Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Patriotizmi i fterioteve ne rrjedhen e historise

PATRIOTIZMI I FTERJOTËVE NË RRJEDHËN

E HISTORISË

 

Ne fterjotët, që kemi ardhur sot në këtë takim të bukur bashkëfshatarësh e miqsh, bashkëkohës të shekullit të 20-të, me moshë të ndryshme, nga të rinjtë deri te të moshuarit, që po kapim shekullin e ri, jemi të gëzuar që bashkohemi dhe takohemi në vendlindjen e të parëve tanë për shumë shekuj, në vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve tanë, në Fterrën tonë, ku për herë të parë pamë dritën e diellit dhe shqiptuam fjalët Nënë e Baba, Vëlla e Motër, Fterrë e Fterjotë.

Jemi krenarë për historinë e lashtë të Fterrës, ashtu siç citoi Profesor Muzafer Korkuti. Bashkë me historinë e fshatit tonë, që është e hershme, na jepet e drejta të mendojmë edhe për trimërinë e shfaqur në tërë këtë histori, për patriotizmin si bashkëshoqërues në jetën e fshatit tonë. Vazhdimësia e patriotizmit në luginën tonë të Fterrës, ka qenë e përhershme. Të parët tanë, për të mbrojtur fshatin kanë luftuar në çdo situatë. Kështu e kanë njohur kohërat, kështu e ka përshkruar edhe historia, kështu i ka përjetësuar vetë populli në folklor bëmat e tij. Fitorja morale e ka ndjekur gjithmonë atë, sepse përherë ka qenë e ndezur dëshira për liri, që ka motivuar çdo përpjekje pa bërë llogari për sakrificat. Fterjotët luftuan për lirinë edhe kur vendi ynë ishte nën pushtimin otoman, edhe kur u ndodhën vetëm. Rënia në luftën për liri e bashkëfshatarëve tanë, është tregues i heroizmit dhe patriotizmit.

Fterra e sotme krenohet për bijtë dhe bijat e të gjithë brezave, për patriotizmin dhe kulturën e tyre, për traditën, solidaritetin dhe vëllazërimin e përhershëm në fshat e në fqinjë, për virtutet e larta në çdo periudhë.

Patriotizmi, që në shqip është baraz - atdhetarizëm, ka qenë thelbi shpirtëror i popullit të Fterrës sonë. Kjo është shprehur në faktin se fterjotët, në radhë të parë, kanë dashur fshatin e tyre dhe në kohë paqeje, dhe në kohë lufte. Është e natyrshme që koha e paqes është më e gjatë se çdo periudhë lufte. Dhe të parët tanë e kanë shprehur këtë në çdo kohë, sepse gjithmonë kanë dashur vendlindjen e tyre, kanë dashur njerëzit e tyre, kane dashur e respektuar njeri tjetrin, kanë nderuar e respektuar njeriun.

Megjithëse burimet ekonomike të fshatit kanë qenë të pakta dhe e bënin të vështirë jetesën, megjithëse kjo i detyronte fterjotët të shkonin në qytete e zona më të mira ekonomike e jetese, megjithëse emigronin në vende të ndryshme të botës, përsëri ata e ruajtën dashurinë për Fterrën.

Me sa dimë ne, emigracioni në fshatin tonë ka filluar rreth viteve 1850. Fillimisht kanë shkuar jo pak, madje disa e kanë lënë jetën jashtë Fterrës. Një pjesë ndërtuan jetën atje ku shkuan. Dimë që në Turqi ka edhe sot fterjotë të njohur, përveç disave që gati pas dy shekujsh e kanë humbur identitetin “Fterrë”. Karakteristika kryesore e atij kurbeti ishte që pjesa më e madhe e linin familjen në Fterrë dhe venin e vinin pranë saj.

Me formimin e shtetit shqiptar më 1912 e gjer në vitet 1930-1940, emigracioni erdhi duke u pakësuar, derisa në shtetin monist u ndalua tërësisht. Në periudhën deri në vitin 1990, fterjotët tanë u larguan nga fshati, duke u vendosur kryesisht në Vlorë, Sarandë e Tiranë, ku ngritën familjet e tyre. Ata vërtet punonin e jetonin larg Fterrës me detyra të ndryshme, por asnjëherë nuk u ndanë nga fshati. Duhet përmendur gjithashtu që deri në vitet ’40-të, një pjesë e fterjotëve që punonin në fshatra dhe qytete të tjera, familjet i mbanin në fshat.

Pas viteve ’90, në kushtet e demokracisë pluraliste, përsëri u zhvillua emigracioni. Kështu, aktualisht, bij e bija të fshatit tonë ose të fterjotëve që banojnë në Tiranë, Sarandë, Vlorë e gjetkë, kanë emigruar në Greqi, Itali e shtete të tjera të Europës, e jo pak deri në Amerikë e Kanada. Karakteristika e këtyre është se edhe këta janë të lidhur ngushtë me fterjotët e Fterrës sonë.

Fterjotët kudo që janë edhe në këtë festë shpirtërisht jetojnë me ne. Shembujt e dashurisë për Fterrën janë të shumta. Për ilustrim përmendim vetëm pak. Fiqiret Shehu u largua në Amerikë nga Fterra në moshën 17 vjeç dhe jetoi e punoi në New Jersey. Por në moshën 83 vjeç, para se të vdiste, la amanet që hiri i trupit të tij të hidhet në det afër Fterrës. Shumë fterjotë të tjerë si Niazi Zhupa, Ile Zeneli e deri dhe mosha më të reja si Pëllumb Shkurti, kanë kërkuar që trupi tyre të prehet në varrezat e Fterrës. Të tjerë dashurinë për fshatin e kanë shprehur në forma të ndryshme. Ibrahim Shehu, kur iku nga Fterra në Tiranë në vitet 1920-1930, fëmijëve u vuri mbiemrin Fterra, si Liri Fterra, Zija Fterra, Fiqiret Fterra etj. Ose një pjesë e fisit të Hadëre, i vendosur në Shkodër në vitet 1920-1930, ruan dhe sot mbiemrin e vet dhe thonë edhe tani me krenari që jemi nga Fterra etj. Dashuria për fshatin e për njeri tjetrin, dashuria për punën, dashuria për dijen, dashuria për krahinën është një shprehje e hershme e patriotizmit të fterjotëve. Shembulli i këtij patriotizmi është edhe takimi i sotëm.

Dashuria për Fterrën e për njeri tjetrin, lidhjet që ka pasur fterjoti me fterjotin, ka bërë që në fshatin tonë të mos zhvillohen disa fenomene negative si:

PREJA DHE GRABITJA - formë përvetësimi e pasurisë së tjetrit që kryhej me vetëgjyqësi në Labëri

KUSARIA - e cila nuk ekzistonte, aq sa dyert e shtëpive liheshin pa çelësa

VËLLAVRASJA - nuk është njohur në asnjë periudhë paqësore apo luftarake.

Në Fterrën tonë nuk ka pasur asnjëherë HASMËRI. Fterjoti e ka dashur fterjotin, urtësia dhe mirësia për njeri tjetrin kanë qenë e janë në shpirtin e tij. Profesor Ismet Elezi thekson në veprën e tij  “E drejta zakonore e Labërisë”, se në Fterrë ka qenë e zhvilluar vëllamëria dhe motërmia e trashëguar që nga koha e ilirëve, ku palët ishin të detyruara të ndihmonin njeri-tjetrin në çdo të keqe e fatkeqësi. Në të gjitha periudhat, duke qenë konsekuentë në zbatimin e ligjit të shtetit dhe të shoqërisë, fterjotët me punën dhe sjelljen e tyre kanë lartësuar emrin e Fterrës sonë që na ka lindur.

Si çdo fshat dhe Fterra ka traditat e saj. Ajo është dalluar për atdhetari dhe në çdo luftë që është bërë, në krahinë e në Shqipëri, ka pasur pjesën e saj të lavdërueshme.

Në shekullin e kaluar njihen disa nga luftërat guximtare të krahinës. Në këto luftëra kanë qenë jo pak fterjotë. Kështu, fterjotët kanë qenë pjesëmarres aktivë në kryengritjen e TANZIMATIT më 1847 kundër taksave të rënda dhe rekrutimit ushtarak të detyrueshëm për llogari të Perandorisë Turke. Kontribut të shquar ka dhënë në këtë kryengritje dhe komandanti i Çetës së Fterrës, Lazo KOFINA i Parë, i cili njëkohësisht ishte edhe këshilltar i ngushtë i Gjolekës. Turqit e shtypën kryengritjen, Lazo Kofinën dhe Hasan Luçin i kapën të gjallë dhe i internuan në Stamboll, por fterjotët edhe pas kësaj nuk u nënshtruan. Kuptimplote, jo vetëm për Lazo Kofinën e parë, por për të gjithë fterjotët janë vargjet :

...O more Lazo Kofina

Shumë andra të ka linja,

Pse s’ke prurë dhe ti sqima...

Nuk prure lule e sqima, domethëne grada. Ata që iu nënshtruan turqve u kthyen me salltanete, ndërsa fterjotët që nuk u nënshtruan, nuk morën grada e pozita.

Fshati ynë mbështeti aktivisht ngritjen e Flamurit të Pavarësisë më 1912 dhe Qeverinë e Ismail Qemalit. Më 14 dhjetor 1912 ngrihet edhe në Fterrë Flamuri Shqiptar, tek ulliri pranë shkollës së vjetër.

Rezistenca e fterjotëve ishte aktive edhe kundër andartëve grekë në vitet 1913-1914, pavarësisht se fshati u dogj dhe familjet u detyruan të ikin në Vlorë e për rreth saj. Në këto luftime nga Fterra u vranë gjashtë vetë: Halil Dhuli, Muço Mato, Muço Gjoni, Mato Zhupa, Adem Gjoni dhe Lame Mehmeti dhe u plagosën pesë vetë: Nuredin Kofina, Azis Mehmeti, Huso Zhupa, Mato Dusha dhe Hysen Maçi.

Me pjesëmarrje aktive nderoi Fterra jonë Luftën e Vlorës më 1920 me çetën e saj me 48 burra, nën drejtimin e komandantit Xhafer SHEHU. Në këtë luftë fterjotët treguan trimëri të veçantë dhe qëndruan në Vlorë deri në çlirimin e plotë të qytetit. Në këtë çetë të Fterrës bënin pjesë: Xhafer Shehu, Xhafer Mato, Jashar Mato, Ago Dusha, Mato Dusha, Adem Lona, Xhevdet Braho, Mustafa Mehmeti, Ismail Bezhani, Tahsin Elezi, Asllan Brinja, Huso Zhupa, Eshref Mita, Nimet Mita, Shaqo Mita, Naim Zani, Kamber Brinja e të tjerë. Dhe në ndihmë të tyre Jahja Mato, Shefqet Shkurti, Dervish Shkurti, Ismail Haxhiu, Zilfo Malo, Kadri Gjoni, Xhafo Brinja, Mustehak Çallo, Xhemil Mehmeti, Avdul Mita etj.

Edhe në vitin 1924 fterjotët mbështetën Qeverinë e Fan Nolit. Si ndëshkim për këtë qëndrim, në janar 1925 forcat bashibozuke të Hysni Demës bastisën fshatin, rrahën dhe torturuan shumë fshatarë. Dy bashkëfshatarë tanët u internuan, Tahsin Elezi në Krujë dhe Ismail Bezhani në Gjirokastër.

Patriotizmin populli i Fterrës e ka demonstruar në çdo kohë, në paqe dhe në luftë. Por patriotizmin në shkallën më të lartë populli i Fterrës e tregoi në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pushtimi i atdheut është si të të rrëmbejnë dritën e syve. Dhe kur i vidhet syrit drita, terri merr në sundim çdo gjë. Thirrja “çdo bir i këtij vendi të bëhet një ushtar i lirisë”, intelektualëve dhe djemve të thjeshtë të Fterrës u dha dritë e shpresë që në shtator 1940, kur Hiqmet Dusha, i ardhur si mësues në Fterrë, në fjalën e tij me rastin e 28-vjetorit të Shpalljes se Pavarësisë theksoi : “Populli dhe rinia shqiptare nuk e durojnë dot robërinë, nuk i durojnë dot të huajt në vatrat e tyre, për liri e pavarësi populli ynë ka derdhur shumë gjak dhe po ta lypë nevoja do të derdhë përsëri”. Dhe i pari që u vu në krah të udhëheqësve të luftës në krahinën tonë, Mustafa Matohitit, Memo Metos, Birçe Sinamatit etj. ishte HIQMET DUSHA.

Thirrja e patriotëve komunistë të 8 Nëntorit 1941, që, “çdo bir i këtij vendi të jetë ushtar i luftës për një Shqipëri të lirë e Demokratike”, që në Fterrë e dërgoi Nimet Mita nga zona e Vlorës për Hiqmet Dushën, ngjalli gëzim tek rinia dhe populli i Fterrës.

Më 27 qershor 1942, me krijimin e Këshillit Nacionalçlirimtar, në Fterrë u hodhën bazat e organizimit politik e ushtarak me kryetar patriotin Mehmet Çallo dhe njësitin e parë guerril të Fterrës, ku i deleguar i posaçëm ishte Bedri Spahiu. Në çetë u regjistruan 21 vetë, ndërmjet tyre: Shyqyri Sadikaj, Dervish Shkurti, Adem Lona, Fuat Mato, Pasho Zhupa, Mustehak Çallo, Nuri Mita, Veip Mero, Zihni Mero, Malo Malaj, Razip Gjoni, Kamber Brinja, Rufet Ruko etj. Komandant i parë i çetës u caktua Lazo Kofina, nënkomnadant Muhedin Hadëri, përgjegjës politik Hiqmet Dusha dhe zëvendës Shaban Mita. Më pas një pjesë kaluan në formacionet partizane. Radhët e çetës u shtuan me bij të tjerë të Fterrës si Mehmet Dusha, Safet Memi, Bilal Dusha, Eqerem Kofina, Ismet Elezi, Dilaver Shkurti, Resul Mita, Halil Mato, Lutfi Dusha, Nafiz Bezhani, Veli Mehmeti, Osman Memi, Bektash Gëdo, Fuat Brinja, Nevzat Brinja, Nazmi Brinja, Safet Gjoni, Damo Gjoni, Uzeir Shkurti, Sinan Ruko, Axhem Shkurti, Naxhi Zhupa, Remzi Braho, Sefto Gjoni, Sami Kofina, Shefqet Brinja, Shyqyri Shkurti, Ahmet Haxhiu, Nejazi Zhupa, Bexhet Brinja, Levend Gjoni, Azem Gjoni, Hetem Malo, Bastri Dauti, Hivzi Kofina, Azem Çeli, Lavdosh Zani, Mezan Shkurti, Halil Hizmo, Hamza Mehmeti, Sadik Mehmeti, Selim Avreci, Muhamet Malo, si dhe këshilltarët Lame Xhama, Neim Zani, Belul Brinja, Sherif Dusha, Shefqet Shkurti, Zilfo Malo, Xhevdet Kofina, Qazim Gjoni, Qemal Mehmeti etj. Çeta e Fterrës u bë në të vërtetë burim i rëndësishëm për përgatitjen dhe dërgimin e  vullnetarëve në çetat dhe repartet partizane.

Nuk mund të lemë pa theksuar 27 janarin 1943, ku çeta e Fterrës, në koordinim me çetat e tjera të krahinës, sulmuan postbllokun e Borshit, ku mbeti i vrarë dëshmori i parë i Fterrës dhe i rinisë së Kurveleshit, trimi 16 vjeçar FUAT MATO. Në pranverë 1943, Çeta e Fterrës, pagëzuar me emrin “Fuat Mato”, u bashkua me Batalionin “Ismail Hakiu”.

Për pjesëmarrje në Luftën Antifashiste kundër okupatorëve, djemtë e Fterrës dhanë shembullin e parë. Nga fshati ynë, gati 100 shtëpi, morën pjesë në repartet e rregullta 45 partizanë, duke përfshirë edhe dy vajza, Shaze Mita dhe Naxhije Mato, pa përmendur këtu pjesëtarët e tjerë të çetës vullnetare në fshat, si dhe shumë burra të tjerë të armatosur, të cilët merrnin pjesë direkt në luftime, shumë gra e vajza e çobanë të staneve, të cilët ndihmuan partizanët me ushqime, veshmbathje, strehim etj. Populli i Fterrës i plotësoi me nder detyrimet si pjesëtar aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare. Nderi më i madh u takon në radhë të parë dëshmorëve Hiqmet Dusha, Turhan Mato, Fuat Mato, Osmën Memi, Azem Çeli, e Shaqo Mita, të cilët dhanë jetën për mëmëdhenë. Është rasti të kujtojmë ata partizanë që nuk jetojnë më, si Mehmet Dusha e Bilal Dusha, Iljaz Kofina, Shyqyri Sadikaj, Bektash Gëdo, Ahmet Haxhiu, Mustehak Çallo, Bexhet Brinja, Muho Zhupa, Damo Gjoni, Sefto Gjoni e Razip Gjoni, Rufet Ruko, Halil Mato e Naxhije Mato, Ali Dukagjini, Remzi Braho, Uzeir Shkurti, Nimet Mita dhe anëtarët e Këshillit NCL të fshatit Lame Xhama, Neim Zani, Belul Brinja, Sherif Dusha, Shefqet Shkurti, Zilfo Malo, Xhevdet Kofina, Qazim Gjoni e Qemal Mehmeti.

Pra si konkluzion, fterjotët përherë janë radhitur në anën e progresit. Kjo frymë progresi, këto tradita të patriotizmit, në paqe dhe në luftë, u panë qartë edhe në kthesën e madhe të viteve 1990-1991 me vendosjen e demokracisë në Shqipëri, kur të gjithë bijtë e Fterrës morën krahun për liri e demokraci të vërtetë. Përqafimi i demokracisë pluraliste në Fterrë e nga të gjithë fterjotët tanë, kudo që jetojnë e punojnë, është një shprehje dhe kuptim i drejtë i progresit ekonomik e social të vetë fshatit tonë e të çdo fterjoti si individ.

Në përfundim të këtij kumtimi, dëshiroj të tërheq vëmendjen e të gjithë të pranishmëve, që, është në nderin tonë, në dinjitetin e secilit, që të respektojmë traditat tona patriotike, vendlindjen tonë – Fterrën e dashur. Sot, sigurisht, secili mund të shkojë të punojë e të ndërtojë jetën materiale aty ku ka mundësi e i bëhet më mirë, por kudo që të jemi dhe të punojme, traditat e mira le t’i ruajmë përherë.

Le të nderojmë e respektojmë traditat tona më të mira!

 

 

Mbajtur në takimin e brezave në Fterrë,

më 5 shtator 1999                                                      

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode