Me dashuri ua kushtoj këtë libër

 

PËR TURHANIN,

VËLLANË TIM TË MADH

 

Turhan Mato si tani më del parasysh, me trupin e lidhur, të fortë, plot gjallëri, fytyrë ovale e shprehëse, me sytë e gjallë e me një shkëlqim të veçantë, i mençur, i sjellshëm, mjaft i dashur e plot përkujdesje për këdo. Ishte më i madh se unë, kishim diferencë moshe, ai ishte i datëlindjes 1921, ndërsa unë i 1928, megjithatë kur e njihje nga afër të dukej sikur e kishe njohur prej kohësh, sikur ishe shok me të. Në Fterrë nuk kisha pasur ndonjë lidhje të veçantë, mbasi nuk ishim moshatarë dhe nuk ishim të afërt. Unë e njoha atë nga afër kur vajta me studime në Shkollën Normale të Elbasanit ku ai ishte student normalist, disa vjet para meje. Kur vinte në Fterrë me pushimet e verës, ne të vegjëlit e shikonim me zili, sepse studentët na dukeshin disi ndryshe dhe ne i admironim ata. Por, pas martesës së vëllait tim, Zenelit, me Merushanën, kushërirën e parë të Turhanit, familjarisht u afruam me familjen e Jasharit e të Fatimesë. Nëna ime takohej shpesh me Nënë Fatimenë, se banonim në të njëjtën mëhallë, dhe ajo e lavdëronte atë për sjelljen, mirësinë dhe urtësinë e saj.

Krushqia, që fola më lart, na kishte afruar, por edhe qënia si patriotë në të njëjtën shkollë na afroi më shumë, me gjithë ndryshimin që kishim në moshë.

Në vitet 1941-1942, pas Luftës Italo-Greke të 1940, unë fillova klasën e I-rë si student në Normale të Elbasanit dhe Turhanin e gjeta student në klasën e 5-të. Fillimisht qëndrova për të banuar tek tetua ime, Hateme Memja (motra e Nënës), e cila banonte në Elbasan. Turhani, kur mori vesh që kishte ardhur një student i ri nga Fterra, erdhi e më takoi e filloi të interesohej për mua. Këshillat e para ishin ato që ka nevojë çdo nxënës i ri kur shkon për herë të parë në një ambient krejt të panjohur. Pastaj filloi të më ndiqte më nga afër. Më pyeste si veja me mësime, ç’nevojë kisha, me cilët profesorë kisha mësim, si duhet të mësoja, cilës lëndë t’i jepja rëndësi etj., etj. Ishte shumë i dashur, i edukuar dhe i gjendur. Më këshillonte tamam si vëlla si të sillesha, si të respektoja pedagogët, si të dëgjoja leksionet, duke u përqëndruar në mësim që të përfitoja sa më shumë gjatë shpjegimit të mësuesit dhe të arrija të përfitoja 80 përqind të mësimit në klasë etj. Më ofronte libra për të lexuar po të kisha nevojë, duke më rekomanduar edhe se çfarë libra të lexoja.

Në vitin 1942 miqësia jonë u forcua më shumë se edhe unë u bëra konviktor. Ishim në dy konvikte të ndryshme, ne të vegjëlit, deri në klasën e 5-të, ishim në konviktin tek Namazgjaja (Rruga e Shkumbinit), ndërsa klasat 6,7, 8-të te Ura e Zaranikës, në hyrje të Elbasanit. Shkollën e kishim brenda Kalasë dhe takoheshim bashkë pothuajse çdo ditë.

Për pak kohë qëndroi me punë në Elbasan edhe vëllai im i madh, Zeneli. Kur ai u largua më la si kujdestar Turhanin. Të kishe dikë si kujdestar ishte rregull i veçantë për konviktorët e kësaj shkolle.

Nganjëherë Turhani vinte tek unë gjatë javës në konviktin e vogël. Ende i kam në vesh këshillat e bisedat e tij për çdo problem. Bisedonim gjatë, unë e pyesja për shumë çështje të ditës, të historisë, politikës e ai më fliste e më sqaronte për çdo gjë. Më fliste me urrejtje për regjimin zogist, që shiti vendin tek Italia fashiste, për fashistët që na kishin pushtuar vendin, për sulmin nazist të Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik. Fliste me admirim të veçantë për Ushtrinë e Kuqe dhe Stalinin. Ai kishte besim të plotë se Ushtria e Kuqe do ta mundte ushtrinë gjermane dhe do të shpëtonte botën. Më fliste me pasion për formimin e PKSH, që ajo ishte shpresa e shpëtimit për vendin tonë, për çetat e para partizane që u formuan në atë kohë si në Pezë, Kurvelesh, Skrapar e Dibër e shumë e shumë tema të tjera nga më të ndryshmet. Mund të them që mësimet e para për situatën politike i kam marrë nga Turhan Mato e Safet Memi.

Ishte revolucionar, kishte lindur për revolucionar. Kishte një vullnet të madh për të shpjeguar probleme politike. Ai merrte pjesë në të gjitha aktivitetet revolucionare të normalistëve. Në demonstrata, në takimet në ullishta, ishte ngado i pari. Luante rol udhëheqës për lajmërime, për vendin ku do të organizoheshin aktivitetet, për shpërndarjen e komunikatave etj.

Më kujtohet në shkurt të vitit 1942, kur studentët e Normales në shenjë proteste kundër sjelljeve të këqia dhe shpërdorimeve në konvikt të drejtuesve italianë të administratës u grumbulluan dhe filluan të protestonin, duke kënduar këngë patriotike e revolucionare, duke hedhur parulla kundër pushtimit, kundër Musolinit e Viktor Emanuelit të Tretë, kundër Hitlerit, e kundër qeverisë kuislinge të Mustafa Krujës, kundër rregullave fashiste në konvikt e në shkollë. Ky manifestim revolucionar i shqetësoi autoritetet e qytetit. Prefekti lajmëroi ministrin kuisling të Arsimit në Tiranë, duke iu lutur që të vinte në mënyrë urgjente për të qetësuar gjendjen. Natën në shkollë erdhën karabinierë e policë, të cilët arrestuan dhe burgosën disa nga nxënësit që ishin në krye të kësaj proteste. Midis tyre ishte edhe Turhani.

Të nesërmen në mëngjes mbërritën me ngut ministri i Arsimit dhe nënministri i Brendshëm. Ata u përpoqën të bindnin konviktorët mbi rregullat fashiste në konvikt dhe në shkollë, duke bërë ndonjë lëshim të vogël, por nxënësit ngulën këmbë për heqjen e çdo rregulli fashist dhe kërkonin vendosjen e rregullave demokratike, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në konvikte.

Ardhja e autoriteteve nuk e përmirësoi gjendjen. Ajo e acaroi më shumë. Nxënësit nuk u paraqitën në konvikt në orën e caktuar. Si kundërveprim fashistët arrestuan përsëri një grup studentësh. Studentët e tjerë konviktorë shkuan përpara kuesturës ku ndodheshin shokët e arrestuar, duke thirrur: “Lironi shokët tanë! Duam shokët!”

Të arrestuarit u mbajtën në burg 24 orë, pastaj i kthyen në konvikt, që ruhej nga të gjitha anët prej forcave të armatosura. Nxënësit konviktorë të rreshtuar nga të gjitha anët këndonin këngë patriotike dhe hidhnin parulla antifashiste. Turhani ishtë një ndër më aktivët. Gjithë lagjja rreth e rrotull buçiste nga thirrjet e parullat. Në shenjë solidariteti me shokët e tyre nuk shkuan në mësim të gjithë nxënësit e Normales.

Atëherë fashistët u futën natën në konvikt dhe morën një pjesë të konviktorëve, të cilët i futën nëpër kamiona dhe i çuan në vendlindjet e tyre. Ndër ta ishte dhe Turhani. Ndërkaq mësimi u ndërpre sepse asnjë student nuk vajti në shkollë. Mbi drejtorinë e shkollës dhe autoritetet bëhej presion nga studentët vendas dhe populli i Elbasanit kundër masave fashiste karshi konviktorëve. Atëhere të detyruar nga ky presion i madh i popullit autoritetet u detyruan të anullonin vendimin e tyre të përjashimit dhe Normalja rifilloi mësimet pas dy javësh.

Turhani u kthye në shkollë dhe mbas kësaj ai u bë edhe më aktiv. Kjo ngjarje ushtroi ndikim të madh në drejtim të forcimit të Lëvizjes Antifashiste në radhët e rinisë së qytetit dhe të të gjithë qarkut.

Në shkurt 1942, Komiteti Qarkor i Rinisë Komuniste të Elbasanit organizoi mbledhje të gjera jashtë qytetit, në të cilat  morën pjesë qindra të rinj e të reja. Në këto mbledhje u fol mbi domosdoshmërinë e shtimit të radhëve të rinisë, të organizimit dhe mobilizimit të saj në luftë kundër pushtuesve e tradhtarëve. Turhan Mato ishte pjesëmarrës aktiv dhe një nga organizatorët e këtyre aktiviteteve.

Në takimet e organizuara jashtë qytetit, në ullishta të Elbasanit ose në vende të ndryshme, ku flisnin përfaqësues të Komitetit Qarkor si Alqi Kondi, Tomorr Sinani, Thoma Deljana e të tjerë, Turhani përherë rrinte pranë tyre.

Turhani më rekomandoi edhe mua tek studentët e klasave të 4-ta e 5-ta të konviktit, që ishin drejtues të aktiviteteve antifashiste, për të më futur në grupet edukative. Grupet ishin të organizuara. Ato mblidheshin çdo javë në shtëpitë e marra me qira të studentëve të jashtëm, si për shembull te shtëpia e Luftëtar e Neki Hoxhës. Atje mbanin leksione studentë të klasave të larta si Bilal Parruca, Pertef Pumo, Findia Veizi etj.

Siç thashë, Turhani kujdesej vazhdimisht për mua e gjatë kësaj periudhe ishte edhe tutori im, që më ndiqte në çdo hap të jetës me kujdes e tamam si vëlla i madh. Një ditë u futa pa leje në fjetore. Drejtori, që ishte italian, më pa dhe më futi një pëllëmbë të fortë. Turhani u revoltua dhe mendoi ta takonim dhe t’i kërkonim arsyen se pse më qëlloi. Por pastaj e diskutuam dhe e lamë të mos e bënim problem.

Një herë tjetër në sallën e bukës, ne u përleshëm me një grup djemsh që nuk ishin dakord për t’u hedhur me Lëvizjen NCL. U bë rrëmujë dhe më pas erdhi policia e mori gjashtë nga shokët tanë në kuesturë. Turhani me të marrë vesh u alarmua dhe erdhi në konvikt për të verifikuar se mos isha edhe unë në ata të gjashtë. Kur më pa u rehatua. Më këshilloi përsëri që të tregohesha i kujdesshëm dhe të mos bëja gabime, që mund të shkaktonin ndonjë pasojë. Një herë më zunë kujdestarët duke dalë nga konvikti për të marrë komunikatat. E kisha radhën unë. Një nga kujdestarët, që ne e dinim që ishte spiun, më pa dhe lajmëroi në drejtorì. Morën masë përjashtimi nga shkolla për tre ditë. Shkova te Turhani në konviktin e madh dhe i tregova se ç’kishte ndodhur e ai më rregulloi tek shokët e tij të jashtëm, ku të flija e të ushqehesha ato ditë.

Një gjë, që më ka bërë përshtypje tek ai, ishte lëtërkëmbimi i tij me familjen, Nënën, motrën dhe në veçanti me Fuatin. Shpesh më lexonte letrat që merrte nga Fuati në Fterrë. Ata kishin një dashuri të madhe për njeri tjetrin dhe ishin shumë të lidhur. Më thoshte se Fuati është shpresa e vetme e shtëpisë dhe e Nënës. I ati, Jashari, kishte vdekur dhe Xhania, e motra, ishte martuar në Borsh. Kështu që Nënë Fatimesë i kishte mbetur në shtëpi vetëm Fuati i mirë.

Turhani u gëzua shumë për takimin që ishte bërë në Fterrë, te Kroi i Bedrinit, për krijimin e Çetës Vullnetare të fshatit, për Këshillin NCL etj. Fliste me admirim për Hiqmet Dushën, si ideatori i parë i këtyre suksesve në Fterrë.

Në verën e vitit 1942 shkuam bashkë në Fterrë. Nata na zuri në Vlorë. Kishim pak pará për në hotel. Turhani propozoi të flinim në karrocerinë e makinës. Unë fillova të ankohesha. Ai më dëgjoi e pastaj m’u drejtua me të qeshur: “Leri fjalët tani, se do të të rrah mu këtu. Po mblidh ca bar e gazeta e shtroi, se behar është e do të kënaqemi”. Ashtu bëmë dhe vërtet nuk na doli keq.

Kur mbërritëm në Borsh na çoi në familjen e së motrës, Xhanes, në Hodaj, ku ajo ishte martuar. Na pritën shumë mirë. Gëzimi i Xhanes dhe i Turhanit kur takuan njeri tjetrin ishte shumë i madh dhe kjo pasqyrohej në sytë e tyre. Hëngrëm një drekë të mirë atje e i mbyllëm të gjitha boshllëqet që na ishin krijuar rrugës dhe, mbasdreke vonë, u nisëm për në Fterrë.

Në shtator 1942 u kthyem përsëri në shkollë, unë në klasë të 2-të dhe Turhani në të 6-tën. Ishte shumë akiv, një nga më aktivët e shkollës Normale të Elbasanit. Atë e shihje kudo në krye të demonstratave. Nuk ruhej fare nga spiunët e fashizmit. Normalistët ishin bërë shembull dhe ata ngritën peshë gjithë Elbasanin.

Në fund të janarit 1943, kur mori lajmin për vrasjen e Fuatit, u mërzit e u revoltua shumë, iu shtua më tepër urrejtja për fashistët. I vinte shumë keq për Nënën që mbeti vetëm. Disa ditë më vonë, pas varrimit të Fuatit, shkoi në Fterrë për të takuar e ngushëlluar Nënën. Kur u kthye në shkollë ishte bërë si “i tërbuar”, nuk pyeste fare për frikën, çdo ditë ishte në aksion, shpërndante komunikata nga një bazë në tjetrën ose në konvikt me ilegalë, të cilëve u jepte informata të ndryshme. Kishte krijuar lidhje me persona që njihnin mirë forcat armike dhe dinin lëvizjet e tyre në qytet e në rrethinat. Ai menjëherë lajmëronte Komitetin e Rinisë Komuniste dhe ilegalët e qytetit për lëvizjet e armikut nëpërmjet lidhjeve që kishte. Urrejtja ndaj armikut ishte shumë e madhe. Nuk përmbahej e vetëm përsëriste : “Do t’ia marrim hakun Fuatit, nuk do rrimë pa ia marrë hakun”. Në çdo fjalë që fliste shante fashistët dhe ata që bashkëpunonin me ta.

Në pranverën e vitit 1943, pas Konferencës se Parë të Vendit, Lufta NCL në Qarkun e Elbasanit mori përmasa të reja, shumë më të gjera në krahasim me periudhat e mëparshme. Alqi Kondi në një mbledhje të përbashkët të Qarkorit të Rinisë Komuniste, në emër të Partisë, u bëri thirrje normalistëve të dalin në mal. Ai porositi që dalja në mal e normalistëve të bëhej në mënyrë të organizuar dhe në të njëjtën ditë. U vendos që nisja të bëhej ditën e shënuar të 1 Majit, ditën e proletariatit ndërkombëtar.

Turhani filloi të përgatitej për të dalë partizan bashkë me shumë shokë të tjerë normalistë. Më porositi të mos i tregoja askujt. Qethi flokët shkurt dhe rregulloi një xhakavento e një palë këpucë të mira ushtarake. Një javë para largimit u takuam në konviktin tonë. Më dha valixhen me libra e fotografi, që t’ia shpija Nënë Fatimesë në Fterrë e më porositi: “T’i bësh shumë të fala Nënës, ta përqafosh nga unë e t’i thuash që nuk jam vetëm. Jemi plot shokë e do t’ia marrim hakun Fuatit.  Do shihemi së shpejti në Shqipërinë e lirë” . “Mos u mërzit për mua” – thuaji Nënës.

Në mënyrë demonstrative, duke kënduar këngë revolucionare, më 1 Maj u mblodhën në oborrin e shkollës të gjithë studentët, të mëdhenj e të vegjël. Drejtori dhe profesorët shikonin që ne nuk po futeshim nëpër klasa, por këndonim e brohorisnim, duke hedhur parulla kundër fashizmit okupator. Kënga më e preferuar ishte “Për Mëmëdhenë”. Sikur doli nga dheu një djalë i veshur si fshatar. U ngjit në podiumin e sajuar dhe filloi të flasë kundër pushtuesit fashist. Ishte studenti i vitit të 8-të Todo Kavaja, që tashmë kishte dalë partizan. Ai bëri thirrje të hapur për të braktisur mësimet dhe për të dalë të gjithë në Mal për të çliruar vendin nga fashizmi. Thirrjes së tij iu përgjigjën 100 normalistë nga klasat e larta 6,7, e 8-të dhe disa nga të 5-tat. Turhani ishte ndër të parët. Atje te mitingu më takoi, u përqafuam dhe u ndamë. Shkoi në Çermenikë, në Batalionin «Dumrea» dhe që andej, në gusht 1943, në Vithkuq të Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e Brigadës I-rë S. U inkuadrua në këtë brigadë ku u caktua zv/komisar i kompanisë për mortajat. Në shtator 1943 u pranua në radhët e PKSH, ndërsa në Organizatën e Rinisë Komuniste ishte pranuar në qershor 1942, kur ishte në Shkollën Normale.

Me Brigadën e Parë Sulmuese Turhani mori pjesë në beteja e aksione kundër pushtuesve nazi-fashistë, duke treguar guxim e trimëri. Me vlera të veçanta mbetet Ditari Partizan që mbajti gjatë gjithë periudhës së Luftës deri në ditët e fundit të jetës. Ai përshkruan në mënyrë kronologjike çdo ditë aktivitetet e Brigadës së Parë S., itinerarin, luftimet, aksionet, punën propagandistike në brigadë, kurset kundër analfabetizmit etj. Ky Ditar historik sot ndodhet në Arkivin e Shtetit.

Në prill të vitit 1944 në një sulm të Brigadës së I–rë S. në qytetin e Pogradecit Turhani plagoset rëndë dhe shtrohet në Spitalin Partizan të Vlushit, në Skrapar. Disa ditë para se të vdiste i drejtoi një letër emocionuese Shtabit të Brigadës, duke u lënë lamtumirën shokëve, e cila u lexua para brigadës, ku midis të tjerave thoshte se: “ishte gjithmonë me ta, në radhët e luftëtarëve të paepur të Brigadës Parë S...”. Kjo letër preku zemrat e gjithë efektivit të Brigadës, të cilët u betuan se do t’ia merrnin hakun dhe do të vazhdonin luftën deri në çlirimin e plotë të vendit.

I paharruar mbetet për mua takimi ynë i fundit në dimrin e vitit 1944, kur erdhi me leje në Fterrë të takonte Nënë Fatimenë. Brigada e I-rë S. kishte zbritur në Kurvelesh. Bile, Tuk Jakova e shumë partizanë të kësaj brigade erdhën edhe në Fterrë. Më falenderoi për amanetin që më kishte dhënë në shkollë, për valixhen e për kujdesin ndaj Nënë Fatimesë. U ndamë duke u përqafuar e me porosinë: “Më kini kujdes Nënën. Mirupafshim në Shqipërinë e Lirë”.

I premtova që nuk do ta harroja kurrë shokun tim Fuatin dhe do ta ndihmonim Nënë Fatimenë. Premtimin që i dhashë u mundova ta mbaj sa isha në Fterrë. Edhe më pas brezat e rinj, siç më ka treguar Dudushi, e ndihmuan. Por Nënë Fatimeja pati vajzën e saj, Xhanen, që i qëndroi pranë gjithë jetës e i shërbeu me dashuri e përkushtim familjarisht deri në ditët e fundit të jetës së saj.

Turhani, vëllai e shoku im më madh, ishte nga ata njerëz që është fat t’i kesh shok e mik në jetë. Ai ishte njeri me karakter të fortë, trim e i zgjuar, ishte revolucionar, ishte i pari në demonstrata e atje ku ishte detyra më e vështirë, ishte një student mjaft i mirë, që çdo gjë e kishte fituar me punë sistematike e me vullnet të fortë. E donte shume Fuatin dhe këtë e pash

ë me sytë e mi, ato ditë kur mori lajmin për vrasjen e tij. Kishte një dashuri të madhe për Nënën dhe motrën e tij të vetme Xhanen. Donte shumë Fterrën dhe bashkëfshatarët, donte shumë atdheun, për të cilin dha jetën e tij të re.

 

Tiranë, më 28 shkurt 2006

 

 

© 2009 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode