuar që, me të pushtuar krahinat e Shqipërisë së Jugut, qeveria dhe komanda greke e atëhershme u përpoqën të vinin në jetë planet shoviniste të borgjezisë grekomadhe për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës.

Pushtimi grek nuk zgjati shumë kohë. Gjermania naziste në prill 1941 sulmoi Greqinë nga Bullgaria e Rumania. Armatat italiane kaluan në sulm, ushtria greke kapitulloi dhe trupat italiane ripushtuan Shqipërinë e Jugut e u futën thellë në Greqi.

Me largimin e ushtrisë greke mbetën sheshit shumë armatime. Populli i grumbulloi ato e i mirëmbajti deri sa erdhi koha të ngrihej vetë në luftë të armatosur kundër okupatorit.

 

II. ORGANIZIMI DHE ZHVILLIMI I LUFTËS KUNDËR PUSHTUESVE ITALIANË NË FTERRË

GJATË VITEVE 1941-1943.

  1. Zgjerimi i Lëvizjes ANCL. Themelimi i PKSH. Hiqmet Dusha ideator i parë i Partisë në Fterrë. Fterra përkrah thirrjen për fillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesitt.

Pushtimi i vendit tonë dhe i shteteve të tjera të Ballkanit e Europës nga ushtritë nazifashiste nuk e çorientuan popullin tonë. Ai po përgatitej  për luftë, grevat dhe sabotimet e punëtorëve, protestat e fshatarëve, veprimet e grupeve të armatosura, siç ishin ato të Çetës së Pezës, akti i Vasil Laçit më 18 maj 1941, që qëlloi mbi Perandorin, dëshmuan për një gjallërim të Luftës ANCL në pranverën e vitit 1941.

Sulmi i Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, u prit me zemërim dhe indinjatë të thelle nga i gjithë populli dhe pati jehonë të madhe në jetën politike të vendit. Veprimi i organizimit të kryengritjes së armatosur u vu në rendin e ditës.

Më 8 nëntor 1941 komunistët krijuan në Tiranë Partinë Komuniste të Shqipërisë. Ajo mori përsipër bashkimin, organizimin dhe udhëheqjen e popullit në luftën për çlirimin kombëar. Thirrja dhe programi i saj u përhapën në tërë vendin. Kjo Thirrje erdhi edhe në Kurvelesh e në Fterrë. Në Fterrë e sollën studentët e Normales e të gjimnazeve, e sollën intelektualët e nëpunësit që ishin lidhur me vendlindjen e tyre.

Si dokument të shkruar, Thirrjen e Parë në Fterrë e dërgoi Komiteti Qarkor i Vlorës. Atë e solli Mehmet Kofina në dhjetor 1941, dorëzuar nga bashkëfshatari ynë Nimet Mita. Për të mos u diktuar rrugës nga kontrollet e armikut Thirrjen e kishin fshehur në samar të mushkës. Këto materiale iu dorëzuan Hiqmet Dushës e, me porosi të tij, e çuan edhe tek Qazim Pali në Borsh.

Hiqmet Dusha u bë ideatori i parë i Partisë në Fterrë. Në vitin 1940 ai mbaroi Shkollën Normale të Elbasanit. Aktivitetin revolucionar Hiqmeti e kishte filluar që kur ishte nxënës në Shkollën Normale. Në vitin 1939 për qëndrim antizogist u përjashtua nga shkolla për tre muaj. Më 7 prill 1939 mori pjesë aktive në demonstratën e studentëve normalistë kundër pushtimit fashist. Bënte pjesë në grupet simpatizante të udhëhequra nga komunistët dhe ishte një nga aktivistët e njohur në shkollë. Lidhja e tij me komunistët ishte e gjerë, jo vetëm me shokët e Elbasanit, por edhe me ata të Shkodrës e të Korçës. Me mbarimin e shkollës ai vajti në Bushat tek i vëllai Mehmeti, që në atë kohë ishtë sekretar komune në Bushat të Shkodrës, ku qendroi katër muaj deri sa i erdhi emërimi si mësues në Fterrë. Atje ai pati lidhje të rregullta me Grupin Komunist të Shkodrës, me Perlat Rexhepin, Muhamet Gjolleshën, Ndrec Ndue Gjokën, këtë të fundit e kishte pasur shok shkolle në Normale, e shumë shokë të tjerë.

Me fillimin e punës si mësues në Fterrë Hiqmeti u vu në krye të Lëvizjes Antifashiste në fshat. Për një kohë të shkurtër me sjelljen e tij, dashurinë dhe respektin që tregonte për bashkëfshatarët e nxënësit, Hiqmeti fitoi zemrën e të gjithëve. Ai i njihte mirë të gjithë bashkëfshatarët, dinte të shfrytëzonte hallet e tyre për të rritur urrejtjen ndaj pushtuesve, t’i sqaronte ata e t’i bindte për të kuptuar situatën, gjendjen e vërtetë në të cilën ndodhej vendi dhe ata vetë. Rreth tij u grumbulluan të gjithë fshatarët. Hiqmeti u bë përçuesi i parë i ideve të luftës kundër pushtuesve dhe çlirimit të vendit në Fterrë. Gjatë vitit 1941 ai shkoi dy herë në Tiranë ku mori takim me komunistë e antifashistë të njohur më parë. Sa herë që kthehej nga udhëtimi përsëriste: “Po shkojmë drejt një lufte më të organizuar kundër okupatorit”.

Në Kuç, natën e vitit të ri 1942, në postkomandën e karabinierisë, në zyrat e komunës, dyqane e vende të tjera publike, u ngjit trakti i parë PKSH nga komunistë kuçiotë. Ky trakt erdhi në Fterrë. Leximi i tij pati jehonë në popull.

Thirrja e Partisë për të filluar luftën e armatosur gjeti terrën të përshtatshëm. Në fillim të vitit 1942 në Kurvelesh e në Fterrë ishin pjekur kushtet për organizimin e kryengritjes së armatosur. Gjatë vitit 1942 në Fterrë u hodhën themelet e organizimit politik e ushtarak të Luftës ANCL. Populli i Fterrës, në çdo kohë, ndaj lirisë e pavarësisë është gjendur i gatshëm. Kujtojmë këtu luftrat dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë, shovinistëve  grekë, Luftën e Vlorës në vitin 1920, Revolucionin Demokratiko-Borgjez 1924. Shpirtin luftarak, mosnënshtrimin e fterrjoteve ndaj pushtimit fashist, ideatorët e Partisë në Fterrrë e në Kurvelesh i përdorën me sukses në dobi të Luftës ANCL. Prania në Fterrë e Hiqmet Dushës ishte një mbështetje e fortë për Partinë.

Në fillim të shkurtit 1942, i dërguar i parë i Partisë Komuniste në Fterrë erdhi Mustafa Matohiti. Ai mori kontakt me Hiqmet Dushën. Mustafai shtroi detyra të rëndësishme për punën që do të bëhej siç ishin: shtimi i radhëve të simpatizantëve, krijimi i këshillave NCL në fshatra, demaskimi i parrullave të pushtuesit, mosvajtja e fshatarëve milicë e ushtarë, mospagimi i taksave, paralizimi i kryepleqësive, pajtimi i gjaqeve, bashkimi i popullit në luftë kundër pushtuesit etj. Ai dha sqarime për situatën e brendshme e të jashtme, si dhe orientime e ndihmë konkrete se si duhej ndërtuar puna më tej për zbatimin e detyrave që shtroheshin.

Hiqmeti me zotësinë dhe pjekurinë e një aktivisti të shquar e kreu më së miri detyrën e ngarkuar nga Mustafai. Ai mori menjëherë kontakt me simpatizantë të Lëvizjes NCL e njerëz që urrenin pushtuesin fashist, të cilëve u shpjegoi me durim gjendjen dhe nevojën e organizimit të luftës çlirimtare kundër tyre. U bë punë individuale për ta lidhur fshatin me Lëvizjen ANCL. Në këtë periudhë bisedat bëheshin në grupe, veç e veç, shfrytëzoheshin njohjet, lidhjet e gjinisë, dasmat, gëzimet etj. Për zgjerimin e aktivitetit shërbenin bisedat politike kundër pushtuesit. Shtëpia e Hiqmetit u bë baza e parë e kryesore e Partisë në Fterrë. Familja e të afërmit e tij u vunë të tërë në dispozicion të Luftës. Ai krijoi rreth vetes një aktiv të mirë simpatizantësh, duke e shtuar atë gradualisht me shokë të tjerë dhe me rrethin e tyre familjar e farefisnor.

Në Qershor 1942 me iniciativën e Hiqmet Dushës, i ndihmuar edhe nga Shaban Mita, u bë në shtëpinë e Hiqmetit një mbledhje me një grup bashkëfshatarësh. Pjesëmarrësit u angazhuan se do të propagandonin kudo luftën kundër pushtuesit fashist.

Përveç Mustafait erdhën në Fterrë edhe ilegalë të tjerë si Memo Meto, Bedri Spahiu, Birçe Sinamati etj  Ardhja e tyre krijoi kushtet për një punë të organizuar. Me krijimin në Kuç, në maj 1942, të celulës së parë të Kurveleshit, puna propagandistike dhe organizative mori hov më të madh.

Partia e mbështetur tek Hiqmet Dusha realizoi lidhje me burra e të rinj që ishin gati të hidheshin në luftën kundër pushtuesit. Në këtë kohë Sheri Baboçi, shok i Hiqmet Dushës, dërgoi në Fterrë me Pasho Zhupën, i cili bashkë me disa fterjotë të tjerë kishte qënë në Pazar në Gjirokastër, Thirrjen e PKSH drejtuar popullit shqiptar në prill 1942. Hiqmeti e punoi individualisht e në grupe me bashkëfshatarët këtë Thirrje. Influencë të madhe ushtronin në familjet e në rrethin e tyre familjar, tek bashkëmoshatarët e bashkëfshatarët ata fterjotë që punonin në qytete e krahina të ndryshme të vendit si nëpunës, mësues e studentë që venin e iknin nga fshati sidomos në verë. Pushteti fashist dhe ai kuisling nuk mundi ta luante rolin që i ishte caktuar, kryepleqësia shërbente vetëm për lidhje administrative me komunën dhe nuk dilte dot jashtë kërkesave që shtronte fshati.

Ardhja disa herë në Fterrë e Mustafa Matohitit, Memo Metos e përfaqësues të Qarkorit ishte ndihmë e madhe për Hiqmetin. Ai bashkë me shokë të tjerë nga fshati përgatitën kushtet për një mbledhje të gjerë popullore në Fterrë.

 

  1. Krijimi i Frontit Nacionalçlirimtar, Këshillit ANCL dhe njësitit të parë vullnetar në Fterrë.

Mbledhja e burrave të fshatit u zhvillua më 27 qershor 1942 tek “Kroi i Bedrinit”. Kjo mbledhje ishte kuvendi më i rëndësishëm popullor në fshat. Ajo hodhi bazat e bashkimit politik të popullit të Fterrës. Në të mori pjesë sekretari politik i Qarkorit të Partisë të Gjirokastrës Bedri Spahiu. U fol për situatën e brendshme e të jashtme, gjendjen e rëndë ekonomike të fshatarësisë dhe u shtruan direktivat për organizimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. U theksua që të gjithë ata që duan lirinë e popullit të bashkohen në Frontin NCL. Detyra e njerëzve të aftë është lufta. Kësaj i shërbeu krijimi i çetës vullnetare, formimi i Këshillit NCL, si embrion i pushtetit të ri të popullit. Mbledhja tek Kroi i Bedrinit dhe konkluzioni i diskutimeve ishte që: janë të gjitha mundësitë të bashkohemi në një front të vetëm, të luftojmë armikun, të prishim kryepleqësinë, të formojmë Këshillin NCL e njësitin guerril.

Lufta për të fituar pavarësinë ishte rrënjosur thellë tek fterjotët. Diskutimet më interesante në këtë mbledhje ishin ato të Adem Lonës, Iljaz Kofinës, Xhafer Matos, Muhedin Hadërit e shumë burrave te tjerë që e morën fjalën. Ata shprehën urrejtjen ndaj pushtuesit fashist, shfaqën patriotizmin e tyre të flaktë, dhanë fjalën që populli i Fterrës do të qëndronte e luftonte në anën e Lëvizjes ANCL.

Pati edhe mendime që luftën ta organizojë paria e fshatit. Por këto u shprehën në takime të veçanta, ndërsa në mbledhje argumentat bindëse, patriotizmi i shumicës, bëri që pozitat e lëkundura të mos influencojnë.

Duke u bazuar në diskutimet dhe direktivat e të deleguarit u propozua të krijohet Këshilli NCL dhe çeta vullnetare e fshatit, njësiti i parë i armatosur në Fterrë. Pas propozimeve dhe diskutimeve të lira për kandidaturat në mënyrë demokratike u zgjodh Këshilli NCL i përbërë nga pesë vetë me kryetar Mehmet Çallon. Në çetë u regjistruan vullnetarisht 25 vetë. Komandanti i parë i çetës u zgjodh Lazo Kofina dhe zv.komandant Muhedin Hadëri. Përgjegjës politik në çetën vullnetare u caktua Hiqmet Dusha, ndërsa ndihmës Shaban Mita. Përveç këtyre në çetë u regjistruan vullnetarisht Shyqyri Sadikaj, Dervish Shkurti, Adem Lona, Fuat Mato, Pasho Zhupa, Rufet Ruko, Mustehak Çallo, Nuri Mita, Vehip Mero, Zihni Mero, Malo Malaj, Razip Gjoni, Kamber Brinja, e të tjerë. Me rritjen dhe shkallëzimin e Luftës ANCL Çeta e Fterrës ka pasur ndryshime. Një pjesë kaluan në formacionet partizane, të tjerë erdhën në Fterrë pas formimit të njësitit të parë e me radhë. Në përbërje te çetës, në periudhat e mëvonshme morën pjesë Mehmet Dusha, Safet Memi, Bilal Dusha, Eqerem Kofina, Dilaver Shkurti, Resul Mita, Halil Mato, Lutfi Dusha, Ismet Elezi, Nafiz Bezhani, Osmën Memi, Veli Mehmeti, Fuat Brinja, Nevzat Brinja, Nazmi Brinja, Bexhet Brinja, Damo Gjoni, Uzeir Shkurti, Sinan Ruko, Axhem Gjoni, Naxhi Zhupa, Remzi Braho, Sefto Gjoni, Sami Kofina, Shefqet Brinja, Shyqyri Shkurti, Ahmet Haxhiu, Nejazi Zhupa, Levend Gjoni, Hetem Malo, Habil Hizmo, Azem Çeli, Ajaz Lagji, Halil Hizmo, Azem Gjoni, Bastri Dauti, Hivzi Kofina, Lavdosh Zani, Mezan Shkurti, Hamza Mehmeti, Rait Braho, Sadik Mehmeti, Qenan Gjoni, Selim Avreci, Muhamet Malo, Mufit Haxhiu, Aqif Shkurti, Xhevit Zhupa, si dhe këshilltarët Lame Xhama, Neim Zani, Belul Brinja, Sherif Dusha, Shefqet Shkurti, Zilfo Malo, Xhevdet Kofina, Qazim Gjoni, Qemal Mehmeti, Shefki Mita.

Njësiti vullnetar zbatonte vendimet e Këshillit NCL, njëkohësisht bashkëpunonte me Çetën Partizane të Kurveleshit. Pas aksionit në postbllokun e Borshit me 27 janar 1943, eliminimin e administratës fashiste në Kuç dhe në nënprefekturën e Gusmarit, Çeta Vullnetare e Fterrës e pagëzuar me emrin “Fuat Mato”, në prill 1943, u përfshi në Batalionin Territorial të Kurveleshit të Poshtëm “Ismail Hakiu”, me komisar Memo Meton.

Njësitit të fshatit iu caktuan këto detyra :

  1. Ngarkohej të bënte roje në Breg të Borshe, Qafën e Shënthanasit, Qafën e Hamuriqeve dhe Majën e Kishës, për të lajmëruar depërtimin eventual të armikut në Kurvelesh.
  2. Të ishte në gatishmëri, që me të marrë sinjalin, të zinte prita përreth fshatit ose të shkonte në ndihmë të çetave të tjera të Kurveleshit.
  3. Çeta vullnetare e fshatit u bë një burim i rëndësishëm për përgatitjen e vullnetarëve për në repartet partizane.

Të nesërmen e mbledhjes tek “Kroi i Bedrinit” u bë një takim tjetër i Sekretarit Politik të Qarkut, Bedri Spahiut, me këshilltarët, udhëheqjen e çetës dhe aktivistë afër burimit të Ngurrëzës. Atje u caktuan detyrat që shtronte situata, u dhanë porosi për forcimin e unitetit të fshatit në favor të Luftës ANCL.

Uniteti i treguar për krijimin e Këshillit NCL dhe çetës vullnetare të Fterrës u çmua shumë dhe u muar si shembull pozitiv në mbledhjet e organizuara nga të deleguarit në fshatrat e tjera.

Vendimet e Konferencës së Pezës erdhën në Fterrë në tetorin e 1942. Njohja me to i dha shtytje të mëtejshme punës për zgjerimin e thellimin e luftës pa kompromis kundër pushtuesve dhe fillimin e aksioneve të armatosura.

Puna në Këshillin NCL të fshatit u riorganizua dhe, në përputhje me to, u bënë zgjedhje të reja.

Edhe më pas, gjatë viteve 1943-1944 janë bërë ndryshime në përbërjen e këshillit, por më të qëndrueshëm kanë qenë Mehmet Dusha, Mehmet Çallo, Safet Memi, Shaban Mita, Lame Xhama, Sherif Dusha, Neim Zani, Halil Mato, Belul Brinja, Shefqet Shkurti, Kamber Brinja, Qazim Gjoni, Zilfo Malo.

Në drejtim të çetës vullnetare të fshatit, nga krijimi i saj deri në çlirim të vendit si përgjegjesa politikë kanë qenë:

Hiqmet Dusha nga krijimi i çetës deri në qershor 1943, kur vajti si komisar i Çetës së Kurveleshit “Toto Bolena”; qershor 1943 - dhjetor 1943 u caktua Mehmet Dusha, i cili më 19 dhjetor 1943 u largua me detyrën e komisarit të Batalionit “Dëshnica të Përmetit”; 19 dhjetor 1943 - deri në çlirimin e vendit ka qenë Safet Memi. Shaban Mita ka qenë zv/përgjegjes politik.

Komandant i çetës nga fillimi deri në fund të qershorit 1943 ka qenë Iljaz Kofina me zv/komandant Muhedin Hadërin. Nga kjo kohë deri në gusht 1944 Shyqyri Sadikaj, i cili në gusht 1944 shkoi vullnetar në Brigadën e 12-të S., ku u caktua me detyrë komandant kompanie. Komandant i një pjese të çetës, kur kjo ndahej dhe komandant i rojes partizane ka qenë Halil Mato. Komandant i rojes partizane nga krijimi i çetës deri në shtator 1943 ka qenë Dervish Shkurti. Anëtarë të Këshillit Krahinor të Kurveleshit kanë qenë Mehmet Dusha, Safet Memi, Halil Mato dhe Qemal Mehmeti.

Këshilli ANCL gjatë periudhës së Luftës ANCL ka kryer këto detyra: Nxirrte vullnetarë nga Çeta Territoriale e Fterrës për në çetat, batalionet dhe brigadat patizane, vendoste rregullin dhe qetësinë në fshat, siguronte ushqim, strehim dhe organizonte mbledhje ndihmash për partizanët, kujdesej për ushqimin e popullit dhe ndërtimin e shtëpive të djegura gjatë operacioneve, organizonte arsimimin e fëmijëve, sidomos gjatë vitit 1944 kur u hapën shkollat në zonat e lira, ushtronte pushtetin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale në fshat etj. Mungesa e bukës ka qenë preokupacion i vazhdueshëm për këshillin e fshatit.

Operacionet armike, djegjet dhe shkatërrimet e tyre e varfëronin edhe më shumë popullin. Partizanët gjithashtu duheshin furnizuar. Në raste të tilla Këshilli ANCL u bënte thirrje çobanëve fterjotë që banonin në mal me bagëti, që qumështin ta bënin djathë të njomë e t’ua jepnin fshatarëve falas. Kjo praktikohej sidomos pas operacioneve armike.

Pas formimit të Këshillit ANCL dhe njësitit vullnetar pati një rritje të dukshme të aktivitetit në favor të Luftës ANCL. Në verë, si gjithonë, në Fterrë grumbulloheshin shumë fshatarë për të kaluar lejet e zakonshme, si nëpunës, mësues e studentë për të kaluar pushimet verore. Shumë nga këta morën pjesë edhe në mbledhjen tek “Kroi i Bedrinit”. Në takimet e përditshme bisedat silleshin rreth kryengritjes së armatosur, flitej për aktet heroike të të rinjve  antifashistë, për demonstratat e studentëve të Normales së Elbasanit, Gjimnazit të Shkodrës, për aksionet e Çetës së Pezës, për rritjen e rezistencës anembanë Shqipërisë etj.

 

  1. Rritja e Lëvizjes ANCL. Fillimi i aksioneve të armatosura. Shkatërrimi i pushtetit fashist në Kuç e Gusmar dhe çlirimi i krahinës së Kurveleshit nga pushtuesit.

Pas Konferencës së Pezës veprimtaria e çetave në drejtim të spastrimit të krahinave malore nga organizmat e pushtetit okupues, u zgjerua. Çeta e parë e Kurveleshit, e formuar në muajin prill 1942, kishte filluar me kohë aksionet e armatosura. Në qershor 1942 u vra prefekti i Kurveleshit Novrus Thaçi. Më 21 gusht u godit një patrullë policësh në Progonat.

Nga aksionet e veçuara, u mendua se kishte ardhur koha për aksione të një shkalle më të gjerë, që do të çonin në çlirimin e Kurveleshit nga administrata fashiste. Më 11 nëntor 1942 Çeta e Kurveleshit bashkë me Çetën Vullnetare të Kuçit sulmoi postkomandën e xhandarmërisë dhe repartin e milicisë në Kuç. U vra komandanti italian, u çarmatosën 70 xhandarë e milicë dhe u liruan të arrestuarit. Që nga kjo kohë fashistët nuk mundën të rivendosnin më pushtetin e tyre ushtarak në Kuç. Kurveleshi i Poshtëm mbeti zonë e lirë.

Fterrës i takonte të luante rolin e avanpostit të zonës së lirë në anën Jugore të Kurveleshit.

Me krijimin e zonës së lirë, puna mori një frymëmarrje më të gjerë. Partizanët dhe njësitet vullnetare lëviznin lirisht. Në këtë kohë ishte pengesë qendra e nënprefekturës në Gusmar me aparatin administrativ, komandën e xhandarmërisë e milicinë. Më 27 nëntor 1942, në prag të 30-vjetorit të Pavarësisë, në fshatrat e Kurveleshit, duke përfshirë edhe Fterrën, u dha njoftimi që lajmëronte grumbullimin e çetave për të kryer një aksion të rëndësishëm. Në këtë aksion morën pjesë edhe vullnetarë nga Fterra, ndërmjet tyre Hiqmet Dusha e Iljaz Kofina. Në mbrëmje të kësaj dite, në një mot të ftohtë, me shi  e breshër, rreth 250 partizanë e fshatarë të armatosur iu afruan nënprefekturës. Rrethuan armikun nga të gjitha anët. Nënprefekti me 100 vetë, ushtarë, karabinierë e milicë, u detyruan të dorëzoheshin. Në Gusmarin e çliruar u bë festë e madhe. Morën pjesë partizanë e popull nga të gjitha fshatrat. Mustafa Matohiti mbajti një fjalim të zjarrtë. Midis të tjerave ai tha: “Lufta antifashiste po përhapet në të gjithë Shqipërinë, betejat e ardhshme kërkojnë sakrifica dhe besim të patundur për arritjen e fitores...”

Nga kjo kohë Kurveleshi, duke përfshirë edhe Fterrën, mbeti zonë e lirë që qeverisej nga këshillat nacional çlirimatare. Gjatë operacioneve ndëshkimore pushtuesit shkelën disa herë Kurveleshin, por asnjëherë nuk mundën të qëndronin aty për një kohë të gjatë.

Pas aksionit të nënprefekturës së Gusmarit, në dhjetor 1942, krijohet çeta e dytë e Kurveleshit me emrin “Hajredin Tremishti”, në të cilën bënte pjesë edhe Shefqet Brinja nga Fterra. Në zbatim të detyrave, për periudha të shkurtëra, në këto çeta kanë marrë pjesë edhe luftëtarë të tjerë të Çetës së Fterrës.

 

4. Operacioni i parë fashist në Kurvelesh. Rritja e rezistencës së popullit kundër okupatorit.

Me çlirimin e Kurveleshit armiku nuk mund të pajtohej. Të pasnesërmen e çlirimit të Gusmarit, me urdhër të posaçëm të mëkëmbësit të mbretit italian, fashistit Jakomoni, dhe kryeministrit Mustafa Kruja, forcat fashiste kryen një operacion spastrimi kundër popullit dhe forcave partizane të shoqëruar me vrasje, djegje, plaçkitje me qëllim që të shuanin lufën partizane, të frikësonin e nënshtronin popullin dhe të rivendosnin pushtetin fashist në të gjithë krahinën.

Forcat fashiste u drejtuan nga komandanti i karabinierisë dhe prefekti i Gjirokastrës Tahir Kolgjini. Komanda e operacionit u përforcua me ushtarë të Divizionit “Parma” dhe me avionë vëzhgimi për bashkëveprim me kolonat fashiste, zbulim të forcave partizane dhe bombardim të fshatrave të krahinës. Armiku nuk e pati të lehtë. Partizanët e vullnetarët e çetave zunë shtigjet e Kurveleshit të Sipërm, shtigjet e Kuçit, Bolenës, Kallaratit, Çorrajt e Fterrës. Fashistët, megjithë goditjet që morën, kishin epërsi në njerëz dhe armatime. Ata arritën të futen në Gusmar, (por edhe aty nuk qëndruan të qetë, sepse partizanët dhe fshatarët i goditnin çdo natë). Pas dy javësh, mbasi dogjën fshatra të tëra, vranë pleq, gra e fëmijë, armiku u largua pa ia arritur qëllimit të shkatërronin çetat partizane, të çarmatosnin popullin dhe të rivendosnin pushtetin fashist.

Në këtë kohë dolën këngët e njohura të Memo Metos, që përjetësuan ngjarjet si :

Kurvelesh zemëra ime, Kurvelesh,

Ç’janë këto lajmërime, Kurvelesh,

Të dërgon Duçja “Lëvdime”, Kurvelesh,

Se do bëhen bombardime, Kurvelesh,

Shtëpi, plaçka e thërrime, Kurvelesh,

Zjarr e flak e shkatërrime, Kurvelesh,

Do mbeten foshnjat jetime, Kurvelesh,

Nga Kolgjini dhe Merlika, Kurvelesh…

Ose kënga tjetër për prefektin tradhtar e të shitur :

Këtu na erdhi prefekti,

Shpërndan afishe miletit,

Ca me firma të dovletit,

Ca me firma të prefektit,

Ky prefekti nur, o nur,

Gjysma turk, gjysma kaur,

Dhe një natë që ra një mur,

Vate u fut në haur,

Në haur u fut i ngrati,

Atje ishte edhe veshëgjati.

Pas dështimit të këtij operacioni fashist në Kurvelesh, puna u shtri edhe në fshatrat e Bregdetit, Rrëzomës, Delvinës, Konispolit, Kardhiqit, Tepelenës, Lumit të Vlorës, duke vendosur lidhje e bashkërenduar veprimet e çetave partizane e vullnetare të këtyre zonave. Këto lidhje, për Delvinë e Sarandë, realizoheshin shpesh nëpërmjet Fterrës. Kështu Çeta e Fterrës e shtriu aktivitetin edhe më tej. Në dhjetor 1942, një pjesë e çetës shkoi në ndihmë të çetave të tjera në Kurveleshin e Sipërm, pjesa tjetër qëndroi në Fterrë, duke kryer shërbimin në Bregun e Borshe, Shënthanas, Galile, Hamurriqe.

 

5. Veprimet luftarake të Çetës Territoriale të Fterrës. Sulmi mbi postbllokun e Borshit. Fuat Mato dëshmor i parë i Fterrës dhe i rinisë së Kurveleshit.

Në fillim të vitit 1943 ishin krijuar kushte për veprime luftarake kundër forcave të armikut të përqëndruara në rrugët e komunikacionit. Në Fterrë erdhi Çeta Partizane “Hajredin Tremishti” e drejtuar nga zv/komandanti i saj Xheladin Beqiri. Mbas takimit me Këshillin NCL dhe Çetën e Fterrës, u vendos që të sulmoheshin forcat italiane në Postbllokun fashist të Borshit, ku qëndronte një togë armike. Çeta e Fterrës e kishte nisur aktivitetin e saj më 27 qershor 1942, por në fakt veprimi i parë luftarak fillon me këtë aksion. Në kthesë të rrugës për në Fterrë armiku kishte ndërtuar një qendër zjarri, e cila shërbente për vrojtim e luftim. Më 26 janar, nga Çeta e Fterrës u morën të dhëna zbuluese mbi forcat dhe armatimin e armikut. Çeta partizane “Hajredin Tremishti” dhe ajo e Fterrës u vendos në pjesën nga Burimi i Ixorit deri në kthesën e parë të rrugës që vjen nga Fterra, ballë për ballë me mitrolozin e rëndë. Sulmi u bë në orën një pas mesnate dhe vazhdoi deri në orën tre e gjysëm të datës 27 janar. Fashistëve u erdhën në ndihmë forca të tjera nga Suga. Çeta iu afrua armikut deri në distancën e hedhjes së granatave. U vranë disa ushtarë, u plagos një oficer dhe një ushtar u zu rob. Në këtë aksion Çeta e Fterrës ishte nën goditjen kryesore të armikut. Dëmet nga ana jonë ishin një i vrarë dhe një i plagosur, të dy luftëtarë të Çetës së Fterrës.

Në këtë aksion mbeti i vrarë dëshmori i parë i Fterrës dhe i rinisë së Kurveleshit FUAT MATO, që ra në afërsi të drejtpërdrejtë të mitrolozit armik. Trupin e tij e tërhoqën me vështirësi Vehip Mero e Pasho Zhupa. Në këtë aksion u plagos Shyqyri Sadikaj.

Nga Çeta e Fterrës morën pjesë 18 vetë midis të cilëve: Hiqmet Dusha. Iljaz Kofina, Shaban Mita, Shyqyri Sadikaj, Fuat Mato, Veli Mehmeti, Habil Hizmo, Vehip Mero, Zihni Mero, Pasho Zhupa, Azem Çeli, Rufet Ruko, Muhedin Hadëri, Safet Gjoni, Nurçe Gjoni etj.

Menjëherë populli i Fterrës i ngriti këngë dëshmorit të tij të parë, trimit FUAT MATO, këngë që u këndua vazhdimisht gjatë Luftës e pas Çlirimit të vendit nga populli i Fterrës e në Kurvelesh:

…E zeza natë e janarit

Në postbllok plasi zjarri

Kush u hodh në sulm i pari,

Djal’ i vogël i Jasharit,

Fuati, petrit i malit....

Varrimi i Fuatit u bë më më 28 janar 1943. Hiqmet Dusha në emër të bashkëluftëtarëve, të rinisë dhe të fshatarëve u betua që “Fterra do të qëndrojë përherë me Luftën NCL dhe Fuatit do t’ia marrim hakun ...” Ai i bëri thirrje rinisë të tregohej e gatshme për të marrë pjesë në aksione të tjera kundër armikut. Memo Metua i shprehu Nënë Fatimesë ngushëllimet dhe po atë ditë, i frymëzuar nga qëndrimi heroik i saj ai ngriti vjershën e njohur “Se liria i ka rrënjët mu në gjak”:

Pas tre ditësh erdhën në Fterrë për t’u betuar tek varri i Fuatit përfaqësues të rinisë së Kurveleshit. Para tyre mbajti një fjalim të zjarrtë Birçe Sinamati, që ngriti peshë zemrat e gjithë pjesëmarrësve. Të frymëzuar nga kjo ngjarje, shumë nga të rinjtë shtuan radhët partizane. Të njëjtën gjë bëri edhe vëllai më i madh i Fuatit, Turhani. Në atë kohë ai ishte student në Normalen e Elbasanit. Më 1 maj 1943, bashkë me 100 shokë të tjerë normaliste, braktisi mësimet dhe doli partizan. Turhani u rrjeshtua në Çetën e Dumresë e më pas në Brigadën e I-rë S. Në shtator 1943 ai u pranua në PKSH dhe u caktua zv/komisar i Kompanisë së Mortajeve të kësaj brigade. Ra dëshmor gjatë luftimeve për çlirimin e Pogradecit në maj 1944.

 

  1. Përpjekjet e armiqve për të penguar Luftën ANCL. Lindja e Ballit Kombëtar. Fterra i qëndron besnik fjalës së dhënë

Fashistët, për ta pasur më të lehtë sabotimin e Luftës ANCL në Kurvelesh, përdorën futjen e spiunëve në zonat e lira Në shkurt 1943 dërguan në Kurveleshin e Poshtëm një oficer të zbulimit ushtarak. Ai u paraqit si i arratisur antifashist. Në Fterrë, me porosi të Hiqmet Dushës, ai u shoqërua për në Kuç. Në këtë kohë italianët përgatiteshin të kryenin një operacion të madh në Kurveleshin e Poshtëm. Agjenti me të dhënat e grumbulluara përgatiti një letër, të cilën ia dha një fshatari nga Kuçi që ta postonte në Himarë. Letra do të binte në duart e zbulimit italian në Vlorë. Ajo u kap, sepse partizanët ishin vigjilentë. Në të thuhej : “Ndodhem karshi ishullit të Korfuzit, 20 km në thellësi. Këtu ka portokalle dhe ullinj. Më propozojnë të fejohem më një vajzë. Që fejesa të dalë më sukses, më duhen 2000 lireta”.  Përmbajtja ishte: “Në Kurvelesh ka partizanë (portokalle) dhe ullinj (fashistë). Për të kryer operacionin duheshin 2000 forca”. Gjyqi partizan këtij spiuni i dha dënimin e merituar.

Rast tjetër ishte ai i ushtarit italian që u kap në postbllokun e Borshit, të cilin e liruan. Në kolonën e ushtarëve të operacionit fashist të prillit që erdhi nga Saranda në Fterrë e Kuç, ai u tregonte eprorëve të tij shtëpitë ku strehoheshin partizanët, të cilat pastaj u dogjën.

Në nëntor 1943 u krijua Organizata e Ballit Kombëtar. U propagandua se ekziston një organizatë nacionaliste që ishte për bashkimin e shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit. Partia i bëri thirrje Ballit Kombëtar që të bashkohej me Luftën Antifashiste NCL si pjesëtarë të Frontit NCL. Por në janar-mars 1943 krerët e Ballit Kombëtar nënshkruan një sërë marrëveshjesh me pushtuesit. Ata synonin të siguronin pushtetin politik pas mundjes së Italisë fashiste dhe të neutralizonin Frontin ANCL. Sabotuan përpjekjet për luftë të përbashkët e ndërmorën veprime për të shuar Lëvizjen ANCL.

Në mars 1943 erdhi në Fterrë eksponenti i Ballit Kombëtar në Qarkun e Gjirokastrës, Ismail Golemi. Përveç Hiqmet Dushës e Mehmet Dushës  në mbledhjen e organizuar në fshat ishte dhe Birçe Sinamati nga Kuçi. Ismaili u mundua t’u mbushte mendjen burrave të Fterrës se “Italia është akoma e fortë” .... “Nuk ka ardhur akoma koha për luftë, po të luftohej do të merrej populli në qafë, do të kishte vrasje, djegje e persekutime, prandaj nuk duhej vajtur pas komunistëve...”. Por fjalët e tij nuk pinë ujë. Burrat e Fterrës, të cilët shihnin e kuptuan se kujt i shërbente kjo organizatë, qëndruan përkrah Frontit NCL e nuk u lëkundën nga fjala e dhënë e vendimi i tyre. Fterjotët, Hiqmeti, Mehmeti e Birçja i hodhën poshtë me argumente propagandën e nuk pranuan propozimet e tij. Ismail Golemi, nëpërmjet Lugut të Fterrës, iku nga kishte ardhur.

 

  1. Operacioni armik i prillit 1943 në Kurvelesh dhe qëndrimi i popullit të Fterrës.

Në pranverë 1943 në zonat malore të Vlorës dhe Gjirokastrës ishin ngritur baza partizane, të cilat mbanin nën goditje rrugët e komunikacionit. Kurveleshi ishte një nga bazat më të forta. Çetat partizane dhe territoriale ishin bërë zot të krahinës. Këshillat NCL vepronin ngado si i vetmi pushtet i popullit.

Në këto kushte, fashistët vendosën të kryenin në Kurvelesh një operacion spastrimi nga pesë drejtime, me epiqendër Kuçin. Ata shpresonin t’i jepnin një grusht dërrmues Lëvizjes NCL që kishte marrë përmasa të gjera. Kjo do t’u shërbente për të vendosur pushtetin fashist, që populli i Kurveleshit e kishte përmbysur.

Forcat italiane sulmuan nga Himara, Tepelena, Gjirokastra për në zemër të Kurveleshit. Ata parashikonin që me goditje nga disa drejtime, t’i detyronin forcat partizane të tërhiqeshin, t’i rrethonin ato me epiqendër Kuçin dhe pastaj të sulmonin për t’i shkatërruar.

Çeta Vullnetare e Fterrës dhe pak partizanë qëndruan në pozicione e në vëzhgim në Borsh të Vjetër dhe pastaj do të zinin rajonin Rripa e Cjepurit e Bërdë. Fashistët të grumbulluar në Ixuar të Borshit, mund të sulmonin në çdo kohë dhe populli nuk duhej të gjendej në befasi. Më 15 prill fashistët hynë në Fterrë pa ndeshur në rezistencë, mbasi erdhi urdhëri për tërheqje. Nëpër lumin Shushicë përparonte një batalion armik.

Populli i Fterrës u largua në pyjet e Koritës, Moçalin e Çoke, Lugun e Thellë, Cmarte e gjetkë, duke marrë me vete vetëm pak sende të nevojshme për jetesë. Në Fterrë fashistët arrestuan dhe morën me vete 10 fshatarë, kryesisht pleq, të cilët qëndruan për të ndikuar në mosdjegjen e shtëpive të fshatit. Ata i çuan në Vlorë, i mbajtën të izoluar dhe pas një kohe i liruan. Me të hyrë në Fterrë ushtria italiane dogji 20 shtëpi dhe grabiti pasurinë e bagëtinë, bashkë me kafshët e punës që gjetën përpara.

Kurveleshi u përshkua me zjarr nga trupat fashiste. Karabinieria ushtroi terror, dogji shtëpitë, vranë e arrestuan simpatizantë që nuk mundën të iknin nga fshatrat. Forcat armike qëndruan deri më 22 prill 1943.

Dëmet ishin të shumta. Në një komunikatë të luftës thuhej: “Kurveleshi u qëllua befas. Fashizmi dogji, plaçkiti, shkatërroi në mënyrë fashiste. Me qindra fëmijë kanë ngelur pa bukë, pa strehë. Fashistët dogjën Kuçin, një pjesë të Fterrës, të Bolenës, disa shtëpi në Progonat e Nivicë.”

Megjithatë armiqtë nuk mundën të shkatërronin e të dëmtonin asnjë nga repartet partizane ose nga çetat territoriale të Kurveleshit. Operacioni armik, jo vetëm që nuk lëkundi besimin e popullit në fitoren e Luftës ANCL, por përkundrazi e shtoi urrejtjen ndaj pushtuesit.

 

  1. Qëndrimi përbuzës i fterjotëve ndaj prefektit të Gjirokastrës.

Autoritetet kuislinge të Gjirokastrës, që të ruanin njëfarë kredie për vete në popullin e Kurveleshit dhe për të zbutur zemërimin e madh që kishte përfshirë fshatarët për shkak të mizorive që kishin kryer fashistët italianë në Operacionin e Prillit, menduan t’u shpërndanin fshatarëve një sasi të hollash dhe misër në formë dëmshpërblimi. Shpërndarjen e ndihmave e mori në dorë prefekti i Gjirokastrës Rasim Babameto, i cili erdhi në Kurvelesh të Poshtëm me një suitë të madhe që të ndante lëmoshën e pushtuesit, duke dashur të tregojë njëkohësisht “dhembshurinë” e kuislingëve për fatkeqësinë që e kishte goditur popullin.

Më datën 19 maj 1943 prefekti erdhi në Fterrë. Kërkoi të bënte takim me burrat e fshatit. Takimi u bë në shtëpinë e Neim Zanit. Në këtë takim ishin disa fshatarë dhe Hiqmet Dusha e Mustafa Matohiti, i cili u paraqit si mësues në Çorraj. Mbasi dëgjuan pallavrat e prefektit, ndërhynë Mustafai e Hiqmeti duke u thënë: “Megjithëse ju i quani komunistët të shitur ata hanë vetëm bukën e tyre, kurse ju hani në çanakun e fashizmit dhe me të hollat e tij keni ardhur këtu të na ofroni ndihmën tuaj “bujare”. Kjo tregon se komunistët janë bij të popullit që luftojnë për çlirimin e atdheut dhe jo të shitur, prandaj mos u mundoni t’i mbushni mendjen njeriu se nuk ju dëgjon kush…”

Kjo përgjigje elektrizoi gjendjen dhe shumë nga pjesëmarrësit i thanë prefektit që operacioni në Kurvelesh ishte kryer me dijeninë dhe miratimin e tij. Në fund fshatarët njëzëri nuk i pranuan ndihmat e fashizmit. Të nesërmen prefekti shkoi në Kuç ku mori të njëjtën përgjigje nga populli i Kuçit.

Pas operacionit armik të prilllit nga persona të veçantë në fshat pati edhe ndonjë lëkundje ndaj Luftës ANCL, që synonin rivendosjen e pushtetit të vjetër, por këto mendime u hodhën poshtë nga populli i Fterrës.

9. Çeta e Fterrës zgjeron aktivitetin edhe jashtë territorit të saj. Në Fterrë inaugurohet Çeta Partizane “Toto Bolena”. Hiqmet Dusha bie dëshmor në Libohovë. Populli i Fterrës betohet për të dytën herë.

Uniteti i popullit të Fterrës forcohej çdo ditë. Çeta vullnetare e inkuadruar në Batalionin Territorial të Kurveleshit të Poshtëm, shtoi aktivitetin edhe jashtë fshatit si në Kurveleshin e Sipërm, Mesaplik, Rrëzomë etj. Ajo zakonisht rrinte në pozicione në kufi me Borshin, e gatshme për t’u mbrojtur nga sulmet e fashistëve. Por, duke filluar nga maji 1943, bashkë me çetën e Kuçit shkoi në Gusmar për t’u ardhur në ndihmë forcave partizane pas operacionit armik të prillit, ku fashistët kishin arrestuar e dërguar shumë burra në kampet e përqëndrimit. Nga Smokthina ajo u kthye në fshat e qëndroi në pozicione, përsëri në gatishmëri në drejtim të Borshit.

Në qershor, pjesëtarë të Çetës së Fterrës, bashkë me Çetën “Hajredin Tremishti” nëpërmjet Kurveleshit të Sipërm, shkuan në fshatrat e Kardhiqit e të Rrëzomës, ku zhvilluan aktivitete politiko-propagandistike. Ata hapën gjithashtu edhe depot e drithit të mbledhur nga pushtuesit dhe ua shpërndanë atë fshatarëve.

Në fillim të gushtit, një pjesë e Çetës së Fterrës, e udhëhequr nga Mehmet Dusha, së bashku me atë Kuçit, shkuan në Kurveleshin e Sipërm, ku krerët reaksionarë të Nivicës kërcënonin Çetën e Bregut që ndodhej në Qafën e Kreshtës. Çeta shkoi gjithashtu në Gusmar e Rexhin në mbrojtje të bazave të Lëvizjes NCL dhe mori pjesë në debatin politik me tradhtarin Tahir Kolgjini.

            Pas kësaj çeta, kryesuar nga Mehmet Dusha, u caktua me detyrë që të shoqëronte dhe siguronte përfaqësuesit e Frontit NCL në debatin politik që do të bëhej në Vaun e Dafinës me krerët e Ballit Kombëtar. Diskutimet e mbajtura dhe fjala e Memo Metos në mbrojtje të Luftës ANCL dhe organizimit të aksioneve kundër pushtuesit fashist u mbështetën nga pjesëmarrësit dhe i

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode