Me dashuri ua kushtoj këtë libër


 

Zeneli dhe Avniu

Vëllezërit e mi të të shtrenjtë

Zeneli, vëllai im i madh, babai im në përkujdesje, shoku im në çdo hall e vështirësi, miku im gjatë gjithë jetës sime, për të cilin çdo fjalë që mund të them është pak.

Ishte shtatlartë, me sy të zes, flokë të bukur e të valëzuar, me fytyrë tërheqëse e plot mirësi, i ndershëm e i drejtë, punëtor i palodhur e korrekt me këdo, human e i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Merrte pjesë në të gjitha gëzimet e hidhërimet e fterjotëve, shokëve e miqve  të tij. Bashkëshort i veçantë e prind i papërtuar për të edukuar, shkolluar e për t’u plotësuar nevojat fëmijëve të tij. I dashur dhe i respektuar me të gjithë. Vëlla i rrallë, i sakrificës dhe më një zemër të madhe për të ndihmuar familjen, vëllezërit e motrat, nipërit e mbesat, të afërmit e tij e cilindo që i kërkonte ndihmë. Mikpritës i jashtëzakonshëm. Mirësjellja, mirësia, mirënjohja janë virtyte që e bëjnë njeriun të bëjë punë të mira në jetë, të gjitha këto cilësi i kishte ai,  vëllai im i madh.

Lindi në Fterrë në vitin 1912, në një periudhë mjaft të vështirë për të gjithë vendin. Pa me sytë e tij që i vogël barbarizmat, vrasjet, persekutimet, djegjet e shtëpive, prerjen e pemëve nga andartët grekë. Bashkë me prindërit, si të gjithë fterjotët, provoi jetën e muhaxhirit. U strehuan familjarisht në Brataj të Vlorës ku kaluan disa vjet në një mjerim të madh.

Në vitin 1916 prindërit u kthyen në fshat ku gjithçka e gjetën të shkatërruar. Shtëpi e katandi ishin djegur e rrënuar. Me shumë vështirësi u strehuan diku sa për të futur kokën.

Fëmijët u shtuan njeri pas tjetrit. Në vitin 1925 ishin bërë pesë. Zenelit, duke qënë i pari i djemve, i ra barra e rëndë për të ndihmuar e mbështetur prindërit në ato halle që po kalonin. Por “heqkeqi” bëhet i mirë, thonë në Fterrë. I tille u bë Zeneli, i cili që në fëmini u përball më vështirësitë e jetës.

Si i pari e djemve, sa u rrit edhe pak, u detyrua të punojë hyzmeqar në Qeparo e më pas në Vlorë ku punoi si pjatalarës në një hotel.

Në vitin 1935 u vesh xhandar. Atëhere mundi të ndihmonte dhe familjen në Fterrë. Vdekja e të vëllait, Mevlanit, i cili u mbyt në Vranare bashkë me dhitë e tij, në një katastrofë natyrore, ia shtoi hallet Zenelit e familjes.

Ai me kujdes të veçantë, si një baba i mirë, bëri shumë përpjekje për të na dhënë shkollë e zanate ne, vëllezërve më të vegjël, e për të na ndihmuar të gjenin punë e të çanin në jetë.

Në vitin 1940, i gjeti punë Avniut në një ofiçinë automjetesh, tek një italian në Tiranë, për të mësuar e marrë zanatin e mekanikut e të shoferit, që në ato kohëra ishte fat të gjeje mundësinë të mësoje një zanat, aq më tepër tek italianët. Më pas mori edhe Nexhip Dautin dhe e sistemoi po në këtë ofiçinë për të punuar e mësuar.

Mua, që isha më i vogli, më mori me vete në Tiranë e më sistemoi në një familje tiranase si shërbëtor, me kusht që të vazhdoja edhe shkollën, që e kisha ndërprerë, në klasën e pestë të fillores. Pastaj më regjistroi në vitin e parë në Normale të Elbasanit. Fillova shkollën si nxënës i jashtëm në Normale e me qëndrim tek tetua jonë Hatemja, që jetonte familjarisht në Elbasan, ku i shoqi, Remziu, shërbente kapter në xhandarmëri. Ndërsa vitin e dytë e vazhdova si student në konviktin e shkollës. Pas Çlirimit të vendit vazhdova klasën e tetë unike në gjimnazin e Tiranës. Shpenzimet e ushqimit e të fjetjes e gjithçka tjetër i mbulonte Zeneli.

Në Tiranë Zeneli u lidh më Lëvizjen Antifashiste NCL. Nëpërmjet Safet Memit krijoi lidhje me shumë ilegalë, madje duke qenë në karabinieri. Veterani i orëve të para, ilegal në Tiranë, Skënder Hajro tregon: “Zeneli ishte njeriu ynë i besuar. Komunikatat dhe shtypin ilegal e shpërndante edhe midis karabinierëve. E vuri veten në dispozicion të luftës për liri. Edhe me municion e ndihmoi lëvizjen.”

Safet Memi shpjegon: “Zeneli mbante lidhje të ngushta me Subi Bakirin, që edhe ky ishte ilegal ne Tiranë”.

Duke qenë sekretar në xhandarmërinë e Tiranës, ai jepte të dhëna të rëndësishme në dobi të Luftës. Ndihmoi e shpëtoi nga arrestimet e pushtuesve nazisto-fashistë jo pak luftëtarë të lirisë.

Profesor Dr. Ismet Elezi tregon : “Banoja në një dhomë në rrugën e Durrësit me Ibrahim Zverkun. Ai ishte planifikuar që të arrestohej nga fashistët. Zeneli më takoi  dhe më tha të largohet menjëherë Ibrahimi se do ta arrestojnë”.

Ish zv/drejtori i Exportalbit të Tregtisë së Jashtme, z. Frashëri, në një bisedë në shtëpinë time, sa pa Zenelin i tha : “Ti na ke shpëtuar jetën mua dhe një shokut tim. Ishim komunistë. Më 4 shkurt 1944 njerëzit e Xhafer Devës na ndiqnin për të na arrestuar. Në një moment u ndodhëm para xhandarmërisë. Ti na kape për krahu e na fute brenda në xhandarmëri. Na mbajte atje deri sa kaloi vala e arrestimeve. Shpëtuam. Jetën e kemi nga ty.”

Për veprimtarinë e tij antifashiste Zeneli gëzonte statusin e veteranit. Pas Çlirimit të vendit ai dallua edhe si punonjës në shkollën mjekësore, ashtu edhe në administratën e Ndërmarrjes së Tregtisë Brendshme ku punoi deri sa doli në pension.

Në vitin 1938 u martua me Merushanë Dauten, grua e thjeshtë, e mirë, nikoqire, e zonja, që edhe ajo është veterane e Luftës. Në shtëpinë tonë në Fterrë janë pritur e nisur vazhdimisht partizanë, të deleguar të Qarkorit të Partisë e të Rinisë. Atje janë zhvilluar mbledhje e takime të komunistëve e të të rinjve komunistë. Shana u ka shërbyer të gjithëve pa u lodhur e me shumë vullnet.

Zeneli së bashku më Shanën u bënë edukatorë të mirë për të gjashtë fëmijët e tyre, tre nga të cilët mbaruan shkollën e lartë, ndërsa tre të tjerët fituan profesione të ndryshme. Edhe ata si prindërit e tyre kudo punuan e punojnë me nder dhe përkushtim.

Zeneli ishte i lidhur ngushtë me fterjotët. Nexhipin, që ishte shoku i ngushtë i Avniut, e sistemoi në punë bashkë më Avniun. Këtë ndihmë të madhe Nexhipi, që më vonë u martua edhe me motrën tonë Merxhanen, e përmendte vazhdimisht, e falenderonte dhe nuk e harronte kurrë.

Megjithëse me të ardhura të pakta, ai dhe Shana, porsa merrnin vesh që në spital ishte ndonjë fterrjot i sëmurë, i shkonin me gosti për ta vizituar e ndihmuar. Vizitat familjare në familjet fterrjote dhe në miqtë e shokët e tyre i bënin me shumë dëshirë. Nuk linin rast pa marrë pjesë në ditë gëzimi dhe hidhërimi në familjet e tyre.

Zeneli ndihmonte, me aq sa mundte, edhe shumë nga nxënësit fterjotë nëpër shkolla në Tiranë. Shtëpia e tij priste në çdo kohë fterjotë e jo fterjotë nga rrethet që vinin në Tiranë për të mbaruar hallet e tyre.

Zeneli mësoi shumë nga jeta dhe diti ta përballojë atë me dinjitet. Ai u nda nga familja, nga ne, nga fterjotët e miqtë e tij më 17 janar 1988. Të gjithë u hidhëruan shumë për të, sidomos Shana, fëmijët e tij, ne vëllezërit dhe, motra e fundit Menia, që në atë kohë ishte gjallë, fterjotët dhe miqtë e tij të shumtë.

Zeneli u nda nga ne, por në këtë shkrim nuk mund të le pa përmendur që vitet e fundit Shana jonë e dashur dhe e respektuar, pësoi një fatkeqësi shumë të madhe. Ajo u godit me një plumb në zemër dhe mori një plagë që nuk do t’i shërohet kurrë.

Me 5 maj 2003 u nda nga jeta djali i saj Shkëlqimi. Ai e helmoi shumë Shanën, bashkëshorten e tij Mimozën, vajzat e tij Denisën e Sarën, motrat Dijeninë, Myneveren e Viganen, vëllezërit Flamurin e Valdetin e gjithe ne, farefisin, fterjotët dhe shokët e tij.

Zeneli do të mbetet njeriu i dashur dhe i paharruar i familjes, të afërmëve, i fterjotëve e shokëve të tij. Atë do ta kujtojnë brez pas brezi 13 nipat dhe mbesat e tij, të cilët  e adhuronin për dashurinë që u falte çdo ditë.

 

Për Avniun

Sa i ngjashëm ishte me Zenelin, në portret, karakter, sjellje, mirësi. Simpatik me flokët kaçurrela e sy të zes, me fytyrë të ëmbël ku pasqyrohej mirësia e tij. I palodhur në punë, mjeshtër në profesionin e tij, i mirë, i ndershëm e i dashur, i sinqertë e babaxhan, korrekt me punën dhe me shoqërinë, human për të ndihmuar njerëzit në nevojë, pa dallim, pa interes. Ishte miku i të gjithëve. Merrte pjesë në të gjitha gëzimet e hidhërimet e fterjotëve, shokëve e miqve të tij të shumtë. Bashkëshort shembullor, prind i papërtuar për të edukuar, shkolluar e për t’u plotësuar nevojat e fëmijëve të tij. Vëlla i rrallë, bujar, e me një zemërgjerësi për të pritur e përcjellur të afërm e miq, kështu do të mbetet ai gjithmonë në mendjen e në zemrën time.

Avniu lindi në Fterrë më 23 gusht 1920. Ishin kohë të vështira për prindërit tanë, kur dhe fëmijët u shtuan, u bënë pesë, e kërkohej shumë mundim e sakrifica për t’i rritur. Ishin veçse pak vjet që ishin kthyer nga muhaxhirllëku e nuk ishin rimëkëmbur. Shtëpia jonë e djegur në kohën e andartëve grekë, nuk u ndërtua e tëra, por vetëm një pjesë shumë e vogël e saj, në manazato dhe katin  e dytë të shtruar më trarë të hollë sa për të fjetur. Më e madhja e fëmijëve, Hamua, ishte vetëm dhjetë vjeçe dhe të tjerët vinin me radhë.

Avniu mbaroi tre klasat e para të fillores në Fterrë, me mësues Neim Zanin, dhe dy të tjera në Kuç më mësues Mustafa Luçin.

Jeta e familjes u keqësua edhe më shumë kur vëllai i dytë Mevlani, që ishte çoban me dhi, në vitin 1934 u mbyt në Vranare bashkë me dhitë që ushqenin me qumësht gjithë familjen. Kjo ishte një ngjarje e rëndë tragjike për prindërit tanë, por njëkohësisht vështirësoi më shumë edhe jetesën në familjen tonë.

Barra e madhe i ra Zenelit që të mbështesë familjen e të ndihmojë vëllezërit e tij. Ai plotësoi edhe dëshirën e Avniut për të mësuar zanat, ai u kujdes jo si vëlla i madh, por tamam si prind për ne. Në vitin 1940 Zeneli e mori Avniun në Tiranë dhe e sistemoi në një ofiçinë italiane që merrej me remontin e automjeteve. Puna ishte mjaft e rëndë, por ai iu fut me shumë dëshirë punës e zanatit derisa përvetësoi profesionin e mekanikut e të shoferit. Bashkë me Nexhip Dautin morën patentën e shoferit, të cilën e ushtroi tërë jetën dhe më shumë pasion.

Në Tiranë edhe Avniu ka ndihmuar Luftën NCL. Më kujtohet kur veja nga Elbasani dhe qëndroja në shtëpinë ku ai banonte së bashku me Nexhipin në Pazarin e Vjetër. Shpesh herë gjeja atje djem të rinj që Avniu m’i prezanonte si “shoku ynë”. Një herë më bëri përshtypje të veçantë kur  hyra në shtëpi dhe gjeta një të panjohur. U përshëndeta me të dhe Avniu më paraqiti tek ai. U ula dhe për një moment po rrija i heshtur. I panjohuri nuk e ndërpreu muhabetin, por menjëherë u kthye nga unë dhe filloi të më bënte pyetje për studentët e Normales, për aktivitetet që bëheshin në Elbasan kundër fashizmit, për situatën atje. Unë, pashë nga Avniu e po rrija në mëdyshje. Avniu më dha kurajo që të flisja, duke nënkuptuar që ai është “njeriu ynë”. Iu përgjigja të gjitha përgjigjeve të mikut, se e kuptova që ishte dikush që mund të flisja hapur. Ato ditë pashë se në shtëpinë e tyre bëheshin takime edhe me ilegalë komunistë.

Në vitin 1945 Avniu filloi punë si shofer në Parkun e Durrësit. Bëri udhëtime Durrës-Himarë, Durrës-Malësia e Madhe, Durrës-Ohër e Manastir. Në fund të vitit 1945, me dëshirën e tij, shkoi në Sarandë për të punuar në profesionin e tij, në një nga parqet e parë automobilistike më të mirë të Republikës që ngrit atje. Avniu ishte nga themeluesit e këtij parku, ku punoi deri sa doli në pension.

Në vitin 1948, një gëzim i madh në shtëpinë e Hamit Shkurtit. Avniu lidhi jetën me Liri Gjoniken, vajza e Hidajet Gjonikajt dhe e Xhevo Kofines. Lirua ishte fëmija i vetëm i këtij fisi me emër në Fterrë e në krahinë. Ajo ishte e vogël në moshë, u rrit në Shkurtaj dhe u bë një bashkëshorte shembullore, një nënë e veçantë, një grua e rrallë, që nga goja e saj u dëgjuan vetëm fjalë të mençura, të ëmbëla e buzëqeshje për të gjithë. Përshtypja e të gjithëve ishte se “ajo ka mbaruar universitet, pa qenë në universitet”.

Shërbimin ushtarak Avniu e kreu kur ishte i martuar. Ai u shërbeu në ushtri kuadrove të larta me korrektesë e profesionalizëm, për të cilën edhe u dallua gjithmonë, si gjeneral Tahir Kadaresë, gjeneral Petrit Dumes, që në atë kohë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë etj.

Në Parkun e Sarandës Avniu u njoh në të gjithë krahinën, sepse punoi jo vetëm në transportin e mallrave, por edhe me linja udhëtarësh. Avniu kreu me ndërgjegje detyrën e caktuar dhe ishte në natyrën e tij të ndihmonte njerëzit, pa dallim, por sidomos fterjotët kur kishin nevojë. Kënaqej kur u vinte në ndihmë bashkëfshatarëve. Kjo edhe për faktin që kishte lindur e rritur në Fterrë dhe ishte i lidhur shpirtërisht me të.

E çfarë të kujtosh më parë për të dashurin e të mirin vëllanë tim, Avniun. Kur unë isha nxënës në Politeknikumin “7 Nëntori” e ai ishte shofer në Tiranë, sa herë që takoheshim më mbushte xhepin me parà. Kur u martova, në vitin 1955 bëri dasëm të madhe për mua dhe ftoi gjithë fshatin. Ajo ishte dasma e parë në familjen e tij, sepse fëmijët e tij ishin ende të vegjël, dhe ai bëri një dasëm madhështore, ku mori pjesë i gjithë fshati.

Fterra na tërhiqte shumë. Ai dhe Lirua na prisnin me përzemërsi. Na mireseardhte me zë të lartë e gëzohej me gjithë zemër. Vajtja jonë për atë dhe Liron ishte festë e madhe. Ishte mjaft zemërbardhë e gjithmonë buzagas. Vajtjen në Fterrë ne e shtuam kur Avniu doli në pension. Na priste me shumë kënaqësi. Nuk lodhej duke na shërbyer. Shpesh shkonte koshtrave për të ushqyer dhinë malteze dhe kur kthehej na sillte arra, fiq të njomë, mandarina, të cilat i kishte mbjellur vetë me duart e tij. Lirua na shtronte dreka e darka me plot të mira. Buka e misërt, buka e grurit nën saç, petullat e mëngjezit dukeshin si çokollata.

Avniu e Lirua martuan të pesë djemtë e tyre me pesë dasma të mrekullueshme. Unë kam marrë pjesë vetëm në dy, në dasmën e Saimirit dhe atë të Edisonit. Në të tjerat nuk kam pasur mundësi sepse kam qenë jashtë shtetit. Kur morëm Pranverën vallja e kënga gumëzhoi në Ixuar të Borshe. U grumbulluan shumë borshjotë. Disa u bashkuan me ne, disa bënin sehir. Kërciste dajrja dhe gërneta si në festa të mëdha. Kur martuam Edisonin gjithashtu u tund Fterra. Të gjithë fterjotët ishin ftuar në dasëm. Divani i Avniut me eternite mund të ishte shembur po të mos mbështetej në tokë. I paharruar do të mbetet bejti për vëllazërinë tonë, që ngriti Tenua e që ia merrte Hasani. Në këtë dasëm ishte edhe i paharruari, vëllai i madh, Zeneli.

Avniu, ishte një nga të pakët njerëz me profesion të mekanikut e shoferit në atë kohë, që vendosi të jetojë në Fterrë. Megjithëse i kishte të gjitha mundësitë të jetonte në qytet ai nuk iu nda Fterrës, në rini, në moshë të madhe e në moshë të tretë, se ai ishte lidhur shpirtërisht me të, me jetën e fshatit, me bashkëfshatarët.

Edhe kur doli në pension Avniu preferoi të pleqërohej në Fterrë në shtëpinë e prindërve të tij zemërmirë, Baba Hamitit e Nënë Zulës.

Asnjëherë nuk qëndroi pa punë, për asnjë çast, i hanin duart për punë. Merrej me punë bujqësore, mbillte e kujdesej për pemë, rriste edhe ndonjë manar, që ta kishte kur i vinin djemtë me nuse e fëmijët për të kaluar pushimet, e sidomos kur u venin të gjithë bashkë.

Në Fterrë, bashkë më Liron, u lindën dhe u rritën të pesë djemtë e tij, njeri më i mirë se tjetri. Edhe ata janë vëllezër të veçantë me njeri tjetrin. Nuk ka të krahasuar dashuria e respekti midis tyre.

Të pesë djemtë e tij Lulëzimi, Feksori, Saimiri, Arjani dhe Edisoni janë të martuar të gjithë. Avniu e Lirua përveç djemve dhe nuseve të tyre, që Lirua i trajton si vajzat e saj, kanë edhe 13 nipër e mbesa, të cilët përgjëroheshin për babagjyshin e tyre të mirë.

Këto rrjeshta për Avniun janë pak, duke i krahasuar me të mirat që ai ka bërë për fëmijët e tij, për vëllezërit e motrat, për të gjithë fterjotët.

Më 20 dhjetor 2003 Avniu u nda nga ne përgjithmonë. Ky ishte moment i hidhërimit më të thellë që ndjenë për Avniun, Lirua, djemtë, nuset, nipat e mbesat, unë, vëllai vetëm që kam mbetur, gjithë fterjotët, miqtë e shokët e tij. Por ai do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona si njeri i dashur e i respektuar për të gjithë ne.

 

Mars 2006

 

 

 

 

© 2009 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode