Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Artikuj te shkruara ne gazeten "Fterra jone"

BREZA NËNASH

– FATIME E XHANE MATO -

(Nëna e motra të dy dëshmorëve)

Jeta dhe vazhdimësia e jetës sigurohet nga Nëna, se Nëna lind njeriun. Nëna i do fëmijët sa veten e më shumë se veten. E tillë njihet dhe Nëna Fatimeja e Mate, që lindi e rriti dy djem e një vajzë, Turhanin, Fuatin e Xhanen.

Nëna fterjote i ka nisur djemtë për mbarësi, në punë. I ka përcjellë dhe për në kurbet. I ka  dërguar dhe në shkollë per t’i arsimuar. Por, i ka nisur edhe në luftën për liri. Kështu, Nënë Fatimeja, djalin e parë Turhanin, e nisi për në Shkollën Normale të Elbasanit, ndërsa Fuatin e vogël e mbajti në shtëpi, në Fterrë. Xhanen, bijën, e rriti si çdo nënë për në “derën” ku do të ndërtonte jetën e saj. Por dy djemtë e saj të dashur, Turhanin dhe Fuatin, i thirri koha, i kërkoi liria, se fashizmi pushtoi Shqipërinë.

Dhe, 60-vjet më parë, në natën e 27 Janarit, Fuati, shoku im i fëmijërisë dhe i rinisë, shkoi në çetën e Fterrës në betejën e parë, në sulmin partizan kundër fashistëve, që ishin vendosur në postbllokun e Borshit. Këtu u bë beteja. Këtu, Fuati u bë dëshmori i parë i Fterrës dhe i Rinisë së Kurveleshit. Rënia e Fuatit shkaktoi dhimbje. Akti i tij frymëzoi dhe luftën për liri. Por frymëzim i dha edhe Nënë Fatimeja, e cila, në ceremoninë e varrimit të dëshmorit partizan, Fuat Mato, si grua e mënçur e trime, pasi falenderoi pjesëmarrësit për nderimin që i bënë në lamtumirën e fundit të djalit të saj, shprehu këto fjalë: “Është koha që të mbajmë lotët e të mos qajmë më, se lufta që kemi filluar do të na marrë edhe djem e vashëza të tjerë, prandaj të shtrëngojmë radhët e t’i japim përgjigjen e merituar armikut e tradhtarëve që janë lidhur me ta”.

Ky moment e frymëzoi dhe Memo Meton, që lartësoi e fisnikëroi figurën e Nënës Shqiptare si pjesëmarrëse në luftë me poezinë e njohur: “Se liria i ka rrënjët mu në gjak”.

Nëna e Fuatit, një spartane, siç e cilëson poeti, porositi që të mos qanin se, / si djalin tim Fuatin, këtë herë / armiku do na vrasë dhe të tjerë...

Por për Nënë Fatimenë nuk mbaroi me kaq. Ajo e ndjeu se lufta do të merrte dhe djem të tjerë. Merakun, që nuk e shprehte, e kishte për Turhanin.

Më 1 maj 1943 Turhani doli partizan në çetën e Dumrese, bashkë me 100 normalistë të tjerë, bij nënash nga e gjithë Shqipëria. Mbaj mënd kur Turhani më dha porositë për Nënën dhe motrën e tij të dashur Xhanen: “I përqafo në emrin tim. Unë do të luftoj kundër okupatorëve derisa të çlirojmë Atdheun tonë. Ndërkohë do të marr hakun e vëllait tim, Fuatit. Xhanes i lë amanet Nënën e plagosur rëndë”.

Ai kishte merak për nënën. Në ditarin e tij të datave 7 dhe 13 dhjetor 1943, midis të tjerave shkruan: “Kisha qejf për të shkuar në shtëpi, në përvjetorin e parë të vrasjes së Fuatit. E shkreta Nënë, me gjithë ato kusure rron se rron. Më thanë se është dobësuar shumë. Shkaku kryesor është ai i Fuatit, i cili e mblidhte në shtëpi, e që tani rri vetëm në ato mure të shkreta. I kam shkruar letra, i jap kurajo për të duruar edhe pak kohë, siç ka duruar, deri sa të vijë dita e lumtur që të takohemi”.

Por ja që fati nuk deshi. Edhe Turhanin e vetëm, që ajo e deshte aq shumë, nuk e gëzoi dot. Fuati e la gjakun në Borsh, ndërsa Turhani në Skrapar. Trupat e tyre sot prehen në varrezat e dëshmorevë në Sarandë.

Xhania, që siç ka emrin ka edhe shpirtin, kjo grua fisnike e mbajti në shtëpinë e saj me përkujdesje të mëdha deri ditën që në krahët e saj Fatimeja mbylli sytë. Trupi i saj pushon në varrezat e Sharrës me jo pak fterjotë. Vazhdimisht bashkëfshatarët e të afërmit i vizitojnë me nderim.

Është njerëzore dhe në nderin e Fterrës e fterjotëve, që, sado vite të kalojnë, t’i kujtojmë me respekt ata që jetuan midis nesh e tashmë janë ndarë përjetësisht. Ndërmjet tyre dhe Nënë Fatimene me dy djemtë dëshmorë, Turhanin e Fuatin, por dhe Nënë Zenepen me djemtë e saj Hiqmetin dëshmor dhe Mehmetin e Bilalin.

Me nderim do të kujtohen përherë gjithë Nënat fterjote për djemtë e vajzat që i lindën e i rritën në dobi të Fterrës e gjithë Shqipërisë.

E tillë ishte Nënë Fatimeja e paharruar.

 

Marrë nga Gazeta “Fterra jonë”

Shkurt 2001

 

 

Për ata që jetën dhanë

 

“MOS ME LINI TË GJALLË NË DORËN E ARMIKUT”

(Sipas bisedës me Nafiz Bezhanin, ish-partizan i Brigadës I-rë Sulmuese)

 

Në fillim të dhjetorit 1943, para se të fillonte Operacioni armik i Dimrit, erdhi në Fterrë batalioni IV i Brigadës së I-rë Sulmuese, me në krye komisarin e brigadës Tuk Jakova. Tuku shtroi problemin e përforcimit të kësaj njësie, duke kërkuar vullnetarë nga Fterra. Të rinjtë e fshatit tonë iu përgjigjën flakë për flakë: Nafiz Bezhani 15 vjeç, Osmën Memi 16 vjeç, Pasho Zhupa, Sami Kofina, Razip Gjoni dhe Azem Çeli - 18 vjeçarë. Të gjithë këta, ndonëse të rinj, ishin të armatosur dhe të përgatitur, sepse kishin kryer detyra luftarake në Çetën Territoriale të Fterrës. Djemtë trima të Fterrës, bashkë me shokët e tyre të brigadës, kaluan dy prova të rënda: Operacionin e egër armik të Dimrit, që kishte synim shkatërrimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimitare, sidomos Brigadën e Parë S., që ishte njësia më e madhe luftarake; dimrin e tmerrshëm të atij viti, ku partizanët ishin ditë e natë pa çati, pa zjarr, pa bukë e pa gjumë. Të dyja këto prova partizanët fterjotë i kaluan me sukses. Përveç vullnetarëve që dolën në fshat, në këtë brigadë ishin edhe tre fterjotë të tjerë; Turhan Mato e Shefqet Brinja, që kishin marrë pjesë në të që nga themelimi i saj, si dhe Bektash Gëdo që kishte vajtur nga çeta e Matit.

Me Turhanin, zv.komisar kompanie, tregon Nafizi, u takuam dy herë, më 7 shkurt 1944 në Vërzhezhë të Skraparit dhe më 8 prill 1944 në Poçisht të Oparit. Pas një muaji nga takimi i fundit, në maj 1944, Turhani u plagos rëndë në beteje kundër gjermanëve në Pogradec dhe në ditët e fundit në Spitalin Partizan të Vlushit, Skrapar, shkroi letrën e fundit drejtuar Shtabit tè Brigadës së I-rë dhe shokëve, që u lexua para gjithë partizanëve të brigadës, të cilët u prekën dhe u përlotën. Krahas pikëllimit të thellë në zemrën e fterjoteve u ndje dhe krenari e ligjshme për jetën luftarake të Turhanit.

Me 9 maj 1944, partizanët fterjotë patën edhe një goditje tjetër të rëndë. Në Shelcan të Elbasanit vritet Osmën Memi. Nafizi kujton ditën e 9 majit, kur tre kompanitë e batalionit IV-t sulmuan në befasi, rreth orës 4.00 të mëngjezit, 150 armiq të dislokuar në Shelcan. Gjermanët u thyen e ikën në panik, duke lënë 23 të vrarë dhe 8 robër. Pas kësaj, Nafizi me Osmënin dhe një shok tjetër zbritën në fushën e Shelcanit drejt Elbasanit. Një plumb godit në automatikun e Osmënit dhe copat i plagosën gishtin e madh. Në një pjesë të xhveshur u dukën një varg i madh me gjermanë e xhandarë, që përpiqeshin t’u zinin krahët. Bënë perpjekje për t’u tërhequr drejt Shelcanit, por armiqtë i kishin zënë shtigjet e tërheqjes. Osmëni e kishte të vështirë të tërhiqej zvarrë dhe pa parashikuar rrezikun u çua dhe doli në buzën e një are ku plumbi i armikut e goditi tej përtej në bark. “Pasi asgjësuam oficerin nazist që ishte shumë afër,- vazhdon bisedën Nafizi - tërhoqëm Osmënin e plagosur rëndë dhe e shpumë në kishën e fshatit ku e mjekuam. Por gjaku nuk pushonte. Kërkesa e tij ishte “Mos më lini të gjallë në dorën e armikut”.Ne - tregon Nafizi - vazhduam dhe nuk u tundëm deri sa na mbaruan fishekët dhe bombat e dorës, pastaj u futëm në kishë me një revolver dhe tre fishekë, pikërisht ai revolver që ruhet sot në Muzeun Kombëtar. Kur të gjitha shpresat ishin prerë, dëgjuam zërin: “Para partizanë” dhe breshëri plumbash. Partizanët i vunë armiqtë përpara duke vrarë 32 vetë prej tyre. Por Osmëni ishte shumë rëndë. E morëm në një vig për në spital, por zëmra e tij pushoi sa doli në breg”.

Një muaj pas vrasjes se Osmënit, më datën 6 qershor, ra trimërisht ne Gurin e Prerë edhe Azem Çeli, që mori pjese në Operacionin e Qershorit. Guri i Prerë ishte pika strategjike drejt së cilës u vërsulen 3000 nazistë të armatosur me të gjitha mjetet, me synim që të merrnin krahët e brigadës, ta shpartallonin atë dhe njësitë e tjera partizane të zonës Berat-Përmet. Eskalioni i parë armik u thye, por ata hodhën në sulm forca të reja dhe pushtuan disa pika strategjike. Mitralozi “Sharrs” nuk i linte partizanët të nxirrnin kokën nga trasheja në pozicionet e bëra në luften italo-greke. Komisari i kompanisë u plagos rëndë dhe kishte mbetur në një pozicion midis të dy palëve. Komisari nuk duhej të lihej i gjallë në duar të armiqve. Atëhere Azemi nxori mitralozin e tij dhe ia drejtoi “Sharrsit”. Për një çast ai pushoi. Azemi u hodh përpara në një arë, kur “Sharrsi” filloi përsëri të vjellë zjarr, duke e lënë Azemin të shtrirë për vdekje bashkë me 14 partizanë të tjerë. Armiqtë në këtë betejë lanë mbi 200 të vrarë dhe nuk ia dolën dot qëllimit të tyre.

Shëmbull trimërie nuk kanë qënë vetëm dëshmorët, por gjithë partizanët fterjotë. Kujtoj Sami Kofinën dhe togën e tij, që çliruan Pallatin Mbretëror të Tiranës të rrethuar me bunkerë. Vetë Samiu, nën zjarrin mbrojtës që i bënë partizanët, kapërceu i pari murin, duke u përleshur fytas me armiqtë.

Fterra jonë krenohet edhe kur kujton që më 8 gusht 1944 në Helmës të Skraparit, në Kongresin I-rë të Rinisë, morën pjesë si delegatë edhe dy fterjotë: Nafiz Bezhani e Bilal Dusha.

 

FTERJOTI QË TEJKALON MOSHËN

- Në përvjetorin e lindjes së z. Nafiz Bezhani -

 

Nafiz Bezhani e filloi jetën me libër për të marrë dituri. Studioi në Shkollën Bujqësore të Kavajës. Por koha, që në moshën e adoleshencës, i kërkoi trimëri. Ishte koha kur vendi ynë u pushtua nga fashizmi. Atëhere Nafizi përqafoi pikërisht trimërinë dhe mori pushkën në duar. Kuptoi se pa liri nuk ka as dituri. Nga shkolla u hodh në çetën e Pezës, e para çetë antifashiste në Shqipëri, madje dhe në Evropë.

Por lufta u shtri dhe në Kurvelesh. Atje Nafizi u bë nga pjesëmarrësit e parë në Çetën territoniale të Fterrës së tij. Në Fterrë erdhi Tuk Jakova, një nga udhëheqësit e lëvizjes, komisar i Brigadës së Parë. Shkuan në këtë brigadë dhe një numur djemsh nga Fterra: Pashua, Samiu, Osmëni, Azemi, Razipi e Nafizi.

Në brigadë gjetën Turhanin, Shefqetin e Bektashin. Tre nga djemtë e Fterrës: Turhani, Osmëni e Azemi dhanë jetën për lirinë e Atdheut. Të tjerët vazhduan luftën me amanetin e të rënëve. Në këtë brigadë u shqua për trimeri dhe Nafizi. Ndaj u zgjodh delegat i Brigadës së I-rë për në Kongresin e Rinisë në Helmës të Skraparit, ndaj gëzon dhe disa dekorata nga Kuvendi. Çlirimi e gjeti komandant të togës së zbulimit me gradën toger. Por pas luftës e thërriste ndërtimi i vendit, e kërkuan për të punuar në organet e pushtetit civil. Punoi në organet e Ministrisë së Brendshme, në Kryeministri, në Ministrinë e Bujqësisë, shef kuadri në pushtetin e qarkut të Vlores.

Më vonë mori lapsin dhe punoi në revistën “Mbrojtja e Atdheut”. Në luftë shfaqi trimëri, në paqe dituri. Me shokët - dashuri e respekt. Në punë vullnet të fortë dhe ndershmëri. Kurajon civile e tregoi në luftë, në paqe, në diktaturë dhe në demokraci. Mendimet e tij i ka thënë hapët. Miqësinë e ka të vjeter e të re. U njoh nga afër me Sejfulla Malëshoven. E respektoi dhe e nderoi Sejfullain edhe kur e dënuan atë deri në ekstrem, kur e përjashtuan nga Byroja Politike, kur e shkarkuan nga Ministër i Kulturës edhe kur e përjashtuan nga Partia. Edhe tani kur e pyet për Sejfullain flet me shumë respekt për të, si miku i mirë për mikun e tij të mirë. U njoh dhe me Nako Spiron. U fut në histori Nafizi dhe në vitin 1956, në Konferencën e Tiranës ku, me kurajo qytetare, u bashkua me kritikat e bëra ndaj udheheqjes se lartë të shtetit të asaj kohe. U ndëshkua se nuk pranoi të tërhiqej nga mendimi i tij.

Me një vullnet të fortë dhe me një qytetari fisnike diti ta përballojë jetën. Me vullnet studioi dhe mbaroi Fakultetin Juridik. Pervetësoi dhe anglishten. Botoi dhe shumë shkrime në faqet e shtypit të kohës. Bëri dhe përkthime. U detyrua të shkruajë me pseudonimin: Lulo Fterra dhe Subi Labi. Ka botuar dhe studime shkencore, juridike e albanologjike.

Në kthesën e bërë në vitin 1990-1991 mori pjesë aktive në politikën juridike, duke dhënë kontributin e tij në demokratizimin e vendit. Në vitin 1994 bëri jehonë libri i tij: “I mallkuari i Nojës”. Me interes u ndoq dhe libri tjeter: “Procesi i shekullit”. Në jo pak shkrime ka ngritur probleme të rëndësishme për qeverisjen e vëndit. Ndaj në vitin 1997 Kuvendi e ngarkoi me detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Komisionit të figurave kryesore në administraten e lartë të shtetit, që ende vazhdon ta kryejë me ndershmëri fterjote dhe korrektësi ligjore. Megjithëse i ka kaluar të shtatëdhjetat, përsëri nuk i ndahet punës. Përpiqet të merret dhe me problemet e fshatit. Vjen shpesh dhe në “Parlamentin” e Fterrës, në lokalin ku mblidhen fterjotet, kryesisht të shtunën e të dielen.

E nisi jetën me libër. Për lirinë doli partizan. Pas çlirimit mori kalemin. Padrejtësia i dha kurajo. Jeta e bëri të fortë. Demokracia e ripërtëriti. Mosha nuk e lodhi. Ndaj Nafizin tonë mund ta cilësojme si fterjotin që e tejkaloi moshën në çdo periudhë të saj.

Në përvjetorin e lindjes ne e përgëzojmë dhe i urojme shëndet e jetë të gjatë.

 

 

 

VAJZA FTERJOTE ARDITA MITA,

DIPLOMOHET PËR

“FILOZOFI DHE MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE” NË AMERIKË

 

Me ftesë të rektores të Universitetit të Vajzave në Lynchburg të Virxhinias, më datën 9 maj, bashkë me Dudushin, Kudretin e Mondën, u nisëm nga Brukseli dhe pas nëntë orë e gjysëm udhëtim me avion, duke kaluar Oqeanin Atlantik dhe pjesën lindore të kontinentit Amerikan, ku u bashkuan dy ditë bashkë, ajo evropiane dhe amerikane, mbërritëm në qytetin Atlanta të Amerikës. Që andej me avion të linjës së brendshme, pas një ore e gjysëm, mbërritëm në Lynchburg, ku na priste Ardita, vajza e Kudretit dhe e Mondës, mbesa jonë e dashur dhe e shtrenjtë.

Vizita në Amerikë ishte një kuriozitet i veçante për mua, ndërsa takimi me Adën, në Universitetin ku ajo studioi për katër vjet dhe asistimi në ceremoninë graduimit (dhënies së diplomës), ishte një kënaqesi e veçantë e paprovuar në jeten time. Ceremonia e graduimit, brenda territorit të Universitetit, në një amfiteatër në natyrë, ishte madhështore.

Të gjithë, vajzat diplomante dhe pedagogët e tyre, duke përfshirë edhe rektoratin, ishin veshur me uniformë të veçantë. Secilën nga vajzat e shoqëronte një i afërt, prind ose gjysh. Në rastin e Adës, më ra fati mua që ta shoqëroj. Amfiteatri ishte mbushur plot me prindër dhe studentët e Universitetit të viteve më të ulëta. Pas përshëndetjeve nga rektorati, të deleguarit e qendrës, një ish studente para 20 vjetësh, tani punonjëse në CNN dhe të një diplomanteje, të shoqëruar me marshe muzikore, thirrej nga rektorati emri i studentes që diplomohej dhe, një nga një, nën tingujt e muzikës dhe thirrjeve të gëzuara të shoqeve, dorëzohej diploma.

Më kanë lënë përshtypje të veçantë fjalët e rektores, ku ndërmjet të tjerave ajo ju tha: “Sot graduohen 200 vajza që do të drejtojnë në të ardhmen politikën amerikane”... “Ndërmjet këtyre vajzave, ka vajza si Ardita Mita, të cilat  që në bankat e universitetit kanë punuar në organizata ndërkombëtare si në Bruksel etj.”  Nga 200 diploma, 30 kishin mbaruar me nota të shkëlqyera, e ndërmjet tyre ishte edhe Ada jonë, ku në diplomën e saj të zakonshme shtohej: ”Të jepen nderime zyrtare për arritje të shënuara gjatë kohës së studimeve”. Përshtypje të veçantë na la flamuri shqiptar që valvitej në krahë të tribunës, bashkë me pesë flamurë të tjerë për nder të gjashtë vajzave që përfaqësonin shtete të ndryshme.

Pas vizitës në familjen e pedagoges amerikane, që i jepte Adës leksione për marrëdhënie ndërkombëtare dhe pas një bisede të ngrohtë me të, e të drekës madhështore për nder të pjesëmarrësve, u larguam nga Lynchburgu me makina që mori me qira Kudreti.

Kaluam Washingtonin, Baltimorën dhe qëndruam në New York, ku fjetëm një natë tek vajza e Suzanës, Rida, e të nesërmen vizituam Monumentin madhështor të Lirisë.

Ditën tjetër mbërritëm në Boston te vajza e Shpresës, Elisabeta, dhe te Dantja i Dushe. Folëm në telefon me Bardhylin, Ganen e Zenelit, Irenën e Luanit e shumë fterjotë të tjerë, që në Amerikë janë mbi 60 vetë.

Vizita në Kishën e Fan Nolit, në restorantin e Antoni Athanasit, në godinën ku nga kati 54 duket tërë Bostoni, i dha fund qëndrimit tonë në Amerikë e nëpërmjet Aeroportit “Xhon Kenedi” të New Yorkut, fluturuam në Bruksel. Në këtë rast na u bënë dy netë bashkë.

Ditët e fundit të qëndrimit tonë në Bruksel, vizituam Gjermaninë, Hollandën, Luksemburgun dhe në fund Parisin e bukur me Kullën Eifel, Harkun e Triumfit dhe objekte të tjera me famë botërore.

Ngado që shkuam, më e dashur na duket Shqipëria jonë, Tirana dhe në veçanti Fterra jonë e bukur.

 

P.s.

Ardita mbaroi për “Master” në Bruksel dhe aktualisht punon në Hollivud të Los Anxhelosit si redaktore.

 

 

 

POEZI PËR FTERRËN

Dilaver Shkurti

                                                    Të dua, o Fterrë

 

                     Fterra jonë, vend i bekuar,

                               Me burime kristal të kulluar,

                               Që nga Ngurrëza gjer në Ixuar.

                               Shkëmbi i Kuq gjigand qëndron,

                               Kështjellë në shekuj ai të mbron

                               Varrènë e ndan mes për mes,

                               Madhështor, si Muri i Madh Kinez.

                                                     Mbushur tarraca gjithë kodrat janë,

                                                     Me mund i ngritën të parët tanë,

                                                     Plot ullinj, limonë e portokalla,

                                                     Me fiq e rrush, me shegë e arra.

                              Të gjithë fterjotët e duan fshanë,

                              Se aty prehen të parët tanë,

                              E duan Fterrën si fëmijën nëna

                              Ajo si Dielli e ne si Hëna.

                                                     Aty në Fterrën me zemër shqiptare,

                                                     U ulëm ne së pari mbi Abetare,

                                                     Mësues Neimin në zemër e kemi,

                                                     Kudo që rrojmë, kudo që vemi.

                             Më parë jetonim të gjithë në fshat,

                             Se ishim një fis, se kishim një gjak,

                             Sot nëpër botë jemi shpërndarë:

                             Në Fterrë, Vlorë, Sarandë e Tiranë,

                             Shumë familje janë në Greqi,

                             Disa në Amerikë, Francë, Itali,

                             Fterjotët i gjen dhe në Gjermani,

                             Në Kanada, Angli e në Suedi.

                                                       Po Fterrën asnjëri nuk e harron,

                                                       Me mall në zemër atë e kujton.

                            Ti je krenaria jonë, o Fterrë,

                            Se je Labëri, por je dhe Rivierë,

                            O Fterrë, trëndafil e manushaqe,

                            Si nuse të kuqojnë ato faqe!

                            Nga gjiri yt dolën njerëz me vlerë,

                            Që të nderuan, e dashura Fterrë,

                            Se ti je fshati i diturisë,

                            I njohur anekënd Shqipërisë.

                                                        Prandaj “Shkëlqyeshëm” ta vëmë një notë,

                                                        Për ne, vendi më i bukur në Botë!

Tiranë, prill 2006

 

 

Dilaver Shkurti

 

 

 

 

O FTERRA JONË!

 

Vizitova katër kontinente

Asnjeri nuk më bëri për vete.

Që nga Tokio në Stokholm

Nga Parisi në Washington

Fterrën time nuk e harrova

Natë e ditë atë kujtova.

 

 

Maj 2006

 

© 2009 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode