Me dashuri ua kushtoj këtë libër

SHERIF DUSHA

(Në 105-vjetorin e lindjes së tij)

I doja Dushajt, doja Hiqmetin, mësuesin e udhëheqësin tim shpirtëror të kohës së Luftës, doja Mehmetin, komisarin e komandantin trim dhe shokun tim të paharruar e të veçantë të mbas Luftës, doja Bilalin e Lutfiun, shokët e mi të rinisë, por desha shumë edhe Sherifin, babanë e nderuar të bashkëshortes sime të mrekullueshme, Dudushit.

E desha Sherifin, e vlerësova dhe e respektova tërë jetën për tërë ato veti të që ai kishte, për ndershmërinë, thjeshtësinë, dashamirësinë, urtësinë, mirësinë, përkushtimin, ndaj kujtdo që ishte në hall, model në sjellje, korrekt dhe i drejtë me të gjithë, i mençur dhe i mirë.

Profesionin e tij humanitar të farmacistit e vuri kudo e kurdoherë në shërbim të njerëzve, që në Berat, Ballsh, Himarë, Kuç, Fterrë e në Kurvelesh. Nga dashuria që kishte për njerëzit ishte i gatshëm në çdo moment të sakrifikonte e të bënte vetëm mirë. Ai vërtet mund të quhet simbol i mirësisë. Dhe këtë mirësi ai e shprehte në fytyrë, e shprehte në sjellje e shprehte me këdo e kudo. E përfytyroj portretin e tij me pamje fisnike, me flokët e zbardhur para kohe, me sytë e zinj të qeshur e plot jetë, me buzëqeshjen e ëmbël, që i mbeti tërë jetën në fytyrën e tij prej babaxhani. Kishte zemër të madhe, ndihmonte pa u kursyer ata që ishin të varfër e kishin nevoja jetike. Bashkëshort e baba i mrekullueshëm. Rriti dhe edukoi dhjetë fëmijë, njerin më të mirë se tjetrin, bashkë me Razon e tij kapetane. Kishte një autoritet të jashtëzakonshëm tek fëmijët e tij, duke qenë gjithmonë shumë i urtë me ta. I përkushtuar ndaj prindërve të tij, të cilët i ndihmoi që fëmijë për t’ua lehtësuar hallet e shumta të kohës, i respektoi dhe i mbajti deri në ditët e tyre të fundit të jetës.

Lindi në Fterrë në vitin 1902, në një nga periudhat më të vështira të fillimit të shekullit të XX-të, vite të varfërisë së madhe për të gjithë vendin. Përjetoi pasojat e rënda të luftrave për liri e pavarësi, atë të Luftës së Parë Botërore, djegjen e shkatërrimin e fshatit nga andartët grekë dhe largimin si muhaxhirë familjarisht në fshatrat e Lumit të Vlorës. Qëndruan në fshatin Gjorm të Vlorës, ku humbi dhe vëllanë e tij më të vogël Tahirin. Këto vuajte e sakrifica e rritën para kohe. 

Pas tre vjetësh muhaxhirë, të një varfërie të tejskajshme u kthyen në Fterrë, ku çdo gjë e gjetën të shkatërruar. Me gjithë moshën e vogël dhe shëndetin e pakët, bëri të gjitha përpjekjet për të ndihmuar prindërit për t’u strehuar e për t’i lehtësuar nga ana ekonomike. Me hapjen e frontit të punës nga ushtria italiane për ndërtimin e rrugës së Bregdetit, së bashku me Mehmetin, megjithëse fëmijë, vajtën të punonin atje për bukë goje. Kur u rrit dhe ca shkoi në Vlorë si shërbëtor, vetëm e vetëm për të ndihmuar familjen.

Dajkua i tij Hasan Hizmua i ditur, që kishte mbaruar shkollën  e lartë në Stamboll, ishte njohur me Rexhep Hiton nga Gjirokastra, të cilin e kishte ndihmuar të vazhdonte shkollën për farmacist.

Rexhepi ishte bërë pronar farmacie në Berat. Ai i kërkoi Hasanit një djalë që ta ndihmonte në farmaci dhe njëkohësisht t’i mësonte edhe profesionin e farmacistit. Hasani i dërgoi nipin e tij Sherifin. Ky ishte dhe fillimi i ndryshimit të jetës për të. Me punë të ndërgjegjshme e vullnet të çeliktë, Sherifi u tregua i aftë dhe arriti të mësonte profesionin e farmacistit, që në atë kohë ishin mjaft të paktë në të gjithë vendin. Punoi tek Rexhepi nëntë vjet. Gjatë këtyre viteve u martua  me Razon e Kofine dhe në Berat u lindi djali i parë Luani.

Rexhepi ishte shumë i kënaqur me Sherifin dhe e ndihmoi atë të hapte farmacinë e tij e të bëhej pronar. Si vend të përshtatshëm Sherifi zgjodhi Ballshin. Atje hapi farmacinë e tij, duke i blerë ilaçet në Itali. Pak nga pak puna në farmaci filloi të shtohej dhe njëkohësisht ajo filloi të frekuentohej nga të gjithë banorët e fshatrave përreth. Emri i Sherifit për mirësinë e tij u bë i njohur në të gjithë zonën e Ballshit.

Me rritjen e aktivitetit Sherifit i duhej edhe një ndihmës. Kërkoi një çirak që ta ndihmonte e njëkohësisht t’i mësonte profesionin e farmacistit. Fati ndihmoi Safet Memin, që deri në ato ditë shërbente në Galisht tek Vahit Malua. Safetit i kishin vdekur të dy prindërit njeri pas tjetrit, duke lënë jetimë tre fëmijët, Safetin, Osmënin dhe Hamzain. Tek Sherifi, Safeti mbaroi shkollën dhe njëkohësisht fitoi edhe profesionin e farmacistit. Mbas katër vjetësh ai mori liçencën për farmacist e u punësua në Tiranë në farmacinë e Kotonit.

Sherifi, me zemërgjerësinë e tij dhe me dëshirën për të ndihmuar djem fterjotë, vazhdoi të mësonte të tjerë djem nga Fterra si Osmën Hizmon, Lavdosh Zanin e të tjerë.

Ai i donte dhe i nderonte të gjithë njerëzit, të mëdhenj e të vegjël. Nuk e kishte zakon të kritikonte të tjerët, por vetëm u gjente të mirat dhe i lavdëronte. Nuk dinte t’i bënte keq njeriu dhe nga zemra e tij e bardhë buronte vetëm dashuria dhe gatishmëria për të bërë vetëm të mira. Ndjente keqardhje të madhe për këdo që shihte në vështirësi. Si rrallë kush tjetër në profesionin e tij, kur nevojtarët për ilaçe nuk kishin parà në dorë për t’i paguar, ai ua jepte me listë e paratë t’ia jepnin kur t’u krijohej mundësia ose ata që ishin të varfër e nuk e përballonin dot blerjen e ilaçeve shpesh herë ua jepte edhe falas. Prandaj banorët e Ballshit e të zonës përreth e deshën dhe e respektuan aq shumë dhe ndjenë keqardhje të madhe kur ai u largua nga qyteti i tyre.

Okupacioni fashist e zuri Sherifin me gjithë familjen në Ballsh. Sherifi ishte antifashist në shpirt dhe në Ballsh ai u lidh me ilegalët e parë komunistë të Mallakastrës. Farmacia e tij u bë vend takimi i ilegalëve. Partizanët i ndihmonte me ilaçe e me shërbime të ndryshme.

Ja si deklaron ish komunisti i vjetër mallakastriot, Hajdar Aranitasi, për Sherifin: “Sherif Dusha i ka dhënë një ndihmë të madhe Luftës ANÇL me medikamente dhe me mjekimin e partizanëve të plagosur e të sëmurëve. Në janar 1943 dha një ndihmë të konsiderueshmë në të holla për Luftën ANÇL. Nga dhjetori 1942 ka qenë pjesëtar aktiv i Lëvizjes në Komunën e Ballshit. Për këto aktivitete qeveria fashiste vendosi ta arrestojë. Shtabi i krahinës, duke marrë vesh këtë e lajmëroi të kalojë menjëherë në ilegalitet. Në mars 1943 u detyrua të lerë farmacinë dhe të largohet përfundimisht nga Ballshi.

Sherifi, për arsyet që përmend Hajdar Aranitasi, braktisi pronën, me të cilën ushqente fëmijët e tij dhe të dy prindërit, dhe ilegalisht shkoi në Vlorë ku u sistemua me punë në farmacinë e Pingulit. Pas pak ditësh edhe Razua me fëmijët e Nënën e Sherifit, Neimenë, duke marrë me vete edhe një pjesë të ilaçeve vajtën në Vlorë, ku u strehuan në shtëpinë e Hysni Trakos nga Fterra. Por spiunët që e ndiqnin ua gjetën gjurmët. Ata rrethuan shtëpinë e Hysniut për të arrestuar Sherifin, por fatmirësisht ai nuk u ndodh atë ditë në shtëpi. Mbas katër muaj qëndrimi në Vlorë Sherifi me ndihmën e miqve mundi të shkojë familjarisht në Fterrë. Aty nuk kishin as shtëpi e as prokopi. Jetuan në shtëpinë e Haxhi Shkurtit e të Mehmet Kofinës. Me shumë vështirësi e halle i kaluan vitet e luftës.

Sherifi me të mbërritur në Fterrë, mori kontakt me Hiqmet Dushën dhe u aktivizua në favor të Luftës NÇL. U zgjodh anëtar i Këshillit NÇL të Fterrës, detyrë që e mbajti gjatë gjithë viteve të Luftës.

Përballuan bashkë me fëmijët operacionet armike fashisto-naziste dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, duke u strehuar në pyje e në shpella si gjithë fterjotët.

Nuk kishin asnjë të ardhur. Lidhjet me qytetin ishin ndërprerë. Por Razua e çeliktë sakrifikonte dhe jetën e saj për të mbajtur gjallë fëmijët e pleqtë. Ajo shkonte në Galisht, tek çobanët fterjotë për një pikë dhallë dhe në majë të Lucës për të mbledhur lakra të egra a lëpjeta, në mënyrë që t’u përgatiste diçka fëmijëve për të ngrënë.

Pas Çlirimit të vendit, në vitin 1945, Sherifi u shpërngul në Himarë me gjithë familjen. Aty, me sakrifica të mëdha, ngriti përsëri farmacinë e tij private. Si kudo edhe këtu himarjotët u bënë miqtë e tij.

Kjo punë, që ai filloi me aq përpjekje e me mundim, nuk zgjati shumë. Në vitin 1946 farmacitë private u shtetëzuan, ndërmjet tyre dhe ajo e Sherifit. U hapën farmacitë shtetërore dhe Sherifi u transferua në farmacinë e Kuçit, ku u vendos me gjithe familjen. Mbas shumë vitesh familja e tyre filloi një jetë më të qetë e më stabël dhe në një fshat si Kuçi, ku e njihnin dhe e respektonin të gjithë. Ishte farmacist, por e thërrisnin doktor. Ai u bë një me fshatarët, me zakonet e hallet e tyre. Me mirësinë që transmetonte në komunikim, me ndihmën që u jepte të sëmurëve, fëmijëve, grave e pleqve, ku për ta ai ishte farmacist, doktor e infermier, duke mos përtuar asnjëherë, ditën e natën, ai fitoi zemrat jo vetëm të kuçjotëve, por edhe të banorëve të fshatrave përreth, kallaratasve e bolenasve, çorrjotëve e fterjotëve e kujtdo që trokiste në derën e tij.

Razua, Nënë Heroinë, nuk bëri kurrë dallim në marrëdhëniet me gratë, shkonte bashkë me to për dru, ndihmonin njëra tjetrën në çdo hall e nevojë, prandaj e donin dhe e respektonin të gjitha kuçjotet. Kuçjotët përgjëroheshin për familjen e tyre, e merrnin si shembull pozitiv në të gjitha drejtimet.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij Gazeta e Kuçit rikujtoi me një shkrim të bukur plot lavdërime e respekt Sherif Dushën. Ja si shkruajnë ata në gazetën e tyre: “ Nuk është e rastit që familja Dusha në përgjithësi dhe veçanërisht Sherifi që punoi 15 vjet në Kuç, krijoi një lidhje mbresëlënëse, të ndershme e dashamirëse në Kuç... Sherifi u bë një me fshatarët, me zakonet e hallet e tyre, me mirësinë që transmetonte e komunikimin e zgjidhjen e halleve... Ai fitoi zemrat e kuçjotëve me sjelljen e veprimet që kishte dhe nuk është e rastit që kur u largua nga fshati iu bë thirrja mirënjohëse: “Mos u largo, se do na kesh ne për çdo hall.

Në Kuç Sherifi punoi 15 vjet. Atje lindën edhe katër fëmijë të tjerë, gjithsejt dhjetë, por që të gjithë të shëndetshëm, të mirë, të sjellshëm e të dëgjuar. Ai asnjëherë nuk u mërzit me ta, “Të gjithë do të kenë fatin e tyre“ – thoshte. Me sakrifica të mëdha, ata nuk kursyen asgjë për të arsimuar fëmijët në shkolla të larta, të mesme ose profesionale të ndryshme, duke filluar nga Luani që u bë mjeku i parë i Fterrës e pastaj me radhë të gjithë. Familja e tij e emancipuar dërgoi nëpër shkolla për të studiuar edhe vajzat e para nga fshati, duke thyer konceptet fanatike të kohës. Ai ishte shumë atdhetar dhe kjo duket dhe nga emrat, që u vuri të gjithë fëmijëve të tij, si Luan, Skënder, Dallëndyshe, Ëngjëll, Lule, Fatmir, Shpresë etj. gjë që tregon dhe botëkuptimin e tij përparimtar për kohën.

Në vitin 1963 Sherifi doli në pension i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Me daljen në pension familjarisht u kthye dhe u vendos përsëri në Fterrë. Me shumë mundim, veçanërisht Razua, ndërtuan shtëpinë e tyre të bukur në Qafë të Dushe, mbasi e para ishte shkatërruar nga tërmeti, ku qëndruan deri në vitin 1973, kohë kur Skënderi e Fatimeja i morën në shtëpinë e tyre në Tiranë.

Por Sherifi nuk jetoi gjatë. Në vitin 1975, në moshën 73 vjeçare, ai u nda nga bashkëshortja, fëmijët e tij të dashur, nipër e mbesa, u nda nga fterjotët, nga shoqëria e tij e gjerë dhe miqtë, të cilët e deshën dhe i deshi me gjithë shpirt.

Kushdo që e kishte njohur u hidhërua për vdekjen e tij. Një nga shokët e tij më të afërt, Lame Xhama, shkroi vargjet e mëposhtme kur mori lajmin e vdekjes së tij :

 

…S’vdes Sherifi, burrë me vlerë,

Se kudo ku punoi lart e ngrenë

Ai nuk u përkul asnjëherë

Ndaj lë pas nderin e lavdinë….

 

Sherif Dusha nuk vdes kurrë

Do të qëndrojë në mes tuaj

Dhe ne do ta nderojmë atë burrë

E portretin që pamjen e tij do të ruajë.

 

O Sherif, u përcolle në dhè të zi

Si veteran e me njerëz si bletë

Burra e gra me vaje ngushëllim,

Të dhanë lamtumirën për jetë.....

 

Sherifi do të kujtohet brez pas brezi nga të dhjetë fëmijët e tij, nuset e dhëndurët, nga dyzet nipat e mbesat, të afërm, shokë e miq të e tij të shumtë në Fterrë e anembanë vendit. Ai në çdo hap ka nderuar Fterrën tonë. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar.

 

 

Tiranë, më 17.03.2006

 

 

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode